Sporti universitar merr mbështetje nga Federata Evropiane e Sportit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim në kabinetin e tij Presidentin e Federatës Evropiane të Sportit Universitar, Adam Roczek

Me këtë rast ministri Gashi tha se vizita e Presidentit Adam, është pikërisht në kuadër të shënimit të Javës Evropianë të Sportit  dhe ka  për qëllim për të parë nga afër të arriturat si shtet në infrastrukturën sportive. Sipas tij, është fat i mirë që Kosova ka Federatën e Sporteve Universitare që i mbështet fuqishëm federatat sportive

“Gjatë këtij takimi u konfirmua edhe një herë mbështetja e Federatës Evropiane të Sportit Universitar dhe jemi me fat që tashmë bashkëpunimi me të gjitha Federatat Evropiane po rritet dhe bashkërisht do të rrugëtojmë në fuqizimin e rolit tonë në arenën ndërkombëtare sa i përket aktiviteteve sportive”, përfundoi ministri Gashi.

Ndërkaq Presidentin e Federatës Evropiane të Sportit Universitar, Adam Roczek rikujtoi se Federata është bërë anëtare e 46-të në Evropë me të drejta të plota në EUSA këtë vit pas vendimit të Asamblesë së Përgjithshm. Ai tha gjithashtu se është e rëndësishme të përmendet se studentët nga Kosova që prej shumë viteve marrin pjesë në garat që  organizohenj në ombrellën e EUSA-së.

“Vizita ime ne Kosovë nuk është vetëm një vizitë formale por ne do të kemi këtu në punëtori në mënyrë që të ndihmojmë dhe të këshillojmë si të zhvillojmë sportin në universitetet e Kosovës për përfitimet e studentëve, për të mirën e shoqërisë në Kosovë”, shtoi Adam.

Kryetari i Federatës Kosovare të Sportit Universitar, Musa Selimi, tha se gjatë këtij takimi është diskutuar rreth mundësisë së organizimit të një ngjarje të madhe sportive evropiane në Kosovë dhe se është marr mbështetja që në dy vitet e ardhshme të organizohet një aktivitet.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.