Uganda vendos taksa për përdorimin e rrjeteve sociale

Presidenti i Uganda-s Yoweri Museveni e ka mbështetur taksën e shtetit për media sociale, duke thënë se ugandasit po i përdornin këto platforma për “të gënjyer”, dhe për të shpenzuar paratë e shtetit në taksa të kompanive të huaja telefonike.

Në muajin maj, parlamenti e kaloi ligjin për taksa i cili kërkon një pagesë prej 200 shilinga (0.05 dollarë) në ditë për t`u qasur në një varg shërbimesh online.

Platformat të cilat janë identifikuar nga shërbimi i të ardhurave nga taksat e shtetit janë Facebook, Twitter, WhatsApp, Google Hangouts, YouTube, Skype, Yahoo Messenger dhe shumë të tjera.

Taksa, e mbledhur nga ofruesit e shërbimeve të internetit, që nga 1 korriku është e barasvlefshme me atë që ugandasit paguajnë për pakot e tyre telefonike.

Në një deklaratë në Twitter, Museveni i përshkroi mediat sociale si “luks nga ata të cilët janë duke u kënaqur me veten apo ata që kanë qëllime të këqija… të gjitha arsyet morale janë në favor të asaj takse.”

Përdoruesit ugandas të mediave sociale, tha ai, ishin “duke u dhuruar para pafund kompanive të huaja telefonike duke biseduar apo edhe duke gënjyer”.

Kompanitë më të mëdha telefonike janë pronë e grupit MTN Group nga Afrika Jugore dhe Bharti Airtel nga India, por edhe kompanitë tjera më të vogla janë kryesisht në pronësi të të huajve.

Përdoruesit e telefonave thonë se kjo është e padrejtë dhe e kufizon lirinë e shprehjes.

“Taksa është fyerje për ugandasit… ne veçse blejmë pako të cilave qeveria u vendos taksa, pse duhet të paguajmë sërish këtë shumë për qeverinë për t`u qasur në këto platforma?” tha Dickens Kamugisha, punëtor bamirës në Kampala.

“Dhe në çfarëdo rasti këto tani janë kanale bazike komunikimi të cilat njerëzit i përdorin për të komunikuar me të dashurit e tyre, për të komunikuar me shokë, socializim dhe mobilizim qytetar… taksa e reflekton shkallën më të lartë të lakmisë”.

Amnesty International i ka bërë thirrje qeverisë javën e kaluar që ta heqë taksën, të cilën e quajti si përpjekje të maskuar për t`i rritur të ardhurat.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.