00:00:00
22 Feb

Statuti i “Trepçës“ edhe një pengesë vazhdimit të dialogut

Miratimi i Statutit mbi Kombinatin Metalurgjik “Trepça”, nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, duket se edhe më e ka larguar Kosovën dhe Serbinë nga Brukseli dhe dialogu, për ripërtëritjen e shpejtë të të cilit po angazhohen Bashkimi Europian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Vazhdimin e dialogut po e kushtëzon Serbia me heqjen e taksës 100 për qind në importin e produkteve nga Serbia, të cilin e ka miratuar Qeveria e Kosovës, ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përgjigjet se kjo do të ndodh kur Serbia ta ketë njohur Kosovën. Në kërkimin e një zgjidhjeje të brendshme kompromisi përbrenda koalicionit qeverisës, në mënyrë që të zhbllokohet dialogu i ngrirë në Bruksel, me miratimin e Statutit për Kombinatin “Trepça” duket se Serbia ka vënë edhe një kusht.

Në takimin e djeshëm me ambasadorin britanik në Beograd, Denis Keefe, kryetari i Serbisë, Aleksandar Vučić ka theksuar se ngecja në dialog mund të kapërcehet me heqjen e taksave në produktet serbe dhe me “ndërprerjen e provokimeve, siç është Ligji mbi Statusin e Kombinatit Metalurgjik ‘Trepça'”, duke pohuar se bëhet fjalë për “grabitjen e pronës serbe”.

Në “kushtin e ri” të Serbisë për vazhdimin e dialogut, ka reaguar lideri i Partisë Socialdemokrate të Kosovës dhe njëri prej krerëve të ekipit kosovar për dialogun në Bruksel, Shpend Ahmeti, i cili në profilin e tij në Facebook, mes tjerash, ka shkruar se Serbia nuk mundet në asnjë mënyrë të shfrytëzojë dialogun për të mohuar Republikën e Kosovës dhe sovranitetin e saj institucional.

 “Një gjë Vuçiqi dhe gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë: Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, që i merr vendimet në mënyrë demokratike e sipas procedurave institucionale. Vuçiqi mund të mendojë çfarë të dojë për Kosovën, por mendimet e tij nuk kanë kurrfarë peshe juridike. Rrjedhimisht është duke humbur kohë. Vendimet e tilla edhe mund t’i prishin plan atij. Por prapë kjo nuk është dhe nuk mund të jetë brengë e Kosovës”, ka shkruar ai.

Ai po ashtu ka shtuar se Kosova është e gatshme për dialog dhe se në këtë kontekst është përgatitur i tërë dokumentacioni i domosdoshëm dhe se tani mbetet që Serbia të vendos nëse do të jetë pjesë e dialogut, qëllimi i të cilit është zgjidhja e çështjeve të hapura me Serbinë, siç janë njohja dhe pranimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Nenad Rikalo nga “Lista Srpska”, të cilin kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj para disa ditësh e ka “liruar nga posti” i ministrit për Bujqësi, pos tjerash ka deklaruar se serbët në Kosovë edhe tutje do të luftojnë për Ujëmanin, Brezovicën dhe Kombinatin “Trepça”.

Iniciativa qytetare “Sloboda, demokratija, pravda”, nga Qeveria e Serbisë ka kërkuar ndërmarrjen e të gjitha masave për t’i ndihmuar Bordit të Kombinatit “Trepča Sever” (“Trepça Veri”), ku janë të punësuar mbi tre mijë punëtorë, gjegjësisht të mos lejojë “konfiskimin e pronës shtetërore të Serbisë” e drejtori gjenerali i kësaj pjese të Kombinatit “Trepça”, Jovan Dimkić ka deklaruar se nuk do të pranojë Statutin mbi “Trepçën”, të miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Drejtori i ashtuquajturës “Zyres për Kosovë e Metohi” në Qeverinë e Serbisë,  Marko Đurić ka thënë se Statuti i miratuar është i papranueshëm për Serbinë.

“Për këtë arsye ua tërheq vërejtjen të gjithëve në bashkësinë ndërkombëtare dhe u dërgoj një porosi të qartë se zbatimi i një statuti të tillë grotesk, me të cilin grabitet ‘Trepça’, do të kishte pasoja po ashtu të dëmshme për dialogun sikur edhe vënia e taksave. Këto nuk janë kushtet në të cilat mund të bisedohet”, ka thënë Đurić në një konferencë shtypi, duke porositur se nuk duhet “luajtur me zjarr”.

Për dallim nga zyrtarët serbë, zyrtarët kosovarë janë të kënaqur me miratimin e Statutit mbi Kombinatin “Trepça”, e kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se ky Statut i jep “Trepçës” legjitimitetin e nevojshëm për të operuar me të gjitha kapacitetet e saj, duke e rikthyer atë në funksion të plotë të ekonomisë së vendit, të shtetit të Kosovës dhe të minatorëve.

Ministri për Zhvillim Ekonomik, Valdrin Lluka në profilin e tij në Facebook ka shkruar se Statuti i miratuar mundëson zbatimin e Ligjit mbi “Trepçën” , të cilin deputetët e miratuan më 2016.

 “Miratimi i statutit të ndërmarrjes i hapë rrugë perspektivës zhvillimore të ‘Trepçës’ si dhe bënë të mundur fillimin e investimeve vendore dhe të huaja, duke rritur vlerën e aseteve dhe duke përmirësuar teknologjinë, të cilat do të mundësojnë që ‘Trepçën’ t’a rikthejmë në një nga gjigantet kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit tonë, njëkohësisht duke përmirësuar mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik”, ka shkruar Lluka.

Ministri Lluka po ashtu ka deklaruar se Statuti mundëson regjistrimin formal administrativ të “Trepçës” si Shoqëri Aksionare, pastaj kompletimin e Bordit Mbikëqyrës siç parashihet me Ligjin mbi “Trepçën”, zgjedhjen dhe emërimin e Bordit Menaxhues si dhe fillimin e investimeve siç parashihet me ligjin mbi “Trepçën”.

Jovan Dimkić, nga ana tjetër, thotë se Ligjin mbi “Trepçën”, të miratuar më 2016 në Kuvendin e Kosovës, Serbia e ka shpallur të pavlefshëm dhe nuk do ta zbatojë.

„Nuk do të pranojmë zbatimin e këtij ligji. Ne nuk mendojmë se duhet dhënë menaxhimin me pjesën tonë të  ’Trepçës’  dikujt tjetër që brenda natës ka shpallur se është pronar i 80 ose 90 ose 100 për qind të aksioneve,“ ka thënë Dimkić.

Ndryshe, në xeheroret e “Trepçës” ka ari, argjend dhe metale të rralla, e vlerësohet se rezervat e përgjithshme të plumbit dhe zinkut janë diku rreth 4 e 5 milionë tonë, derisa të linjitit mes 13 e 15 miliardë tonë.

Zyrtarët serb thonë se çështja e pronësisë nuk është e zgjidhur dhe se i ashtuquajturi Fond për Zhvillim është pronar i 55 për qind të aksioneve, ndërkohë që zyrtarët kosovarë theksojnë se Serbia nuk ka kurrfarë të drejte në pronësinë e shtetit të Kosovës.

Ndryshe, ndaj miratimit të Statutit mbi “Trepçën”, ka reaguar Bashkimi Europian. Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijančić ka deklaruar për agjencinë “Tanjug” se “Trepça” duhet të jetë pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në profilin e  tij në Facebook ka shkruar se kjo tregon se BE e “ka humbur udhën në oborr”.

Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës. Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.