Rikthehet në kryeqytet konferenca e dizajnit grafik REDO

Ligjërata mbi dizajnin, filma, librari, radio transmetim, bar dhe udhërrëfim në qytet- të gjitha këto do t’i sjellë në kryeqytet REDO, konferenca ndërkombëtare e dizajnit grafik, që fillon sot, më 5 tetor, edicionin e saj të tetë.

Kjo konferencë treditore do të bashkojë në një vend dizajnerët nga e gjithë bota të cilët përmes diskutimeve, punëtorive, librarisë dhe udhërrëfimeve në qytet, do të mund të ofrojnë kontributin e tyre rreth çështjeve dhe praktikave aktuale të dizajnit grafik. Mbi 300 studentë dhe profesionistë nga e gjithë bota, nga shkolla dhe institucione prestigjioze të dizajnit, pritet të marrin pjesë.

Konferenca do të zgjasë deri të dielën dhe si zakonisht do të përshkojë vende të ndryshme. Sot hapja do të bëhet në Kino Armata, nesër në Shtypshkronjën Rilindja ndërsa të dielën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Kjo bëhet në mënyrë që vizitorët ta njohin kryeqytetin sa më shumë. Për ta përmbushur këtë qëllim, me 8 tetor do të ketë edhe një udhërrëfim në qytet, organizuar nga Bekim Leka Ramku i KAF Kosovo Architecture Foundation.

Programi i konferencës është i shumëllojshëm. Filmat do të shfaqen në Kino Armata dhe do të mund të ndiqen nga të gjithë, radiotransmetimi live do të realizohet nga Ja Ja Ja Ne Ne Nee në Bibliotekën Kombëtare, libraria e përkohshme lëvizëse do të ofrojë libra unikë që kanë të bëjnë me dizajn grafik ndërsa do të ketë edhe programe të ndryshme të natës në SOMA, Hamam Jazz Bar dhe në Miqt Pub.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.