00:00:00
22 Feb

Taksa edhe tutje pengesë për vazhdimin eventual të dialogut

Anulimi i vizitës së komandantit të Gardës Kombëtare të Ajovas, general majorit Timothy Orr në Kosovë, me rastin e 11 vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe mundësia që Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) të mos i marrë automjetet në vlerë 12 milionë dollarë, donacion ky i ushtrisë amerikane për FSK, nuk e ka lëvizur as për një pëllëmbë qëndrimin e kryeministrit Ramush Haradinaj që të shqyrtojë mundësinë e suspendimit të taksës 100 për qind në importin e produkteve serbe, me qëllim të hapjes së rrugës për dialog me Serbinë. Arsyeja tjetër për shkak të të cilës Haradinaj do të duhej në fakt ta shqyrtonte vendimin e Qeverisë, që është marrë në fillim të nëntorit të kaluar, siç pohojnë vetë përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), është interesi strategjik i SHBA-ve.

Garda Kombëtare e Ajovës ka bashkëpunim shumëvjeçar me Forcën e Sigurisë të Kosovës në kuadër të Programit mbi partneritetin shtetëror nga viti 2011.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama ka deklaruar për Radio Europa e Lirë se vetëm vitin e kaluar pati mbi 110 aktivitete të përbashkëta në fusha të ndryshme.

“Kemi parë përparim brenda institucionit tonë, zhvillim profesional, këmbim të përvojave, dhe dhënie të mbështetjes. Programi ekzistues i partneritetit është shumë i rendësishëm për ne, sidomos në këtë kohë, pasi janë votuar ligjet dhe pasi forcat e kanë marrë misionin e ri”, ka deklaruar Rama.

Ndërprerjen e mundshme të bashkëpunimit me Forcën e Sigurisë së Kosovës e ka përmendur presidenti amerikan, Donald Trump në letrën dërguar para do kohësh në adresë të kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, pos tjerash, kërkon suspendimin e taksës në importin e produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, në mënyrë që t’i jepet rasti dialogut me Serbinë.

Analisti Ilir Ibrahimi ka deklaruar për Radio Europa e Lirë se vendimi mbi vënien e taksës në produktet nga Serbia ishte potez politik dhe se ai e kishte arritur qëllimin.

“E ka arritur mesazhin që Kosova ka mundësi të marrë vendime të tilla të mëdha dhe pezullimi nuk do të thotë heqje e taksës. Pezullimi do të thotë për një kohë të caktuar sepse dialogu është interes strategjik amerikan dhe nuk mund të marrim hapa që e pengojnë këtë dialog. Nëse taksa është duke penguar, atëherë pezullimi i saj i hapë rrugë dialogut dhe ne ndihemi në linjë me interesat strategjike amerikane dhe vënia në linjë me interesat strategjike amerikane është edhe interes strategjik i Kosovës”, tha Ibrahimi.

Profesori i drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë se pret që institucionet kosovare të gjejnë shpejtë një zgjidhje për suspendimin e taksës.

“Mendoj se këto janë shenjat e para shumë serioze të dhëna nga Qeveria amerikane. Prandaj mendoj se mbi bazën e këtyre refleksioneve duhet që edhe ne të kemi përgjigjen tonë, përgjigjen e duhur. Nuk besoj shumë në prishjen e raporteve, prishjen përfundimtare, sepse jam shumë i bindur që lidershipi aktual dhe kushdo në Kosovë e dinë dhe e ka parasysh rëndësinë e raporteve të Kosovës me SHBA-në, prandaj unë besoj shumë se do të gjendet një zgjidhje e do të ruhet miqësia me SHBA-në, pa të cilën vërtetë është e paimagjinueshme ecja e Kosovës përpara”, deklaroi Hoti.

Gjatë ditës së djeshme dy herë radhazi janë takuar kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e në bisedë morën pjesë edhe disa anëtarë të ekipit qeveritar për dialog me Serbinë. Siç është njoftuar opionioni publik, tema e bisedës ishte platforma për dialogun me Serbinë, që do të duhej të gjendej para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga fundi i kësaj jave.

Rreth tërheqjes apo suspendimit të mundshëm të taksës që Qeveria e Kosovës ka vënë në importin e produkteve nga Serbia, dje nuk pati fjalë, e eksperti për të drejtën europiane, profesori Blerim Burjani konsideron se SHBA-të dhe Bashkimi Europian (BE) dalëngadalë po e humbin durimin dhe se kjo nuk është e mirë për Kosovën.

Sipas Burjanit, nëse Haradinaj nuk dëshiron t’i tërheq taksat, këtë me mandatin e tij mund ta bëjë parlamenti, e kjo do të ishte zgjidhje e mirë edhe për Haradinajn. Në të kundërtën, sipas tij, mund të ndodh rikonstruktimi i qeverisë, ku ai pret se Kadri Veseli të bëhet kryeministër.

Në ndërkohë, kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar në Deçan se ai që dëshiron t’i lëvizë kufijtë e Kosovës është armik i Kosovës.

Duke aluduar në deklaratat e kryetarit të Kosovës se marrëdhëniet me Serbinë mund të zgjidhen me korrigjimin e kufijve, Haradinaj ka thënë se nëse hapen kufijtë e kësaj Kosove, do të hapen varrezat e atyre që i kujtojmë sot, do të hapen plagët dhe do të shkaktohet dhembje.

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi vjet për të parën herë ka përmendur korrigjimin e kufijve me Serbinë, e në debatin në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme në Uashington, Thaçi ka deklaruar se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të përfshijë edhe “korrigjimin e lehtë” të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Njëra nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë… kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë. Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhej të ishte e pranueshme”, është shprehur ndër të tjera Thaçi.

Analisti politik Ramush Tahiri ka vlerësuar se procesi i dialogut lidhet ngushtë me mospajtimet e brendshme politike në Kosovë.

“Ka mospajtim të spektrit politik në vend. Kjo tregon se nuk janë në nivel të detyrës, nuk e kuptojnë rëndësinë e dialogut, nuk janë të përgatitur dhe e shfrytëzojnë pashpirtërisht këtë çështje për interesa personale”, ka deklaruar Tahiri.

Megjithatë, derisa ekipi kosovar përgatitë platformën për dialog me Serbinë, ka pak gjasa që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ta përmbush kushtet e vëna nga Serbia për vazhdimin e tij dhe të anulojë vendimin mbi vënien e taksës në importin e mallrave serbe. Në këtë  kontekst nuk është e sigurt nëse dhe kur do të vazhdojë dialogu në Bruksel.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.