“Wikigap” trajton ndërlidhjen e barazisë gjinore me paqen dhe sigurinë në botë

UN Women në partneritet me Ambasadën Suedeze në Prishtinë dhe Kosovalive, organizuan ngjarjen “Wiki-Edit-A-Thon” (maratona e editimit në wiki) me qëllim që rritet numri i zërave të vajzave dhe grave online dhe të rritet përmbajtja online për gratë, paqen dhe sigurinë.

Vajza dhe djem të ri nga gjithë Kosova kanë marrë pjesë në ngjarjen një ditore “Wiki-Edit-A-Thon”, duke rritur numrin e artikujve online mbi gratë, paqen dhe sigurinë.

Megjithëse ka gjithnjë e më shumë dëshmi që tregojnë se gratë janë akterë të fuqishëm për paqen e qëndrueshme në komunitetet dhe popujt e tyre, ende ekziston nevoja që të sigurohet përfaqësimi i grave në të gjitha proceset e drejtësisë tranzicionale në Kosovë. Prandaj, kjo ngjarje synon të tërheq vëmendjen drejt ndikimeve të ndryshme që konfliktet e armatosura kanë mbi vajzat dhe gratë, përfshirjen e tyre në proceset e drejtësisë tranzicionale, si dhe lidhjen e ndërlikuar mes barazisë gjinore dhe paqes e sigurisë në botë.

“Mungesa e barazisë gjinore është problem universal dhe të gjithë do të përfitonin nga ndryshimi i kësaj gjendje. Hulumtimet, përvoja jonë si dhe përvojat e të tjerëve tregojnë se barazia gjinore kontribuon për një mirëqenie më të mirë dhe shoqëri më paqësore. Suedia është vendi i parë në botë me politikë të jashtme feministe. Kjo buron nga një bindje morale për drejtësi dhe të drejtat e njeriut, por edhe për shkak se barazia gjinore është kushti themelor për paqe, siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm”, tha në fjalën e tij hyrëse Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson.

Këshilltarja kryesore politike e PSBE/Koordinatorja ekzekutive në Zyrën e Bashkimin Evropian në Kosovë, Annette Fath-Lihic, theksoi që shoqëritë që japin mundësi të barabarta për gratë, për të marrë pjesë lirshëm në jetën shoqërore, politike dhe ekonomik, janë shoqëri më paqësore dhe përparimtare,

“Megjithëse kanë kaluar nëntëmbëdhjetë vite nga konflikti, në Kosovë duhen bërë përpjekje të mëtejshme për të adresuar shkeljet e drejtave të njeriut gjatë konfliktit, përmes një procesi gjithëpërfshirës, si dhe të punohet drejt ndërtimit të një ardhme paqësore”, tha Rozafa Kelmendi, menaxhere e Projektit në UN Women, duke theksuar rëndësinë e qasjes së ndjeshme gjinore në të gjitha proceset e ballafaqimit me të kaluarën.

Annea Hapçiu, drejtoreshë për Zhvillim, KosovaLive, tha se: “Përmes ngjarjeve dhe punëtorive si WikiGap, vajzat dhe djemtë e rinj e kuptojnë se veprimet e tyre ndërlidhen drejtpërdrejt dhe kontribuojnë në ndërtimin e paqes dhe sigurisë në komunitetet e tyre. Ngjarjet e tilla u japin atyre mundësinë që të familjarizohen me konceptin e paqes dhe sigurisë si dhe u ndihmojnë atyre që të shohin veten si pjesë përbërëse të tyre dhe jo si nocione të kufizuara nga veprimet e tyre dhe të paprekshëm për ato”.

Gjatë fjalimit të saj frymëzues, për rrugëtimin e saj si aktiviste, Igballe Rogova, drejtoreshë Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, theksoi rëndësinë e angazhimit të të rinjëve në proceset që ndërlidhen me barazinë gjinore, paqen dhe sigurinë.

Kjo ngjarje është pjesë e fushatës globale #WikiGap, që fillimisht është lansuar nga Wikimedia në Suedi dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Suedisë. Ngjarje të ngjashme tashmë janë mbajtur në më shumë se 50 vende të ndryshme të botës me qëllim që të përmirësohet përfaqësimi i grave në internet si dhe të ndihmohet në krijimin e një bote me më shumë barazi gjinore.

Ngjarja e organizuar në Prishtinë  është pjesë e projektit të UN Women “Perspektiva Gjinore në Drejtësi Tranzicionale” e financuar nga Bashkimi Evropian.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.