Verifikimi i veteranëve, proces që s’po i shihet fundi

Mediat kosovare pohojnë se javën që shkoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë ndërprerë komunikimin me ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Rustem Berishën, për shkak të akuzave të Prokurorisë Speciale të Kosovës të lidhura me, siç pohohet, manipulimet me listat e veteranëve të Ushtirsë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Mirëpo, në një përgjigje mediave, Ambasada Amerikane në Prishtinë nuk i ka konfirmuar e as nuk i ka hedhur poshtë këto pohime.

“Ambasada mbetet e përkushtuar bashkëpunimit afatgjatë me Ministrinë e Forcave të Sigurisë së Kosovës, në mënyrë që të sigurojë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikanë në Prishtinë, të cilën e transmetuan mediat kosovare.

Lidhur me pohimet se SHBA-të kanë vendosur embargo në takimet me ministrin e Forcave të Sigurisë të Kosovës, nuk është prononcuar ministri Berisha, mirëpo as njëri prej zëvendësve të tij, Agim Çeku, për të cilin një pjesë e mediave pohon se SHBA-të e kanë ndërprerë çdo komunikim edhe me të.

Është indikative që as Rrustem Berisha e as Agim Çeku nuk ishin në delegacionin e Kosovës, që nga fundi i shtatorit vizitoi SHBA-të, me ç’rast Ramush Haradinaj u takua edhe me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, kur është hapur edhe çështja e transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës. Por, pjesë e delegacionit ishte, po ashtu zëvendësi i ministrit, Burim Ramadani.

Megjithatë, Fatmir Xhelili, anëtar i Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe mbikëqyrje të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se “në rast se SHBA-të vendosin vijën e kuqe, ai do të paraqiste dorëheqje, në mënyrë që të mos jetë pengesë për zhvillimin e procesit”.

Nryshe, kur bëhet fjalë për “listat e rrejshme të veteranëve të UÇK-së” janë ngritur aktakuza kundër 12 zyrtarëve, përfshirë edhe ministrin e FSK, Rrustem Berisha, sikur edhe kundër zëvendësit të tij, Agim Çeku.

Xhelili thotë se nuk e di se kush është përgjegjës për listat e rrejshme të veteranëve – ata që kanë dhënë dëshmi të rrejshme apo ata që i kanë praanuar këto dëshmi të rrejshme.

“Gjithsesi, vet ministri duhet ta shqyrtojë pozicionin e tij, meqë ai e di më së miri nëse ka faj në këtë proces”, thotë Xhelili.

Problemi i “listës së rrejshme të veteranëve të luftës” sërish është aktualizuar pas dorëheqjes së prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, i cili i udhëhiqte hetimet, dhe i cili akuzoi Kryeprokurorin, Aleksandër Lumezi për përzirerje dhe frikësim, gjatë trajtimit të keqpërdorimeve në procesin e verifikimit të veteranëve të rrejshëm. Prokurori shtetëror Lumezi, nga ana tjetër, ka hedhur poshtë pohimin se ka intervenuar, apo kërcënuar Blakajn.

Elez Blakaj, i cili shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës menjëherë pas paraqitjes së dorëheqjes në postin e prokurorit, në një letër të hapur pohonte se janë diku rreth 19 mijë individë që mund të konsiderohen veteranë të rrejshëm të luftës.

Se sa është numri i vërtetë i atyre që meritojnë privilegjet e veteranëve të njëmendtë të luftës, ende nuk dihet, por supozimet sillen prej 13 deri gati 60 mijë.

Kështu, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte përfaqësues politik i UÇK-së, thotë se nuk kishte më shumë se 15 mijë persona që do të mund të ishin veteranë, ndërkohë që, për shembull kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se vetëm, në rajonin perëndimor të Kosovës (Deçan, Istog, Pejë, Gjakovë…) kishte mbi 60 mijë persona që drejtpërdrejtë morën pjesë në konfliktin e aramtosur nga fundi i viteve ’90-ta.

Shkumbin Demaliaj, ish anëtar i Komisionit qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të veteranit, konsideron se Ligji aktual për Veteranët nuk i precizon kriteret për fitimin e statusit të veteranit dhe se këto mangësi në Ligj i shfrytëzuan shumë kategori të tjera.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, konsideron se pas problemit të veteranëve të rrejshëm para se gjithash qëndron politika, për, si vlerëson ai – votave zgjedhore. Ai është i sigurt se në procesin e verifikimit të veteranëve, kishte keqpërdorime dhe “blerje” të dëshmitarëve.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës gjatë ngritjes së aktakuzës kundër 12 zyrtarëve kosovarë për shkak të keqpërdorimit të postit zyrtar në procesin e verifikimit të statusit të veteranëve të ish-UÇK-së, ka propozuar edhe masën e ndalesës së pagesës së pensioneve përderisa nuk zgjidhjet problemi i veteranëve të rrejshëm. Mirëpo, këtë rekomandim nuk e kanë marrë parasysh institucionet kompetente kosovare.

Ndryshe, është vërtetuar se për shtatë muaj janë ndarë mbi 68 milionë euro për pensionet e 46 mijë veteranëve të luftës, në mesin e të cilëve janë edhe mija të “rrejshëm”.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.