00:00:00
22 Mar

Situata epidemiologjike e fruthit në Kosovë nën kontroll

Kosova radhitet në mesin e vendeve me përqindje të lartë të vaksinimit. Sipas statistikave
zyrtare, rreth 95 për qind e fëmijëve, janë vaksinuar, sukses ky që ka parandaluar epidemitë për 10 sëmundje vaksinë preventabile.

Fruthi, është një nga sëmundjet, që falë vaksinimit, nuk kishte shënuar epidemi në Kosovë.

Por, këtë vit, megjithatë janë shënuar 94 raste raste të fruthit të diagnostikuara në
laboratoret e Institutit Kombëtar. Pjesa dërmuese e rasteve të fruthit janë regjistruar në
komunitetin RAE dhe fëmijët e riatdhesuar që të gjithë të pavaksinuar.

Sipas Programit të Zgjeruar të Vaksinimit, vaksinimi kundër fruthit me vaksinën MMR
është i obliguar me Ligj dhe i nënshtrohen të gjithë fëmijët e moshës 12 muajshe dhe ajo 6
vjeçare me 1 dozë prej 0.5ml. Nëse fëmija nuk është vaksinuar në periudhën kohore të
caktuar, prindi është i obliguar të kompletojë statusin vaksinal të fëmijës sa më parë.

Përjashtim bëjnë vetëm fëmijët që për çfarëdo arsye qoftë kanë kundërindikacion specifik
për vaksinim.
Sëmundja e fruthit karakterizohet me shkallë të lartë të infektueshmërisë andaj edhe
përhapja brenda territorit të caktuar është e shpejtë. Rreziku ndër-shtetëror i importimit të sëmundjes nga vendet fqinje dhe vendet e Europës është permanent pasi që sëmundja
përhapet me ajër.

Viteve të fundit sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fruthi ka “rilindur” në Evropë,
ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007, është trefishuar nga shkaku se nuk janë
vaksinuar me rregull. Në shumë vende të Europës janë regjistruar të sëmurë dhe të vdekur
nga Fruthi.

Organizata Botërore të Shëndetësisë raporton për rritje të shkallës së sëmundshmërisë nga
fruthi në Rajonin e Evropës dhe Ballkanit përfshirë edhe Maqedoninë e cila javën e kaluar
ka shpallur epidemi.

Në Kosovë situata epidemiologjike me fruth është në kontrollë të plotë dhe në mbikëqyrje
permanente nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Duke qenë se jemi në stinën e
ftohtë të dimrit, kur qytetarët mblidhen në dhoma të ngrohta, të paajrosura mundësia e
përhapjes së fruthit rritet, por gjithnjë vetëm te fëmijët e pavaksinuar.

Aktualisht në laboratoret e Institutit Kombëtar nuk ka asnjë rast të izoluar të fruthit.
Të gjithë ata fëmijë të vaksinuar me rregull nuk do të sëmuren nga fruthi!
Instituti Kombëtar në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë ka siguruar doza të
mjaftueshme të vaksinave kundër fruthit dhe sëmundjeve tjera vaksinë preventabile. dhe
po implementon masat parandaluese e kontrolluese.

Përmes aktiviteteve të veçanta, Instituti Kombëtar dhe QKMF-të bashkë me Ministrinë e
Shëndetësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme po tenton të gjejë të gjithë fëmijët e
komunitetit RAE të cilët një numër i tyre janë regjistruar me identitet të ndryshëm në
Kosovë dhe identitet tjetër kur lëvizin në vendet fqinje!

Andaj, apelojmë te të gjithë prindët të cilët për shkaqe të ndryshme nuk i kanë vaksinuar
fëmijët e tyre kundër fruthit por edhe kundër sëmundjeve tjera vaksinë preventabile, të
lajmërohen menjëherë në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familiare në komunat përkatëse
për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve të tyre.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.