Vazhdon mjegullia rreth idesë për korrigjimin e kufijve

David Philips, këshilltari i kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi në dialogun rreth Serbisë dhe Kosovës në Bruksel, para disa ditësh paraqiti dorëheqje nga ky funksion, me arsyetimin se nuk mund të marrë pjesë në planin e propozuar për ndarjen e Kosovës, që sipas tij, ka “mangësi strategjike”, dhe ngase një ide e tillë është thellësisht në kundërshtimin me qëndrimet e tij.

Në dorëheqjen ai theksoi se kishte pranuar rolin këshilldhënës me shpresë se një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit do të arrihej përmes forcimit të pushtetit, forcimit të sundimit të ligjit dhe forcimit të presioneve të bashkësisë ndërkombëtare mbi Serbinë për të pranuar Kosovën si “shtet sovran dhe të pavarur brenda kufijve të tij”.

Philips konstatoi se disa në institucionet e Kosovës ndjekin një rrugë tjetër, meqë pranojnë korrigjimin e kufijve.

“Besoj se ndarja apo korrigjimi i kufijve është një marrëveshje e keqe, që nuk do të normalizojë raportet me Serbinë ose që Kosova të jetë në pozitë të marrë më shumë njohje në nivelin global”, e ka shprehur qëndrimin e tij në dorëheqje, Philips.

Sipas tij, korrigjimi i kufijve paraqet “mashtrimin historik të popullit të Kosovës”, se një ide e tillë është potencialisht e rrezikshme dhe destabilizuese dhe mund të çojë drejt dhunës.

Kabineti i kryetarit të Kosovës nuk e ka komentuar dorëheqjen e këshilltarit David Philips, por mediat kosovare transmetojnë deklaratën e kryetarit Hashim Thaçi në të cilën thuhet se nga presidenti i Francës, Emanuel Macron kishte marrë mbështetje për arritjen së më të shpejtë të marrëveshjes së obligueshme ligjore mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Presidenti Macron fuqimisht mbështet dialogun e Kosovës me Serbinë dhe mundësinë që marrëveshja të arrihet sa më shpejtë që është e mundur, idealisht brenda një kohe të shkurtër dhe me mundësinë reale për korrigjimin e kufijve”, kishte deklaruar Thaçi.

Kjo, sipas tij, nënkupton përfshirjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit brenda kufijve të Kosovës.

Ai ka theksuar se një zgjidhje e tillë do “t’ia hapte Kosovës perspektivën e sigurt euro-atlantike”, se nuk “do të merrte parasysh përkufizimet në baza të përkatësisë etnike”, por do të mbante “multietnicitetin në Kosovë dhe perspektivën e ndërtimit të demokracisë qytetare në vend”.

Në një intervistë për televizionin francez “France 24”, kryetari Hashim Thaçi kishte deklaruar se mosarritjja e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë mbi korrigjimin e kufijve, mund të rrezikonte ndarjen e Kosovës apo formimin e Asociacionit të Komunave Serbe me shumicë serbe, që do të thoshte “Republika Srpska-n”.

“Korrigjimi i kufijve nuk është ide që do të duhej të përfaqësoj, por është aktuale, pas konfliktit shekullor, pas negociatave të panumërta, mundësi e vetme për aritjen e një zgjidhjeje racionale, paqësore dhe të pranueshme për të dy palët”, ka deklaruar Thaçi për TV “France 24”.

Ai ka shtuar se nëse Kosova dhe Serbia pajtohen rreth çështjes së kufijve, askush nuk ka arsye që këtë ta kundërshtojë.

Revista amerikane “Foreign Affairs”, në artikullim e titullar “Ndryshimi i kufijve u ndihmon politikanëve, jo qytetarëve”, para se gjithash theksohet se është e paqartë idea rreth këmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, se ajo nuk është e pranueshme dhe se është shokuese.

“Dëshira kryesore e serbëve dhe shqiptarëve, pak a shumë, është si të jetohet me bashkëkombasit e tyre, ashtu si supozojnë ideatorët e idesë së propozuar. Ky supozim shitet përmes skemës fundamentale për tërë Ballkanin: nacionalizmin”, konkludon revista me renome “Foreign Affairs”.

Dhe ndërkohë që kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić i porosit Prishtinës zyrtare që të mos flas rreth Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, dhe që të bisedojë rreth mundësisë së arritjen e kompromisit, që do të siguronte normalizimin afagjatë të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, ambasadori norvegjez Arne Sanes Bjornstad konsideron se ende është e mundur gjetja e një zgjidhjeje për Kosovën dhe thekson se të gjithë e kanë të qartë se Serbia në këtë kompromis duhet të fitojë diç.

“Varet nga të dy palët që të gjendet një zgjidhje rreth të cilës mund të merren vesh, dhe që mund të marrë legjitimitet demokratik. Dhe, shpejtësia nuk është më e rendësishmja, por gjetja e një zgjidhjeje stabile dhe e qëndrueshme”, konsideron Bjornstad.

Ndryshe, në raportin e progresit të Serbisë për Parlamentin Evropian, është përfshirë amandamenti në të cilin përmendet përkufizimi mes Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, ky amandament, theksojnë analistët, nuk e jep edhe mendimin e drejtpëdrejtë rreth idesë së korrigjimit të mundshëm të kufijve në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, por se është marrë “në dijeni” diskutimi që po zhvillohet rreth korrigjimit të mundshëm të kufijve”. Ky amandament nuk përjashton asnjë zgjidhje “që plotëson kushtet që janë parashtruar në mënyrë të qartë”.

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi ka vështirësi për sigurimin e mbështetjes së partnerëve të koalicionit në Qeverinë e Kosovës, e sidomos të opozitës, rreth hapjes së dialogut për “korrigjimin e kufijve” me Serbinë. “Lëvizja Vetëvendosje” para dy javësh organizoi protestë masovike në Prishtinë dhe paralajmëroi se do të vazhdojë me to nëse kryetari Thaçi nuk heq dorë nga insistimi për “korrigjimin e kufijve”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kundërshton idenë e Thaçit, duke theksuar se çfarëdo përpjekjeje për ndryshimin apo korrigjimin e kufijve “çon në luftë”.

Është interesante deklarata e kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vučić që e transmetoi RTS.

“Kam konstatuar se populli praktikisht thotë se e tërë Kosova duhet të ketë kufijtë në Jarinje dhe Bërnjak. Nëse populli thotë kështu, ç’duhet të bëj, nuk mund të jem kundër vullnetit të popullit dhe duhet ta respektoj dëshirën e tyre”, ka deklaruar mes tjerash kryetari i Serbisë.

Thaçi, megjithatë, thotë se deri në pranverën e vitit të ardhshëm, para zgjedhjeve për Parlamentin Evropain, do të duhej arritur marrëveshja mbi zgjidhjen e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës.

Siç deklaroi, marrëveshja do të duhej të përfshinte njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dhe se në rast të ndryshimit të kufijve, Kosova do të mbetet shtet multietnik ku do të respektohen të drejtat e serbëve të Kosovës.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

“Ky projekt është financuar me grantin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Pikëpamjet, qëndrimet e përfundimet ose supozimet që janë përfshirë këtu janë të autorit(orëve) dhe domosdoshmërisht nuk shprehin qëndrimet e Stejt Departamentit”.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.