00:00:00
23 Mar

Sundimi i fuqishëm i ligjit përbën tërheqjen e investimeve

Sundimi më i fuqishëm i ligjit, një ekonomi më funksionale e tregut si dhe tregtia e papenguar rajonale përbëjnë shtegun e Kosovës për tërheqjen e investimeve amerikane dhe investimeve të tjera të huaja. Këto ishin konkluzionet kyçe të takimit të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett, me udhëheqësinë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Ambasadori Kosnett i tha Bordit të Guvernatorëve dhe drejtorit ekzekutiv të Odës Amerikane se Ambasada është e lumtur të dëgjojë se prioritetet e saj për paqe, drejtësi dhe prosperitet janë edhe prioritete të qytetarëve të Kosovës gjithashtu.

Ambasadori Kosnett teksoi se Ambasada e SHBA përkrah Odën Amerikane në adresimin e çështjeve të sipërcekura, si dhe në kultivimin e bashkëpunimit ndërkufitar me Odat e tjera Amerikane në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, informoi ambasadorin për prioritetet kyçe të Bordit, të cilat përfshijnë adresimin e çështjeve të lidhura me pasigurinë politike, popullizmin ekonomik, fuqizimin ekonomik të gruas, masat që duhen ndërmarrë për tërheqjen e investimeve të huaja, sundimin e ligjit, korrupsionin dhe zbatimin e kontratave.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, foli rreth aktiviteteve të organizatës që synojnë adresimin e çështjeve të sipërcekura dhe përmirësimin e prospekteve të Kosovës për më shumë investime amerikane. Anëtarët e Bordit të Guvernatorëve prezantuan aspektet që ata i konsiderojnë si prioritete ekonomike për vendin, duke theksuar nevojën për më shumë dialog ndërmjet sektorit publik dhe privat.

Të gjithë pjesëmarrësit e takimit konkluduan se të gjitha çështjet me të cilat përballen investitorët e huaj dhe sektori privat në përgjithësi duhen zgjidhur përmes dialogut konsistent ndërmjet përfaqësuesve të sektorit publik dhe privat.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.