Rritja e taksës në import si “qasje proporcionale ndaj Serbisë”

Ditëve të ardhshme do të shihet nëse Qeveria e Kosovës do të heq dorë nga zbatimi i vendimit të saj për rritjen e taksës në importin e produkteve nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina për 10 për qind, gjegjësisht nëse do t‘i nënshtrohet presionit të Bashkimit Evropian (BE) e cila kërkon që një vendim i tillë të tërhiqet.

Maja Kocijančić, zëdhënësja e shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, ka vlerësuar se masat e Prishtinës janë shkelje e qartë e CEFTA-s  (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore) dhe se BE pret që Kosova, e cila aktualisht kryeson me CEFTA-n, t’u përmbahet obligimeve. Ajo po ashtu ka theksuar se një vendim i tillë “dëmton bashkëpunimin rajonal përfshirë edhe ekonominë rajonale dhe nuk është në vijë me parimet e parapara me Marrëvshjen mbi Stabilizim dhe Asociim të BE-së me Kosovën”.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës që për 10 përqind t’i rrisë taksat në mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina (me përjashtim të prodhimeve të kompanive ndërkombëtare që i kanë filialat e tyre në këto vende), e cila menjëherë hyri në fuqi, anash disa toneve kritike, kryesisht ka hasur në reagime pozitive në Kosovë, ndërkohë që në Serbi vetëm në kritika.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se një vendim i tillë është përgjigje ndaj “qasjes armiqësore” që Serbia ka ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Në raste të caktuara nëpër botë kështu i vendosen sanksione vendeve. Serbia qindra miliona euro bën treg në Kosovë. Duhet ta kenë marrë mësimin sot… Janë sanksione ekonomike ato që kemi bërë sot”, është shprehur ai.

Një vendimi të këtillë të Qeverisë, duket se më së shumti i është gëzuar shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli i cili ka deklaruar se ka “filluar” qasja proporcionale ndaj Serbisë dhe se nëse ka nevojë kjo do të “eskalojë”, në mënyrë që Serbia të kuptojë se çdo sjellje e saj negative, e dëmshme dhe kërcënuese në raport me Kosovën, do të ketë çmimin që vet do të paguajë.

“Ka kohë që në të gjitha forumet, në të gjitha takimet, vazhdoj ta shtroj çështjen e sjelljes skandaloze të diplomacisë serbe përkitazi me propagandën dhe lajmet e rreme të regjimit jo demokratik në Serbi. Ka kohë që në vazhdimësi e përsëris që kësaj sjellje skandaloze dhe anti-evropiane të Serbisë do t’i vie fundi dhe se për gjithçka ka një pikë ku durimi prek fundin”, ka deklaruar Pacolli.

Pozitivisht kanë reaguar edhe Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, të cilët konsiderojnë se ky vendim do ta rris prodhimin vendor dhe se kompanitë tregtare mund të importojnë nga vendet e tjera, në mënyrë që qytetarët të mos e ndiejnë mungesën dhe shtrenjtimin e produkteve nga Serbia.

“Institucionet vendore do të kenë presion ndërkombëtar për një vendim të tillë por Serbia asnjëherë nuk ka pasur presion ndërkombëtar të duhur për të respektuar marrëveshjet në raport me Kosovën”, thuhet në komunikatën e AKB-së.

Nga ana tjetër, ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani konsideron se një vendim i tillë mund të zgjas vetëm një javë, e Mimoza Kusari Lila, deputete e partisë Alternativa, konsideron se me një vendim të këtillë Serbia dhe kompanitë serbe nuk do t’i ndiejnë sanksionet e Qeverisë së Kosovës.

“Shumica e kompanive serbe tashmë kanë stoqe në Kosovë, ndërsa rritjen e çmimit prej 10% kur stoqet të mbarojnë, do ta paguajë konsumatori kosovar me rritje 10%. Me fjalë tjera, Qeveria e Kosovës me këtë masë e ndëshkon qytetarin e Kosovës”, është shprehur Kusari.

Në vendimin e Qeverisë së Kosovës ka reaguar ministri serb për Tregti, Turizëm dhe Telekomunikacion, Rasim Ljaić, i cili ka deklaurar se ky vendim praktikisht do të thotë se Marrëveshja CEFTA nuk funksionon, meqë, siç ka theksuar “ky hap drastik do të thotë se institucionet kosovare janë vendosur për një protekcionizëm klasik dhe jo vetëm për barrierat jashtë doganore, por edhe për ato që pengojnë lëvizjen e lirë të mallrave”.

Drejtori i “Zyres për Kosovë e Metohi” pranë Qeverisë së Serbisë, ka porositur se me këtë vendim Prishtina zyrtare bllokon dialogun në Bruksel.

“Dialogu i Brukselit është e pamundur të vazhdojë deri në momentin kur nuk e tërheqin një vendim të tillë kundërligjor”, ka thënë Đurić duke shtuar se ky vendim është “politikisht i papjekur” dhe se e kanë sjellur “njerëzit e frustruar të cilët nuk kurrfarë mënyrë nuk mund t’i realizojnë synimet e tyre politike”.

Ka reaguar edhe ministri i Bosnjë-Hercegovinës, Mirko Šarović, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një rast precedence dhe të papranueshme, por ka shtuar se ende nuk i ka marrë të gjitha detajet e një vendimi të tillë.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës ka deklaruar se vendimi i Qeverisë së Kosovës ka filluar të zbatohet menjëherë dhe se mesatarisht në Kosovë gjatë vitit nga Serbia importohet mallra në vlerë 400 milionë euro, ndërsa nga Bosnjë-Hercegovina në vlerë 80 milionë. Nëse importi i mallrave nga këto vende nuk zvogëlohet, me taksat e reja, buxheti i Kosovës do të ketë 50 milionë euro të ardhura më shumë.

Sipas Endrit Shalës, ministrit aktual të Tregtisë dhe Industrisë, taksa në lartësi 10 për qind do të vlejë për qumësht dhe për prodhime qumështi, molla, material ndërtimor, barna, lëngje, ëmbëlsira, ujë, alkool, duhan, makineri dhe “çdo gjë tjetër që prodhohet në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë”.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj