00:00:00
23 Mar

Start-up biznesi si parandalues i migrimit të boshnjakëve të rinj

Forma më e fuqishme e patriotizmit sot është hapja e vendeve të reja të punës, thotë Almedin Fejza, përfaqësuesi i organizatës joqeveritare “Sofra” që promovon dhe nxit punësimin e të rinjve.

Një projekt i kësaj organizate joqeveritare është i lidhur me shtimin e numrit të të punësuarve, para se gjithash të rinjve. Përmes këtij projekti, që financiarisht mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, janë identifikuar 25 të rinj nga komuna e Prizrenit dhe Dragashit që kanë shprehur dëshirë për nisjen e ndonjë lloj biznesi.

Nja dhjetë të rinjë kanë marrë grante në shumë deri 5,000 euro për start-up biznese. Është një ndjenjë e papërshkrueshme kur dikush e nis një veprimtari ekonomike dhe kur hapen vendet e reja të punës, thonë të rinjtë, përfitues të grantit të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Tetëmbëdhjetvjeçarja, Ajša Pajaziti ka vendosur që, për dallim nga moshatarët e saj që në kërkim të një të ardhmeje më të mire e më të sigurt, e braktisën Kosovën, duke marrë udhën drejt vendeve të zhvilluara të Europës Perëndimore, e ka zgjedhur një rrugë tjetër dhe ka siguruar punë fal projektit të OJQ-së “Sofra”.

“Është ndjenjë e mrekullueshme dhe kënaqësi të gjesh punë dhe ta gjesh edhe veten në vendlindje. Sot shumica e të rinjve vendosin ta braktisin vendlindjen e tyre në kërkim të punës. Unë kam vendosur të mbetem këtu. Jam shumë e kënaqur që me punën time vetjake mund të realizoj të ardhura për një jetë komode”, thotë Ajša nga fshati Gërnçarë afër Prizrenit, dhe shton se e ka ndërmend që vitin e ardhshëm ta zgjerojë veprimtarinë e saj të manikires dhe pedikeres dhe të punësojë edhe një person.

Edhe i riu tjetër, Seldin Ademi, i cili ishte vetëm katër vjeëar, kur me familje e kishin kthyer nga Gjermania, ka filluar të prodhojë veshje për mobile.

“Pas trajnimit tre mujor në projektin e organizatës joqeveritare ‘Sofra’ e mora grantin nga departamenti i punësimit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dhe në Lubizhdë të Prizrenit fillova me punimin e veshjeve për lloje të ndryshme të mobilieve. Po ashtu, riparoj edhe shtretër të vjetër, sikur edhe kauçet dyshe-treshe dhe taburetë. Shpresoj se do të fitoj për një jetë komode. Në njëfarë mënyre ua kam plotësuar dëshirën prindërve të cilët e patën vështirë të gjenden në Gjermani”, deklaron me kënaqësi ky tetëmbëdhjetëvjeçar.

Edi Bušati, nga ana tjetër tregon se në tetor të vitit të kaluar vijoi trajnimin tremujor në OJQ “Sofra” nga lëmia e ndërmarrësisë dhe për hartimin e biznes planit.

“Pas kryerjes së trajnimit patëm mundësi që të konkurojmë për grant në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Unë vendosa ta renovoj hostelin ekzistues familjar”, thotë ai.

Realizuesit e projektit theksojnë se me mjaft vështirësi i kishin identifikuar të rinjtë për nisjen e ndonjë biznesi. Kosovarët e rinj, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale dhe etnike, ende i kanë sytë e ktheyr nga vendet e Europës Perëndimore në kërkim të së ardhmes më të mirë. Hulumtimi i kryer tash së voni i organizatës joqeveritare “Relax”, tregon se mbi 70% boshnjakëve të rinj dëshiron ta braktis Kosovën.

Përfaqësuesi i kësaj organizate joqeveritare, Samir Mujo thotë se është e pakuptueshme që shumica e të anketuarve me studimet bazë të kryera ka vendosur që, para se të sprovohet në tregun kosovar të punës, në kërkim të një ardhmeje tjetërfare dhe më të sigurt, niset nga ndonjëri prej shteteve të zhvilluara të Europës Perëndimire. Përkundër nismavce, si kjo e implementuar nga OJQ “Sofra”, migrimi i heshtur i boshnjakëve, kryesisht të rinj, megjithatë ende nuk ka të ndalur.

Radio Astra – Refik Kasi

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.