Të varfërit e Kenisë trajnohen për Inteligjencë Artificiale

Disa kompani po i mësojnë të rinjtë e lagjeve të varfëra keniane si të punojnë me inteligjencën artificiale. Një ndër ta është edhe Brenda, një nënë e vetme 26 vjeçare e cila jeton në Kibera, lagjja më e madhe e Afrikës dhe mbase lagjja më e vështirë në tokë, ku qindra mijëra njerëz jetojnë në një hapësirë jo më të madhe se parku Hyde i Londrës.
Çdo ditë Brenda udhëton për në anën lindore të Nairobit ku ajo, bashkë me më shumë se 1,000 kolegë në të njëjtën ndërtesë, punojnë shumë në një anë të inteligjencës artificiale për të cilën dëgjojmë pak e shohim edhe më pak.
Në ndërrimin e saj tetë-orësh, ajo krijon të dhëna trajnimesh. Informacione – fotografi, më së shpeshti – të përgatitura në një mënyrë që kompjuterët mund ta kuptojnë.
Brenda e ngarkon një fotografi, dhe pastaj e përdor miun për të gjurmuar rreth gjithçkaje. Njerëzit, veturat, shenjat e komunikacionit, vijat në rrugë – madje edhe qiellin, duke specifikuar se a është me re apo i kthjellët. Duke futur miliona fotografi të tilla në një sistem të inteligjencës artificiale do të thotë që një veturë që vozitë vetë, mund të fillojë t`i “njohë” objektet në botën reale. Sa më shumë të dhëna, aq më e mençur supozohet të jetë makina.
Ajo dhe kolegët e saj ulen afër – shpesh shumë afër – ekraneve të tyre, duke i zmadhuar fotografitë për t`u siguruar se as edhe një piksel i vetëm nuk është etiketuar gabimisht. Puna e tyre kontrollohet nga mbikëqyrësi, i cili e kthen nëse nuk është si duhet. Për trajnerët më të shpejtë dhe më të saktë, ipet nderi i vendosjes së emrit në shumë ekrane televizive rreth zyrës. Dhe shpërblimi më i famshëm: kupona për blerje.
“Bën diçka të veçantë,” tha Brenda. “Me punën që po bëj, besoj se po punoj për diçka që do t`i ndihmojë dikujt në të ardhmen.”
Brenda punon për Samasource, ndër klientët e së cilës janë Google, Microsoft, Salesforce dhe Yahoo.
Më herët trajnimet ofroheshin falas, por për shkak të zhurmës së madhe dhe mungesës së koncentrimit, pjesëmarrësit duhet ta paguajnë kursin 500 shilinga keniane – rreth 5 dollarë, shumë që është mjaft për njerëzit që jetojnë në varfëri.