00:00:00
17 Jan

Teknologjia është bërë “më e errët” në vitin 2018

Në një intervistë, Margrethe Vestager, komisionerja e konkurencës në BE, ka kritikuar gjigantët e teknologjisë për keqpërdorimin e të dhënave dhe për dështimin në respektimin e të drejtave të qytetarëve.

Rregullat e reja të BE rreth asaj se çfarë mund të bëhet me të dhënat ofrojnë një lloj mbrojtjeje, tha ajo. Por ajo shtoi se nevoja për veprime të përbashkëta po bëhej gjithnjë e më e ngutshme.
“Gjatë këtyre 12 muajve marrëdhënia jonë me teknologjinë është bërë më e errët dhe më e përbaltur sepse është bërë tepër e qartë që të gjitha potencialet pozitive të teknologjisë janë në rrezik të errësohen nga keqpërdorimi i forcuar i të dhënave, manipulimi, mbikëqyrja, mosrespekti për qytetarin, mosrespekti për të drejtat individuale”, tha ajo.

Skandalet e vitit të kaluar kanë përfshirë:

Facebook-ut i është dashur të kërkojë falje që ka lejuar të mblidhen detajet e 87 milionë përdoruesve, shumë prej të cilave janë marrë nga konsulenca politike Cambridge Analytica.
Twitter, Facebook dhe Youtube janë përballur me prova se platformat e tyre janë përdorur nga Rusia dhe vende të tjera për të manipuluar votuesit në perëndim.
BE dënoi Google me një rekord prej 4.3 miliardë dollarësh për përdorimin e Android për të mbrojtur ilegalisht dominimin e saj në kërkim.

Veprimet e kompanive teknologjike kanë ndryshuar këndvështrimet se si industria mund të ndikojë te njerëzit dhe në shoqëri. Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave të BE-së, e cila hyri në fuqi në maj të vitit 2018, u dha njerëzve të drejta të reja të privatësisë dhe më shumë kontroll mbi të dhënat e tyre, por duhej më shumë punë, tha Vestager.

Megjithatë, ajo u shpreh optimiste për të ardhmen. “Një gjë për të cilën kam shpresa gjatë dhjetë viteve të ardhshme është që të kemi një mënyrë shumë më transparente për t’u marrë me të dhënat dhe për të ofruar qasje në të dhëna”, tha ajo.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.