00:00:00
22 Feb

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dje, është takuar, disa herë, me krerët e institucioneve të Kosovës, e tema e diskutimeve ishte mundësia e suspendimit të taksës në importin e produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina (BeH), me iniciativën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut në Bruksel dhe arritjes eventuale të marrëveshjes përfundimtare dhe gjithpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett gjatë ditës së djeshme, krerëve kosovarë u ka dorëzuar personalisht letrën, të cilën e nënshkruan zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit, Matthew Palmer, zëvendës-ndihmës sekretarja e Mbrotjes, Laura Cooper dhe drejtori i përgjithshëm për Çështje Europiane e Këshillit Kombëtar për Siguri, John Ert, në të cilin, mes tjerash, theksohet se përderisa Qeveria e Kosovës të mos e suspendojë vendimin mbi taksat nuk mund të pritet që marrëdhëniet mes Kosovës të kthehen në nivelin e lakmueshëm të mëparshëm.

“Pasi që pamë që kërkesat tona për të pezulluar taksën, nuk u morën parasysh, kemi vendosur të ndërmarrim hapa që do të shfaqin shqetësimin tonë, përfshirë këtu edhe partneritetin në fushën e sigurisë. Fillimisht, kemi vendosur të anulojmë vizitën e planifikuar të Gjeneralit Orr nga Garda Kombëtare e Iowa-s, në Kosovë. Vizita e tij kishte për qëllim të përqëndrohej në bashkëpunim bilateral në fushën e sigurisë. Duke pasur parasysh veprimet e padobishme të qeverisë tuaj, do të ishte e pavend që një vizitë e tillë të ndodhte. Do të shikojmë me kujdes aspektet e tjera të bashkëpunimit tonë dhe do të shqyrtojmë nëse edhe ato do të pakësohen/shkurtohen”, theksohet në letrën e zyrtarëve amerikanë.

Në vazhdimin e letrës theksohet se Kosova nuk ka mik më të mirë se SHBA-të dhe se me mijëra diplomatë dhe ushtarë amerikanë u angazhuan në përpjekjet e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës.

“Është e pabesueshme që pas gjithë çfarë kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët sa të injorojë këshillat tona. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të gatshme të ndihmojnë Kosovën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizuese me Serbinë, e cila do të përqëndrohej në njohje reciproke, gjë që do të ishte e implementueshme, jetëgjatë dhe në të mirë të të dyja palëve”, shkruan në këtë letër.

Pas takimit me ambasadorin amerikan, Kosnett, kryeministri Haradinaj ka përsëritur se vendimi për taksat nuk është marrë kundër SHBA-ve e as kundër dialogut.

“I lus vendimmarrësit në Amerikë që të na kuptojnë se nuk mundem me ju nënshtrua më Serbisë, që Serbia me ba hajgare me njeh me njohjet, me ba hajgare kur na nuk anëtarësohemi në Interpol, dhe Serbisë që sulmon familjarët e pjesëtarëve të FSK-së”, tha Haradinaj.

Për Forcën e Sigurisë të Kosovës dje kanë folur edhe ministrat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, e sekretari i përgjithsëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se disa aleatë të NATO-s janë të dëshpëruar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vënien e taksave në produktet nga Serbia dhe BeH. Stoltenberg po ashtu kërkoi që të respektohet Marrëveshja e Brukselit, e arritur më 2013, sipas së cilës Forca e Sigurisë e Kosovës nuk mund të hyjë ne veri të Kosovës pa lejen e komandantit të KFOR-it.

Kryeministri Haradinaj, ndërkaq, kishte përgjigje edhe për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s.

“Ne i kemi ofruar NATO-s një protokoll të ri, më nuk ka veri e jug, është një Kosovë, duhet ta kuptojmë të gjithë, edhe presidenti edhe unë edhe të gjithë. Nuk ka më specifike a është veri a jug, Kosova nuk është e interesuar me krijuar doktrinë me qit ushtrinë kundër popullit të saj”, tha Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës dje nuk e kurseu as Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europain (BE) dhe ndërmjetësen në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Federica Mogherini, për të cilën tha se me qëndrimet e saj në dialogun me Serbinë është ”rradhitur mes armiqve të Kosovës”. 

“Suksesi i Kosovës nuk është i lidhur me dinamikën e zonjës Mogherini, as me agjendën për dialog. Askush nuk mund të jetë më i padobishëm për Kosovën se Mogherini. Ajo ka devijuar diskutimin. Në vend që të flitet për marrëveshje me Serbinë për njohje, ajo e ka devijuar diskutimin në territore dhe kufij. Ajo është armike e vendit tim”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj për Ora News.

Megjithatë, kërkesë për pezullimin e taksës në importin e produkteve nga Serbia dhe BeH, dje kanë paraqitur edhe zyrtarët gjermanë.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të aplikuar taksën 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është një shkelje e qartë e CEFTA-s dhe e marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit. Unë i bëj thirrje Qeverisë në Prishtinë që ta anulojnë këtë vendim në mënyrë që, shpresoj, që dialogu të vazhdojë”, ka thënë deputeti gjerman dhe Raportuesi për Serbi në Parlamentin Europian, David McAllister, duke shtuar se pa heqjen e taksës nuk mund të arrihet marrëveshja ligjerësisht obligative.

 “Unë e kuptoj se të dyja palët kanë shqetësime, e kuptoj se nuk është e lehtë, por gjithashtu dua të theksoj se dy presidentët Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi e kanë ngritur dialogun në nivelin e ri”, ka thënë McAllister, i cili konsiderohet si njeri i besueshëm i Merkelit në Parlamentin Evropian, përcjell lajmi.net.

Qëndrimin e fortë të Ramush Haradinajt që taksat mos të hiqen apo suspendohen përderisa Serbia të mos ta ketë njohur Kosovës, e kanë kritikuar përfaqësuesit e opozitës, por edhe koalicionit qeverisës si dhe vet kryetari i Kosovës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri konsideron se askush nuk ka të drejtë të luajë me miqësinë dhe partneritetin me SHBA, shtetin që na shpëtoi nga zhbërja. 

“Me këta që po qeverisin po rrezikohet qenia jonë. Qytetarët nuk janë me ju. Kosova veç me qytetarët e saj dhe SHBA-në mund të ec përpara”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Edhe deputeti i “Aleternativës, Ilir Deda në emisionin “Pressing” në televizionin T7 ka shprehur qëndrimin se kryeministri Haradinaj përkohësisht duhet të pezullojë taksën në produktet nga Serbia, e kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se kurrë nuk ka menduar se Kosova do të ishte në pozicionin që raportet e saj me SHBA-të të vihen në pyetje.

“Kosova nuk duhet të jetë ajo që krijon pengesa në procesin e dialogut. Besoj se në ditët dhe javët e ardhme do të gjendet një zgjidhje kreative”, ka thënë Thaçi, duke folur për kërkesën që ka bërë SHBA që taksa të pezullohet. Asnjë dëm në raport me Serbinë nuk e justifikon dëmtimin e raportit me SHBA-në”, ka deklaruar Thaçi për Radio Televizionin Albania.

Në ndërkohë, ekipi kosovar për dialog me Serbinë në Bruksel, ka paralajmëruar se Draft platforma për dialogun me Serbinë do t’u jepet për miratim deputetëve të Kuvendit të Kosovës të premten.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.