00:00:00
23 Mar

VULLNETARIZMI: Aktivitet ku përfitues nuk është vetëm komuniteti

Valon Nushi, koordinatori i Platformës për Fuqizimin e të Rinjve, i angazhuar qe tri vite në “UNICEF”, tregon për platformën “Kosovo Volunteers”, një platformë elektronike e cila ka për qëllim bashkimin e organizatave dhe vullnetarëve.

Platforma është e llojit “match-making” dhe ju shërben të interesuarve të gjejnë mundësi për punë vullnetare në organizata të Kosovës në bazë të kauzave që ata preferojnë, dhe po ashtu organizatave që të gjejnë vullnetarë të cilët janë të interesuar për kauzat specifike.

Në proces automatikisht kalkulohen orët e angazhimit të vullnetarëve, që pas verifikimit, dërgohen në formë kërkese në adresë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për aprovim dhe lëshim të certifikatave.

Aktualisht në platformë janë të regjistruar 4,628 vullnetarë dhe 158 organizata.

Renea Behluli, mentore në organizatën joqeveritare “Toka”, me qendër në Prishtinë, tregon se nga aktivitetet që i kanë organizuar prej vitit 2015 kanë përfituar 15,000 persona. Organizata “Toka” është e ndarë në 18 klube të cilat janë të shpërndara nëpër tërë territorin e Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe, në aktivitetet e ndryshme të kësaj organizate janë angazhuar gjithsej 1,272 aktivistë, shumica e tyre të rinj nga 14-18 vjeç.

“Vullnetarët kanë pasur rastin të mësojnë për veten e tyre, për të tjerët, për komunitetin dhe të zhvillojnë aftësi të mendimit kritik, bashkëpunimit në grup, komunikimit, planifikimit, menaxhimit të projekteve, etj. Mbi të gjitha, kanë parë vlerën e punës për komunitet e cila do të ndihmojë shoqërinë tonë kur ‘super-vullnetarët’ të jene në pozita të ndikimit në të ardhmen. Mbi të gjitha, prioritet në planifikimin e punëve vullnetare në ‘Toka’ është angazhimi i komunitetit në vlerësimin e nevojave. Nuk planifikohen projekte që komuniteti nuk shpreh nevojën për to,” shprehet Behluli.

Në hulumtimin e saj “Gjendja e vullnetarizmit në Kosovë: Sfidat dhe perspektivat”, profesoresha e sociologjisë Vjollca Krasniqi, thotë se gjatë dy viteve të fundit, më shumë se një e treta e kosovarëve, në një mënyrë apo tjetër janë angazhuar në punë vullnetare dhe motivet për vullnetarizëm janë zakonisht personale.

“Sipas këtij hulumtimi, 41.4% e të anketuarve dëshirojnë ta rrisin kapitalin social përmes punës në rrjet, 40.5% shpresojnë së do të kenë perspektivë për punësim dhe 37.2% për motiv e ka zhvillimin në arsim,” thotë Krasniqi.

Ndër konkludimet e këtij hulumtimi janë edhe ai se angazhimi në punë vullnetare ndryshon në bazë të gjinisë, gratë kanë nivel më të ulët të vullnetarizmit për dallim nga burrat. Hendeku gjinor është i dukshëm në radhët e të gjitha grupmoshave. Vullnetarët janë kryesisht të grupmoshës 18-24 vjeç.

Niveli i angazhimit në aksione vullnetare dallon nëpër shtete të Europës Jug-Lindore. Bazuar në rezultatet e një analize të “Gallup”-it nga viti 2016 – “ Raporti Global i Madh i Punës”, del se në përgjithësi, numri i qytetarëve të cilët shprehin dëshirë për punë vullnetare, mbetet i ulët: vetëm 4 për qind të qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës angazhohen në punë vullnetare, në Serbi kjo përqindje është paksa më e madhe – 5%, në Maqedoni 7 për qind, ndërkohë që në Kosovë, shkalla e vullnetarizmit shkon deri 15 për qind.

Nga ana tjetër, vullnetarizmi në vendet e rajonit është i rregulluar edhe me ligj: Kroacia miratoi Ligjin për Vullnetarizëm më 2007, Maqedonia më 2007, Bosnjë e Hercegovina më 2008, Serbia më 2010, Mali i Zi më 2010, Sllovenia më 2011 dhe së fundi Shqipëria më 2016.

Në Kosovë, ndërkaq vullnetarizimi është i përfshirë në Ligjin për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë, e tjetra që e dallon Kosovën nga vendet e tjera të rajonit, ështe kufizimi moshor për vullnetarët. Sipas këtij Ligji, puna vullnetare i referohet vetëm të rinjve të moshës 15 deri 24 vjeç.

Një ndër organizatat më të njohura për aktivitete vullnetare “Termokiss,” proklamon se është e hapur për të gjithë, sidomos për të rinjtë, që kanë ide për një prezantim më atraktiv e joshës të angazhimeve të tyre, gjithsesi në baza vullnetare. Edhe ligjerata “Matematika prapa kriptovalutave”, që u organizua nga fundi i shkurtit, ishte një prezantim tjetërfarë, më i kapshëm i një problematike me të cilën të rinjtë vështirë se do të mund të njiheshin përbrenda kontekstit tradicional arsimor.

Eljesa Beka, që tash dy vjet vullnetare në “Termokiss”, së bashku me disa kolegë tjerë merret me organizimin e aktiviteteve të ndryshme, thotë se brenda ditës hapësirën e pashfrytëzuar të ish-objektit të “Termokosit”, frekuentojnë 25 deri 30 vullnetarë. Sipas saj, aktualisht në aktivitetet e saj ku përfshihen punëtori, ligjerata, diskutime, shfaqje filmi, diskutime, sesione informuese për gjëra aktuale, ekspozita… më shumë po angazhohen djemtë, ndërkohë që mbetet synimi i përfshirjes i sa më shumë vajzave në të ardhmen.

“Qëllimi i aktiviteteve vullnetare është për të krijuar një hapësirë alternative duke ofruar edukim joformal dhe mënyra të reja të mësuarit… ’Termokiss’ funksionon me hierarki horizontale, gjë që na bën të gjithëve të barabartë, edhe në përgjegjësi edhe në implementim të ideve. Idea është që secili vullnetar që vjen në ‘Termokiss’ dhe ka pasion të veçantë, për t’i parë mundesitë që i ofron komuniteti dhe hapësira dhe për të zhvilluar idetë e tyre”, shprehet Beka.

Në kuadër të platformës elektronike të UNICEF-it është e përfshirë edhe punëtoria “Rekrutimi dhe menaxhimi i vullnetarëve” për organizatat dhe institucionet që rekrutojnë vullnetarë.

“Kjo punëtori bazohet në kurrikulën që është bërë nga zyrja e UNICEF-it dhe ka disa module ku përfshihen nevojat psikologjike dhe trajtimi i vullnetarëve në organizatë, rekrutimi i vullnetarëve përgjatë fazave të projektit dhe udhëzimi administrativ për punë vullnetare të të rinjëve dhe të rejave në Kosovë. Deri më tani kemi trajnuar rreth 62 organizata (përfshirë këtu edhe institucione publike), dhe 46 përfaqësues të këtyre organizatave janë licensuar nga MKRS si mentorë të vullnetarëve pas trajnimit dhe pas kalimit te testit nga MKRS”, shprehet Nushi i “Kosovo Volunteers”.

Organizata “Let’s Do It Kosova”, ku janë angazhuar rreth 5,000 vullnetarë, për rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, vitin e kaluar i ka pastruar gjitha vijat kufitare mes Kosovës dhe shteteve fqinje, kurse sivjet ka organizuar një aksion pastrimi në Han të Elezit, saktësisht te pllaka përkujtimore “Eksodi 99”. Këtë herë aksionit iu bashkuan edhe zyrtarët komunal, në mesin e tyre edhe vet kryetari i komunës, Refik Suma, zjarrfikësit, si dhe nxënës të shkollës së mesme “Dardania”.

Petar Đorđević, drejtues i “Graçanica e re aktive” (“Mlada aktivna Gračanica”), thotë se në këtë organizatë janë të angazhuar gjithsej 43 djem dhe 33 vajza, shumica të komunitetit serb, dy vajza janë nga martestë e përziera, katër janë nga Britania e Madhe, një nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe dy nga Franca.

“Ne në ‘Graçanica e re aktive’ kemi formuar klubin e të rinjve ‘Magic’ ku kemi takime një herë në javë. Disa nga temat me të cilat merremi në Klubin e të Rinjve janë vullnetarizmi, aktivizmi, fjalimi publik, aftësitë e buta dhe ndërmarrësia sociale. Çdo javë ka edhe seminare të teknologjisë dhe klasa biseduese në anglisht me vullnetarin tonë Josey Mintel nga SHBA. Rreth teknologjisë ne jemi kryesisht duke punuar në robotikë dhe teknologji Arduino”, tregon Đorđević.

Në Graçanicë janë të regjistruara 11 organizata, por jo të gjitha janë aktive. Më aktive, pos kësaj organizateje, janë GAIA dhe OSADUS: e para kryesisht punon me çështjet e mjedisit dhe me fëmijët romë, ndërsa e dyta ofron mësimin e gjuhës angleze për fëmijë dhe të rritur, dhe mban punëtori kreative për fëmijë.

Veneta Salihu, 17 vjeçare, e cila merret me punë vullnetare që nga viti 2015, kalon së paku një ditë të javës duke u marrë me aktivitete vullnetare në organizatën „Toka“, me shpresën, siç thotë që t’i sjellë sa më shumë levërdi komunitetit.

“Vullnetarizmi është bërë pjesë e imja tashmë, sepse gjithmonë ndihem mirë kur e di se kam bërë dikë të lumtur. Ndoshta për mua është vetëm një periodë e caktuar e kohës, por vepra ime do mbetet në duart e komunitetit tim gjithmonë”, shprehet Veneta.

Në një anketë të realizuar nga KosovaLive me grupmoshat 18-40 vjeç, vetëm 37.4% prej tyre kishin njohuri sipërfaqësore sa i përket punës vullnetare që bëhet në Kosovë. 39.4% e tyre kanë qenë së paku një herë pjesë e ndonjë organizate vullnetare. Fushat më me interes për punë vullnetare ishin arsimi me 65.7 për qind dhe të drejtat e njeriut me 49.5 për qind. Për 54.5 për qind prej tyre vullnetarizmi ishte aktivitet bamirës, kurse 17.2 për qind mendojnë se vullnetarizmi është një mundësi e mirë edhe për të promovuar veten.

DIELLZA IMERI me Valdete Përvetica, Arta Dreshaj, Ziza Krasniqi

 

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.