Republika Çeke e mbështet Kosovën dhe FSK-në

Zëvendësministri i MFSK-së, Burim Ramadani dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Republikën Çeke.

Zëvendësministri Ramadani dhe gjenerallejtënant Rrahman Rama, janë pritur në Ministrinë e Punëve të Jashtme nga zëvendësministri për Siguri dhe Çështjet Multilaterale, Martin Povejshil dhe zëvendësministri dhe drejtori i Departamentit për Evropën Jugore dhe Juglindore, Martin Koshatka.

Gjatë takimit të përbashkët, zëvendësministri Ramadani i ka informuar zyrtarët e lartë çekë për procesin e transicionit të FSK-së në mandat ushtarak dhe mbrojtjes, duke qartësuar objektivin e Qeverisë së Kosovës dhe procedurat e rregullta parlamentare për këtë proces.

“Procesi i transicionit të FSK-së është legjitim, gradual dhe është transparent, si dhe ndihmon në forcimin e angazhimit të marrëdhënieve në temat e sigurisë e të mbrojtjes midis shteteve në rajon. Kosova synon që të kthehet në ofrues të sigurisë rajonale dhe globale, përmes angazhimit të saj aktive në misione paqeruajtëse nëpër zona të konfliktit kudo nëpër botë, krah për krah me ushtritë e shteteve të NATO-s”, tha Ramadani, duke nënvizuar qëllimin nacional të Kosovës, për anëtarësim në NATO.

Kurse, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, shpjegoi rrjedhën e procesit të transicionit të FSK-së, duke filluar nga zhvillimi i kapaciteteve trajnuese dhe të doktrinës.

“Transicioni i FSK-së do të ketë tri faza të zhvillimit dhe do të realizohet në përputhje me planin afat-gjatë, transparent dhe të koordinuar, në mënyrë që FSK-ja të vazhdojë të jetë institucioni multietnik, profesional dhe model në vend dhe në rajon”, ka thënë ndër të tjera gjenerali Rama.

Ndërsa, zëvendësministri për Siguri dhe Çështjet Multilaterale, Martin Povejshil dhe zëvendësministri dhe drejtori i Departamentit për Evropën Jugore dhe Juglindore, Martin Koshatka kanë shprehur mirëkuptimin e Republikës Çeke, për procesin e transicionit të FSK-së, duke theksuar mbështetjen për thellimin e marrëdhënieve bilaterale.

Vizita në Pragë e delegacionit të FSK-së, realizohet në kuadër të kampanjës informuese për transicionin e FSK-së, aktivitet ky, që ka filluar në pranverë të vitit 2018, dhe do ta vazhdojë edhe në shtetet tjera anëtare të NATO-s.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.