Tolerancë zero për rrezikimin e lirisë së shprehjes

TV Telma – korrik 2018 – Gazetari Pavle Belovski në tetor të vitit 2016 ishte sulmuar tre minuta para kuçjes direkte në lajmet e Televizionit Telma. Një person i panjohur fillimisht tentoi ta provokonte me kualifikime politike, e më pastaj nisi ta shqelmonte e ta grushtonte.

“Më ofendonte, më sulmonte verbalisht, e pastaj më sulmoi edhe fizikisht. Pata blana në kokë, porse ato s’mund të vëreheshin nga flokët. Pata blana dhe hematoma, që tashmë përbën vepër penale të dhunës”, thotë gazetari i Televizionit Telma, Pavle Belovski.

Vetëm këto ditë, gati dy vjet pas sulmit, Belovski mori ftesën për gjyq dhe këtë në Gjyqin për kundërvajtjte në Shkup, meqë fletëkallëzimi i paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme është për kundërvajtje, e jo për vepër penale. Personi që e sulmoi Belovski-n ndiqet në dy baza sipas Ligjit për kundërvajtje: së pari, ishte nën ndikimin e alkoolit, dhe së dyti, kishte kryer kundërvajtje ndaj rendit dhe qetësisë publike.

Avokatët me të cilët u konsultua Belovski konsiderojnë se në sulmin ndaj reporterit të TV Telma ka elemente të veprës penale, ndërkohë që sipas vlerësimit të policisë, sulmuesi i cili e ka rrahur gazetarin në vendin e punës ishte paksa i dehur dhe bënte zhurmë.

“Me punëdhënësin tim. Televizionin Telma kemi biseduar, jemi këshilluar me avokat. Ka elemente të veprës penale për të cilën parashihet edhe dënimi me burg. Por, policia kishte vendosur ta ndiqte këtë sulmues me dy fletëkallëzime për kundërvajtje në bazë të Ligjit mbi prishjen e rendit dhe qetësisë publike. Gjyqi në tërësi e ka pranuar atë që ka paraqitur MPB në fletëkallëzim, dhe ai do të përballet me një dënim prej 600 deri 800 eurosh”, thotë Belovski.

Sulmi ndodhi mu para ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë. Belovski nuk ka kurrfarë vërejtjesh në reagimin e policisë. Thotë se ata reaguan menjëherë dhe se sulmuesi ishte paraburgosur. Por, policia nuk kishte parë dhunë në këtë sulm. Që sulmuesi të përgjigjet për dhunë, gazetari është dashur të paraqeste një padi private, mirëpo reporteri i Telma-s konsideron se dhuna ndaj gazetarëve duhet të ndiqet sipas detyrës zyrtare.

“Definitivisht, nëse dikush do të përgjigjej penalisht, kjo do të kishte efekt shumë më të madh për zbrapsjen e dhunuesve. Për shkak se dhunuesit duhet të procesohen penalisht”, konsideron Pavle Belovski.

Sulmi ndaj Belovski-it hyn në statistikën për periudhën 2013-2017 në të cilën janë regjistruar 47 fletëkallëzime.
për sulme fizike ndaj gazetarëve, për rrezikimin e sigurisë apo kërcënimin e tyre.

Kjo ishte në kohën e qeverisjes së VMRO DPMNE të Nikola Gurevski-t. Tani, qeveria e re e Lidhjes SocialDemokratike të Maqedonisë (SDSM) pohon se nuk do të tolerojë sulmet, shantazhet, presionet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.

“Qëndrimi I Qeverisë është tolerancë zero për çfarëdo tentimi të rrezikimit të lirisë së shtypit dhe shprehjes. Çdo sulm ndaj përfaqësuesve të mediave do të dënohet në mënyrë më të ashpër dhe do të sanksionohet”, thotë ministri për Komunikm dhe Transparencë i Maqedonisë, Robert Popovski.

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Oliver Spasovski thotë se që nga ardhja e qeverisë së re, nga mesi i vitit 2017, deri më sot janë regjistruar 12 sulme ndaj gazetarëve, prej të cilave vetëm një mbetet i pasqaruar.

“Duhet të keni parasysh se MPB është vendosmëria e MPB që “praktika” e deritashme, gjegjësisht dukuria e imponuar shoqërore shkaku i së cilës me vite jemi kritikuar nga shumë institucione e asociacione relevante ndërkombëtare e vendore, të anulohet”, thotë Oliver Spasovski.

Mirëpo, athua gazetari Belovski u beson ministrave kur flasin për tolerancën zero kur është fjala për sulmet ndaj gazetarëve?

“Kur ata thotë ‘zero tolerancë’ supozoj se mendojnë në një denim të shpejtë verbal, e jo në procesimin e veprës. Që të ketë zero tolerancë duhet të dëshmohet në praktikë se tri elementet bazë të veprës penale duhet të procesuohen.”, thotë Belovski.

Pavle Belovski do të duhej të paraqitej në Gjyq më 27 shtator dhe të përballet me personin që e kishte sulmuar gati dy vite më parë. Satisfaksion i rëndësishëm për të është se përgjegjësit e shtetit aktualisht janë më shumë të angazhuar në parandalimin e sulmeve ndaj cilitdo gazetar, ndërkohë që dënimi që do ta merr sulmuesi i tij është në planin e dytë.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.