Vrasjet e zhdukjet e gazetarëve, të humbura në vallen vërdallë të përgjegjësisë

KOSOVALIVE – korrik 2018“Kanë kaluar 20 vjet nga fillimi i vargut të vrasjeve, kidnapimeve dhe ‘zhdukjeve’ të 14 gazetarëve serbë dhe shqiptarë në Kosovë, e askush nuk ka dalë para drejtësisë për këto krime të kryera mes viteve 1998 dhe 2005”…

 Kështu, pos tjerash, shkruan në Rezolutën rreth hetimeve mbi vrasjen e gazetarëve, që nga fillimi i muajit qershor unanimisht u miratua në Kuvendin e Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ) të mbajtur në Lisabon. Rezolutën e paraqitën Unioni i Gazetarëve të Serbisë (UNS), Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë (NUNS), Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS)  dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Sindikata e Gazetarëve të Serbisë.

Sipas informatave që i kanë mbledhur asociacionet e gazetarëve në Serbi dhe në Kosovë, në periudhën prej vitit 1998 deri më vitin 2005 janë vrarë tetë gazetarë dhe punëtorë medial shqiptarë dhe dy gazetarë serbë, e si të “zhdukur” figurojnë pesë gazetarë serbë. Në ndërkohë është zgjidhur vetëm rasti i Shaban Hotit, të vrarë më 1998, pasi kishte udhëhequr ekipin e televizionit shtetëror rus. Që nga ajo kohë janë të hapura katërmbëdhjetë raste.

Cila është arsyeja që edhe pas gati dy dekadave kryesit e këtyre krimeve gjenden në liri.

Budimir Ninčić nga Unioni i Gazetarëve të Serbisë thotë se problemi më i madh është se në Kosovë ekzistojnë më shumë sisteme apo struktura të sigurisë që janë marrë me këto raste.

“Në fillim kemi pasur UNMIK-un, pastaj UNMIK ia kaloi këtë EULEX-it, pastaj EULEX-i tani prokurorisë vendore, dhe tash çdonjëri ia hedh përgjegjësinë tjerëve. EULEX-in UNMIK-ut se UNMIK-u nuk i ka dorëzuar të gjitha të dhënat, prokuroria e Kosovës EULEX-it dhe UNMIK-ut – se nuk i ka kryer me kohë hetimet, atëherë kur kanë ndodhur ato vrasje dhe kidnapime, kështu që sillemi vërdallë në një valle ku çdonjëri ia hedh fajin tjerëve”, thotë Ninčić.

Misioni i OSBE-së në Kosovë viteve të fundit fuqishëm angazhohet për zbulimin e kryesve të krimeve ndaj gazetarëve kosovarë. Kreu i këtij Misioni, Jan Braathu, rikujton se edhe para UNMIK dhe EULEX-it, pra më 1998, ka ekzistuar një “regjim krejtësisht tjetër”, i cili poashtu nuk kishte kurrfarë rezultatesh në hetime. Pas kësaj distance kohore ai konsideron se Prokuroria e Kosovës do të ketë një detyrë shumë të vështirë:

“Mendoj se ka vullnet që të punohet në këtë drejtim. Ata nuk thonë se këto raste janë të mbyllura, janë të hapur dhe duan t’I hetojnë. Por, poashtu duhet të kuptojmë kufizimet praktike, që do të ndikonin në cilindo rast të prokurorisë në cilindo vend të botës, pas aq shumë viteve”, thotë Braathu.

Se hetimet kanë qenë sipërfaqësore, flasin edhe të dhënat se në disa raste të vrasjeve kanë ekzistuar edhe dëshmitarët, por edhe se rastet pas një kohe janë “zhdukur”.

Bajrush Morina, ish-drejtor i gazetës “Bota Sot”, botimi për Kosovën, e afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës të të ndjerit kryetar Ibrahim Rugova, thotë se pos bashkëpunëtorit të tij, Xhemajl Mustafa, të vrarë në vitin 2000, fatin e njëjtë më 2001 e përjetoi edhe korrespodenti nga Skenderaj, Bekim Kastrati, e gazetari Bardhyl Ajeti më 2005. Në rastin e Ajetit ishin dy dëshmitarë, automekanikë që e tërhoqën automjetin e prishur të Ajetit.

“Pra, ata kanë qenë aty në momentin e vrasjes. E kanë parë veturën pa tabelë, BMW ngjyrë të zezë nga e cila është shtënë dhe kanë parë se automjeti i Bardhyl-it e ka humbur drejtimin. Pra, ata kanë dhënë dëshmi në polici, por pastaj edhe dëshmia edhe dëshmitarët janë ‘zhdukur’”, thotë Morina.

Sipas informatave të Unionit të Gazetarëve të Serbisë, gazetarit të Radio Prishtinës, Marjan Melonashi, pas hyrjes në një taksi ngjyrë portokalli, më vitin 2002, i humbet çdo gjurmë, e hetimet hapen vetëm më 2005.

“Rasti tjetër – gazetari ynë Aleksandar Simović, i cili është zhdukur më 1999, pas ardhjes së forcave ndërkombëtare në Kosovë, në një kafiteri në qendër të Prishtinës, flet se askush nga të pranishmit, madje as dëshmitarë e rrëmbyes potencial, nuk është marrë në pyetje. Asgjë nuk është hetuar, edhe pse aty kanë qenë dëshmitarët, të cilët përmenden në atë raport. Askush nuk është marrë në pyetje, asgjë nuk është hetuar. Ai është rrëmbyer dhe pas një viti mbetjet e tij mortore janë gjetur në një fshat afër Drenasit. UNMIK-u sipërfaqësisht i ka kryer krejt ato hetime dhe kështu vazhdon edhe sot”, thotë Ninčić.

Dega e Unionit të Gazetarëve të Serbisë me vite kërkon hetime efikase rreth dy kolegëve të tyre, Đuro Slavuj dhe Slavko Perinić, të cilët janë “zhdukur” mes Rahovecit dhe Hoçës së Madhe. Gjashtë herë është dëmtuar dhe hequr pllaka memoriale e vendosur në vendin e zhdukjes, në të cilën në gjuhën serbe dhe shqipe shkruan: “Këtu, më 21 gusht 1998, janë rrëmbyer kolegët tanë, po i kërkojmë”. Në muajin maj të këtij viti është vendosur një pllakë e re.

“Ne, në këtë mënyrë, të them kështu, luftojmë dhe i rikujtojmë autoritetet se asnjëherë nuk do të heqim dorë përderisa nuk marrim përgjigjen se ku janë kolegët tanë dhe se kush është përgjegjës për rrëmbimin e tyre, meqë ata atje nuk kanë qenë as me armë e as me uniformë, nuk kanë pasur diktafon, fletore dhe e kanë kryer punën e tyre,” ka deklaruar Ninčić.

Kreu i OSBE-së, Jan Braathu poashtu ishte i pranishëm gjatë vendosjes së pllakës memoriale, të shtatës me radhë.

“Së pari, ata gazetarë nuk do të duhej të harroheshin. Familjet e tyre kanë të drejtë të marrin informata rreth asaj se çfarë u ka ndodhur, ku janë mbetjet mortare të tyre, dhe natyrisht shpresojmë se kryesit do të identifikohen dhe ndiqen penalisht”, thotë Ninčić.

Bajrush Morina, sot drejtor i medias online “BotaPress” thotë se gazetarët e së përditshmes “Bota Sot” pas vitit 1999 kanë qenë përherë të kërcënuar, se janë përcjellur nga individët e panjohur dhe se madje është dashur të angazhojnë përcjellje të armatosur. Ai thotë se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi institucionale për kolegët e tij, por se nuk është optimist se prokuroria kosovare mund të arrijë ndonjë rezultat.

“E keqja më e madhe është se kjo politikë i ka ‘përzier gishtat’ në drejtësi dhe duket se politika është pjesë përbërëse e këtij krimi të organizuar. Ose elementet e politikës në Kosovë janë të përzier në forma të ndryshme të krimit të organizuar. Për këtë arsye politika pengon dhe deri më tash i ka penguar hetimet. Ngase, mund të ndodh që të mos zbulohet një apo dy vrasje, por është e pakuptimtë se absolutisht të mos zbulohet asnjë prej shumë vrasjeve të pasluftës…”, thotë Morina.

Edhe Budimir Ninčić konsideron se nuk ekziston mbështetja politike për zbulimin e rasteve të gazetarëve të vrarë e të zhdukur, por se do të insistojë në zbulimin e identetitit të vrasësve dhe rrëmbyesve:

“…Nëse ata vazhdojnë të mbesin të panjohur, kjo u dërgon një porosi shumë të keqe sulmuesve dhe rrëmbyesve dhe vrasësve potencial, dhe se gjahu ndaj gazetarëve është i lejuar, se gazetarin çdokush mund ta rrahë, ta vrasë, ta kidnapojë dhe se për këtë nuk do të përgjigjet”, thotë Ninčić.

Kreu u OSBE-së, Jan Braathu thotë se për hetime më efikase është shumë qenësore mbështetja politike dhe se presidenti Hashim Thaçi është politikani i vetëm nga ndonjë komunitet etnik në Kosovë që i ka dhënë mbështetje të hapur përpjekjeve për shqyrtimin e rasteve të gazetarëve të vrarë e të zhdukur, dhe madje ka propozuar ndarjen e mjeteve për shqyrtimin e këtyre rasteve.

“…Kjo nuk është një gjë e natyrës etnike, por e veprave penale të kryera ndaj gazetarëve të cilët e kanë kryer punën e tyre”, thotë Braathu.

Braathu thotë se po punohet edhe në themelimin e Komisionit për gazetarët e zhdukur e të vrarë në Kosovë, dhe se në këtë drejtim është angazhuar botuesi Veran Matić, i cili ishte në krye apo kishte marrë pjesë në komisionet e ngjashme në Serbi dhe Mal të Zi.

“Detyra e parë do të jetë të shikohen të gjitha dokumentet gjyqësore në dispozicion, raportet mbi rastet. Po ashtu, të paraqiten kërkesat për marrjen e informatave nga organet e pushtetit. Këto kërkesas mund t’ju dërgohen zyrtarëve dhe organizatave ndërkombëtare në Kosovë, por edhe në Serbi. Do të shohim, ende është herët, ne nuk e dijmë se çfarë do të jetë rezultati përfundimtar,” ka deklaruar kreu i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.

Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi pohon se nga 14 raste të gazetarëve të vrarë e të zhdukur, aktualisht hetimet po zhvillohen në shtatë raste, se tre janë në procesin e “pranim-dorëzimit” nga EULEX-i, se një rast është mbyllur, ndërkohë që për tri raste nuk kanë informata.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.