00:00:00
22 Mar

Vazhdojnë paqartësitë rreth fazës përfundimtare të negociatave

Analistët kosovarë konsiderojnë se takimi i djeshëm i ekipit të Qeverisë për negociata me Serbinë dhe me ndërmjetësen në dialogun e Brukselit, Federica Mogherini si rezultat kishte disa porosi, mirëpo edhe vet takimi nuk qartësoi procesin e dialogut dhe se edhe tutje vazhdojnë paqartësitë në fazën përfundimtare të negociatave.

Një qëndrim të tillë e ka edhe analisti, Faton Abdullahu i cili thotë se edhe krahas ekipit negociator të formuar, ende nuk është e qartë kush përfaqëson dhe si përfaqëson Kosovën, çfarë është forca politike e atyre që përfaqësojnë Kosovën dhe çfarë ndikimi ka në Kosovë, gjegjësisht se shkuarja e ekipit negociator në Bruksel nuk jep përgjigje në këto pyetje.

Në debatin në televizionin Klan Kosova, filozofi Ismail Trasholli konsideron se edhe pse dialogu do të zhvillohet në Bruksel, në këtë proces është shumë i rëndësishëm roli i shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Tensionet dhe paqartësitë e përcjellin në çdo hap procesin e dialogut – trekëndëshi i krijuar brenda Kosovës, presidenti, delegacioni dhe opozita të cilët nuk duan të marrin pjesë në dialog. Nuk e mendoj se do të arrijnë pritjet tona se çfarë i kemi ose çfarë i kemi deleguar. Situata është pak ma komplekse, Brukseli është vetëm një pjesë. Pjesa kryesore është Shtëpia e Bardhë. Kur të flet ajo shtëpi mund të ndodhë ndryshimi i konspiracionit të dialogut”, thotë Trasholli.

Analisti Valon Sula konsideron se takimi i djeshëm në Bruksel si rezultat pati tri porosi të lidhura me dialogun.

“Mesazhi numër një ka qenë që gjashtëmujori është koha që duhet të kryhet marrëveshja. Së dyti nuk ka kohë dhe duhet të hiqet taksa 100%. Dhe e treta, për BE-në është problem të ketë ndarje në vija etnike, por nuk ka problem nëse ndodhë ndonjë korrigjim i kufirit”, konsideron Syla.

Ekipi dhjetë anëtarësh negociator, për të parën herë në këtë përbërje, dje në Bruksel është takuar me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europain, Federica Mogherini, e Shpend Ahmeti nga Partia Socialdemokrate e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate, që e kanë udhëhequr këtë ekip, pas takimit kanë deklaruar se Brukseli zyrtar pranon marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, nëse ajo është në harmoni me vlerat europiane.

“Për BE-në është e papranueshme një zgjidhje e cila e ndan Kosovën në vija etnike. Pozicioni i BE-së është një marrëveshje që është e pranueshme për të dyja palët, nëse është në përputhje me vlerat ndërkombëtare. BE-ja nuk përkrah shtete etnikisht të pastra”, ka thënë Ahmeti.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini ka shfrytëzuar edhe këtë rast të kërkojë tërheqjen e vendimit për tarifën 100 për qind në importin e produkteve nga Serbia në Kosovë, meqë ky është kushti i Beogradit zyrtar për vazhdimin e dialogut. Mirëpo, Fatmir Limaj u ka deklaruar gazetarëve se në takimin me Mogherini-n është theksuar se vendimi mbi taksat do të tërhiqet pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, që nënkupton njohjen e ndërsjellë, gjegjësisht njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Për BE-në është e papranueshme një zgjidhje e cila e ndan Kosovën në vija etnike. Pozicioni i BE-së është një marrëveshje që është e pranueshme për të dyja palët, nëse është në përputhje me vlerat ndërkombëtare. BE-ja nuk përkrah shtete etnikisht të pastra”, ka thënë Ahmeti.

Fatmir Limaj ka komentuar edhe deklaratën e kryetarit, Hashim Thaçi, i cili në një intervistë pohonte se meritat për vënien e taksave në produktet nga Serbia, janë të zëvendës kryeministrit Enver Hoxhaj dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të dytë pjesëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Vendimet shtetërore janë vendime shtetërore. Nuk ka vendime e propozime individuale. Qeveria e ka një kryeministër, e ka një qeveri, një koalicion. Politikat i bën koalicioni, vendimet i merr Qeveria”, tha Limaj për “Gazetën Express”.

Edhe pse Ahmeti dhe Limaj pas takimit kanë deklaruar se janë të kënaqur dhe se Mogherini ka theksuar se BE nuk mund të caktojë kush do të udhëheqë negociatat me Serbinë dhe anasjelltas, gjegjësisht se edhe se ftesa për kryetarin e Kosovës duhet të dërgohet në adresë të ekipit negociator, shefi i grupit të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti në profilin e tij në Facebook, ka theksuar se përfaqësimi i Kosovës në Bruksel kurrë nuk ka qenë më i keq, pa legjitimitet dhe me premisa që të bëjë edhe më shumë dëm.

“Ky ekip negociator, me përfshirjen e PSD-së, është thjeshtë dekor për të maskuar mungesën e legjitimitetit të Koalicionit PAN. Në këtë format si është, ky ekip nuk ka fuqi të marrë vendime apo të kundërshtojë, dhe as të punojë unik. Rrjedhimisht, nuk mund të mbrojë interesat tona. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që një delegacion i Kosovës të shkojë në Bruksel me qëllime kaq të paqarta dhe enigmatike sa ky ekip ‘negociator dekorues’”, ka shkruar Hoti.

LDK dhe Lëvizje Vetëvendosje kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, me arsyetimin se Qeveria aktuale nuk e ka shumicën në parlamentin kosovar. Edhe Limaj edhe thonë se nga kryetari ende nuk kanë marrë dokumentacionin e lidhur me procesin e deritashëm të dialogut, të cilin ua ka premtuar, e për dallim nga Limaj, Ahmeti konsideron edhe Hashim Thaçi nuk është i obliguar që t’i informojë për atë se çfarë kishte biseduar me ambasadorin amerikan Richard Grenell në Berlin, nga fundi i vitit të kaluar. Në intervistën për The Washington Post, Thaçi pos tjerash ka thënë se i kishte premtuar Grenell-it heqjen e taksave në produktet nga Serbia, në mënyrë që të mund të vazhdojë dialogu me Beogradin zyrtar.

Propozimi mbi definimin e kufijve, si një nga zgjidhjet përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse të marrëdhënieve me Serbinë, me të cilën nga fundi i vitit të kaluar kryetari i Kosovës e kishte njoftuar opinionin publik vendor, thuajse nuk ka mbështetje në Kosovë, por as mbështetjen e gjerë në bashkësinë ndërkombëtare.

Eksperti për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer në një intervistë për gazetën beogradase “Blic” ka deklaruar se është e mundur të zgjidhen çështjet mes Kosovës dhe Serbisë dhe se krejt varet nga vullneti politik i të dy palëve, por se duket se korrigjimi i kufijve më nuk është në tryezë si opcion.

“Duket se Vuçiq nuk dëshiron t’i japë Thaçit atë që ai ka nevojë, por gjithashtu duket se as Thaçi nuk dëshiron që t’i japë Vuçiqit atë që ai dëshiron dhe që i nevojitet për shkëmbim territorial (të popullatës). Sipas mendimit tim, kjo është e mirë, sepse shkëmbimi i territoreve është një ide e keqe, kurse idetë e këqija janë zombie, nuk vdesin, por duke lëvizur kërkojnë ndonjë politikan, diplomat ose profesor karrierën e të cilit mund ta shkatërrojnë”, tha Serwer.

Analistët kosovar nuk e përjashtojnë mundësinë që Thaçi dhe Vučić deri më tash të kenë biseduar shumë herë, madje edhe të kenë nënshkruar ndonjë draft marrëveshje mbi definimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, si zgjidhje përfundimtare të marrëdhënieve mes dy vendeve, por Daniel Serwer thekson se thuajse është e pamundur të parashikohet nëse dy palët do të mund të arrinin në ndonjë zgjidhje me marrëveshje gjatë këtij viti.

 “Është e pamundur të parashikohet nëse do të vendosin ta zgjidhin këtë çështje brenda këtij viti. Duket se Prishtina është më e padurueshme se Beogradi për ta bërë këtë, por unë shpresoj se kjo do të ndryshojë, pasi po bëhet e qartë se një zgjidhje e hershme është shumë më e mirë sesa pritja për anëtarësim në BE, kur të gjitha levat do të jenë me ata që e kanë njohur Kosovën”, tha Serwer.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.