00:00:00
22 Feb

SHBA-të e konsiderojnë të mundur marrëveshjen Kosovë-Serbi sivjet

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Këshilin e Sigurimit të OKB-së, Jonathan Cohen ka deklaruar në seancën e djeshme se është e mundur që gjatë vitit 2019 të arrihet marrëveshja gjithpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se për Kosovën kjo do të thotë se duhet pezulluara taksën në importin e produkteve nga Serbia.

Se marrëveshja përfundimtare dhe gjithpërfshirëse me Serbinë mund të arrihet shpejt, konsideron edhe kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai aktualisht gjendet në SHBA ku mori pjesë në Lutjen e Mëngjesit që tradicionalisht organizohet nga presidenti amerikan. Në një intervistë për “Zëri i Amerikës”, Thaçi ka deklaruar se procesi i korrigjimit të kufijve është kryer me Malin e Zi dhe me Maqedoninë.

“Ka pasur trazira, ka pasur probleme, gaz lotsjellës, ka pasur demonstrime, dërgime të mesazheve jo të mira për shtetin e Kosovës në botë por në fund të gjithë janë bindur se marrëveshja ka qenë e drejtë dhe e saktë. Në të njëjtën kohë, ne që kemi një kufi, një territor me Serbinë rreth 410 kilometra, duhet definitivisht ta definojmë para përmbylljes së marrëveshjes apo si kusht për përmbyllje të marrëveshjes për njohjen reciproke. Nuk ka njohje reciproke pa definimin e vijave kufitare”, është shprehur ai.

Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Thaçi mori pjesë edhe në diskutimin në Këshillin për Marrëdhënie Ndërkombëtare, ku foli rreth përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse me Serbinë gjatë këtij viti, e cila do të mundësonte njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Zaten, Thaçi ka theksuar se kjo marrëveshje do t’i mbulonte të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve dhe do të arrihej e do të pranohej nën lidershipin e Bashkimit Europian (BE) dhe se do të përmbyllej “konflikti shekullor”.

Liderët e Kosovës dhe Serbisë , sipas tij, nuk do të mund të mbijetonin në pozicionet e tyre duke akuzuar njëri-tjetrin dhe do të duhej t’i kryenin reformat dhe arrinin zhvillim. Marrëveshja do t’i hapte rrugë bashkëpunimit dhe do të shmangte kthimin në tragjeditë e së kaluarës, tha ai.

Ai ka theksuar se për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ekzistojnë kushtet më të volitshme, meqë komunikimi është shumë më i mirë dhe se në të dy vendet ka liderë që duan ta arrijnë atë marrëveshje. Ai në këtë kontekst përmendi edhe letrat që presidenti amerikan, Donald Trump u dërgoi dy liderëve, duke theksuar se ka indikacione se një marrëveshje të tillë do të mbështeste edhe Rusia.

„Ne në Kosovë duhet të jemi realistë” ka thënë Taçi duke shtuar se duhet diskutuar rreth asaj se çfarë mund të bëjë Kosova si kompromis në këtë proces të arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë. Ai ka shtuar se është e vërtetë se Kosova defitinivisht duhet të definojë ku është kufiri me Serbinë, dhe ka pranuar se në pjesën veriore të Kosovës, në Mitrovicë ka probleme për të cilat duhet gjetur zgjidhje.

Kryetari i Kosovës, Thaçi ka theksuar se edhe pas marrëveshjes gjithpërfshirëse “dy vendet do të mbesdin multietnike” por se në bisedime “nuk ka vija të kuqe” dhe se të drejtat e serbëve në Kosovë dhe të shqiptarëve në Serbi do të jenë të barabarta.

Duke folur rreth parimeve të “korrigjimit të kufijve” ai ka theksuar se nuk ka kurrfarë hartash në tavolinë por edhe se “procesi i demarkacionit” nuk do të jetë i lehtë.

Natyrisht, demarkacioni me Serbinë do të jetë shumë më i komplikuar dhe më i rëndë, meqë nga 410 kilometra të kufivje ka shumë harta që i tregojnë ndryshe kufijtë në pjesë të ndryshme të Kosovës, disa prej të cilave i përdorë edhe NATO, ka thënë ai. 

Thaçi ka shtuar se Kosova deri tash ka paguar mjaft në luftën e saj për pavarësi dhe se në diskutimet rreth marrëveshjes përfundimtare natyrisht se do të merren parasysh territori dhe banorët si dhe mundësitë për zhvillim ekonomik. Ai ka përsëritur se nuk do të ketë kuota sipas vijave etnike dhe as shtete monoetnike.

Sipas tij, resurset në veri të Kosovës, siç janë Liqeni i Ujëmanit dhe Minierat “Trepça” do të mbesin në Kosovë si dhe qyteti i Mitrovicës do të mbesin në Kosovë, “meqë janë në Kosovë dhe do të mbesin në Kosovë”.

Ai ka pranuar mbështetjen e korrigjimeve të vogla apo të imëta në jugun e Serbisë, dhe ka shtuar se ai nuk sheh asgjë të keqe nëse kjo bëhet pjesë e marrëveshjes paqesore.

Hashim Thaçi po ashtu ka deklaruar se me “korrigjimin e lehtë të kufijve” nuk do të krijohej domino efekti, meqë siç theksoi, tashmë kishte biseduar me të gjithë liderët në rajon dhe ata, sipas tij, e kishin mbështetur marrëveshjen që do të arrinin Kosova dhe Serbia.

Presedenca e vetme këtut, sipas tij, do të ishte që dy vende balkanike do të arrin marrëveshje përmes paqes, e jo konfliktit.

Shefi i diplomacisë së Malit të Zi, Srđan Darmanović në një intervistë për “Zëri i Amerikës” deklaroi se vendi i tij mbështet gjithë atë që do të mund të sillte paqe në rajon.

 “Mbështesim çdo dialog mes Serbisë dhe Kosovës. Kemi pasur rezervat tona në raport me parimin e zgjidhjes së problemeve me shkëmbim territoresh, por nëse dy vendet pajtohen, ne vetëm mund ta përshëndesim. Por, duke e njohur Ballkanin Perëndimor, patëm rezervat tona për këtë çështje. Në fund, pavarësisht ndërprerjeve, edhe në Beograd edhe në Prishtinë ka politikanë që kanë treguar se mund të bisedojnë. Rrugë tjetër nuk ka. Neve na konvenon çdo zgjidhje paqësore dhe stabiliteti, ne jemi këtu që të përkrahim sa të mundemi, në përputhje me interesat tona, natyrisht”, ka porositur ministri malazez Darmanović.

Kryetari Thaçi, ndërkaq, për dallim nga një numër vendesh të rajonit, nuk ka mbështetje të gjerë përbrenda spektrit politik kosovar, për idenë rreth çfarëdo definimi, gjegjësisht këmbimi të kufijve me Serbinë.

Ish kryesuesja e ekipit kosovar për dialog me Serbinë, Edita Tahiri ka theksuar se nuk është momenti për procesin e dialogut i cili do të çonte drejt marrëveshjes gjithpërfshirëse me Serbinë, përderisa të mos ndryshojnë disa rrethana.

“Momentalisht kemi njërën anën që kemi z.Thaçi president që promovon idetë serbo-ruse dhe në anën tjetër kemi spektrin institucional që është kundër. Ideja e pavarësisë ka ardhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Askush nuk e kishte besuar që pas 30 vitesh, dikush mund të vinte me ide dhe të vinte në pikëpyetje shtetin e Kosovës, kufijtë e Kosovës që janë të njohur ndërkombëtarisht sepse Gjykata Ndërkombëtare për drejtësi ka njohur pavarësinë’, ka deklaruar Tahiri për emisionin “038”.

Këshilli Drejtues dhe Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në mbledhjen që e drejtoi kryetari i kësaj partie dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj miratoi tri parime bazë të lidhur me procesin e dialogut me Serbinë.

Së pari, se dialogu duhet zhvilluar në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Deklaratën e Pavarësisë së 17 skurtit, së dyti se dialogu me Serbinë duhet udhëhequr pa kurrfarë kushtesh dhe së treti se taksa në importin i produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Idenë e Thaçit që më një lloj definimi të kufirit mund të arrihet marrëveshja gjithpërfshirëse me Serbinë, e vlerëson si “problematike” edhe publicisti Veton Surroi.

“Historiani amator ka të drejtë të jetë injorant. Presidentin e vendit injoranca nuk e mbron nga pasojat juridike dhe politike. Varrezat e Evropës, përfshirë edhe ato në Kosovë, janë përplotë viktima të historianëve amatorë e presidentëve injorantë”, ka shkruar Surroi.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.