00:00:00
22 Feb

Zakonet që ju pengojnë të flini mirë

Mund të jetë e lehtë të mos i vësh re zakonet që ndikojnë në cilësinë e gjumit dhe nga ana tjetër, në shëndet. Ja disa gabime të zakonshme që mund të jenë shkaqet e një gjumi jo të mirë:

Kompensimi i gjumit në fundjavë

Është e zakonshme që njerëzit ta “kompensojnë” gjumin e humbur të premten dhe të shtunën, kur nuk kanë mundur të pushojnë mjaftueshëm gjatë javës. Por ekspertët si Dr. Robert Rosenberg nga Qendra e Çrregullimeve të Gjumit në Prescott Valley, Arizona, nuk e rekomandojnë këtë.

“Fjetja më e gjatë në fundjavë nuk do të ndihmojë. Në të vërtetë, duke bërë kështu, mund të prishni orarin tuaj normal të gjumit, aq shumë saqë mund të jetë e pamundur të shkoni në shtrat në kohë natën e së dielës. Sigurohuni që të flini të paktën shtatë orë për një natë për të ruajtur vigjilencën dhe energjinë gjatë ditës”.

Fjetja në bark

Shumë ekspertë të gjumit thonë se pozicioni i gjumit në barkun tuaj – mund të shkaktojë efekte anësore të padëshiruara. Kjo mund të çojë në tendosje të qafës dhe dhimbje koke për shkak të mënyrës se si është pozicionuar koka juaj.

Përveç kësaj, ky pozicion mund të rrafshojë shtyllën kurrizore dhe të shtojë presion në nyje, duke shkaktuar dhimbje të shpinës në anën e poshtme. Nëse përjetoni ndonjë nga këto probleme, flisni me një profesionist shëndetësor për udhëzime.

Nuk i zëvendësoni mjaftueshëm dyshekun dhe jastëkun

Sipas Fondacionit Kombëtar të Gjumit, ju duhet të zëvendësoni dyshekun tuaj çdo tetë vjet. Meqenëse qëndrueshmëria e një jastëku ndryshon më shumë, mund t’i zëvendësoni ato çdo një ose dy vjet varësisht nga cilësia. Njerëzit që vuajnë nga alergjitë mund të kenë nevojë t’i lajnë dhe t’i zëvendësojnë më shpesh për shkak të pluhurit.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.