Shenjat e rrugëve në Edinburg ndryshohen nga një artist

Një artist “lozonjar” i rrugës ka vënë vulën e tij në shenjat e rrugëve në qendrën e qytetit të Edinburgut.

Shenjat e ndryshuara- përfshirë imazhet e luleve dhe gotave të verës- janë parë në rrugët South St David, Thistle dhe Union.

Sign

Shenjat u ndryshuan nga artisti italian Clet Abraham, puna e të cilit shitet për mijëra paund.

Ekspertët e artit kanë thënë se shpresojnë që Këshilli i Qytetit të Edinburgut, që ka në pronësi shenjat e rrugëve, të mos i shkatërrojë punimet e artit.

Sorcha Carey, drejtoresha e Festivalit të Artit të Edinburgut, tha: “Artisti është shumë i zgjuar në atë që e bën pasi që shenjat mbeten tërësisht funksionale. Ai ka ndërhyrë dhe është  treguar shakatar në to por shenjat janë ende të dukshme. Vozitësit mund t’i lexojnë ende shenjat, janë të lexueshme. Ai nuk e ka spërkatur tërë kanaçen në to dhe prandaj është kaq i suksesshëm”.

“Është e mrekullueshme kur një artist luan me infrastrukturën e qytetit dhe si kjo ndikon te ne”, shtoi ajo. “Na bën të vëmë re gjëra që kanë qenë aty tërë kohën por nuk i kemi parë më parë dhe kjo i bën të dukshme në një mënyrë krejtësisht të re. Është një qasje e mrekullueshme dhe një mënyrë për ta mbajtur pamjen e qytetit gjallë”.

Eksperti i artit Jan Patience shtoi se “Ka shumë interes për këtë lloj të artit të rrugës veçanërisht pasi që Banks e filloi së pari këtë rrugë.  Ky art mbishkrimesh në shenja është rebelues ndaj autoritetit. Janë objektet e rrugës që janë dëmtuar por mendoj se këshilli do t’i zëvendësojë këto shenja në vend se t’i pastrojë”.