00:00:00
22 Feb

Qeveria miraton vendimin për Qendrën përkujtimore, “Bllaca 1999”

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar në hyrje është informuar dhe ka diskutuar për një varg çështjesh që lidhen me përfshirjen e komunitetit egjiptian në Policinë e Kosovës dhe në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës; për zbatimin e statutit të Shoqërisë Aksionare “Trepça”; për autorizimin e Komisionit Qeveritar për privatizimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës; rregullativën dhe politikat energjetike në Kosovë; dhe për Akomodimin e Protokollit të Shtetit. Kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga ministrat e resorëve përkatës që kanë interferim në këto çështje të përgatisin rekomandime për adresimin dhe zgjidhjen e këtyre çështjeve.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e QendqQErës përkujtimore të gjenocidit kundër qytetarëve të Kosovës “Bllaca 1999”. Kjo koincidon edhe me 20 vjetorin e krizës së refugjatëve kosovarë në Republikën e Maqedonisë, që ka mbetur e regjistruar në kujtesën e qytetarëve të dy vendeve tona. Qendra do të shprehte vuajtjen e popullit të Kosovës dhe zemërgjerësinë e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë në këtë krizë.

Në mbledhje është miratuar vendimi që të lejohet rritja e numrit edhe për tre këshilltarë në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Ministria ka kërkuar angazhimin e këshilltarit për planifikim strategjik dhe koordinim të fondeve të BE-së; këshilltarit për organizatat ndërkombëtare në Kosovë; dhe këshilltarin për marrëdhënie me Bosnjën dhe Hercegovinën.

Me miratimin e vendimeve të veçanta nga Qeveria e Kosovës sipas rekomandimit të Këshillit për emërime të larta, është bërë vazhdimi i mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Administratës Publike, kryeshefit të Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit të Kosovës dhe të drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore.

Kabineti qeveritar ka miratuar Strategjinë e Bashkëpunimit me Shoqërinë Civile 2019-2023. Strategjia është vazhdimësi e strategjisë paraprake 2013-2017, e cila ndërlidhet me Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku qeverisja e mirë dhe transparenca janë parime thelbësore për të kontribuar në zhvillimin e institucioneve për përgjegjësi, llogaridhënie dhe transparencë. Strategjia ka identifikuar katër objektiva strategjik:

· Rritje të pjesëmarrjes së shoqërisë civile në bërjen e politikave;

· Rritja e llogaridhënies dhe transparencës në financimin publik të OSHC-ve;

· Zhvillimi i praktikave dhe procedurave për kontraktim të shërbimeve publike nga OSHC-të; dhe

· Nxitjen e promovimit të vullnetarizmit dhe programeve për interes publik.

Po sot, Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar Fatos Makollin, koordinator nacional për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Me qëllim të mbarëvajtjes së aktiviteteve për shënimin e 11 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 500,000 euro (pesëqind mijë euro).

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marr edhe vendimi për mbështetjen financiare për realizimin e projektit filmik “Lojë jete”, një koproduksion mes ILIRIA FILM dhe produksione amerikane. Filmi do të realizohet në Kosovë dhe në SHBA dhe me pjesëmarrje të aktorëve kosovarë dhe amerikan. Shuma e ndarë për mbështetje të këtij projekti kinematografik është 180 mijë euro.

Me propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes është miratuar Rregullorja për prokurimin për qëllim të mbrojtjes dhe sigurisë. Me këtë rregullore bëhet përcaktimi i rregullave, kushteve dhe procedurave të prokurimit për qëllime të mbrojtjes dhe të sigurisë, të furnizimeve, shërbimeve dhe punëve, të cilat janë të përjashtuara nga Ligjit përkatës për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës.

Zbatimi i këtij akti normativ do të jetë obligativ për institucionet e Republikës së Kosovës, për personat fizik dhe juridik, të cilët në çfarëdo forme marrin pjesë në realizmin e prokurimeve për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë, e të cilat janë të përjashtuara nga Ligji përkatës i Prokurimit Publik.

Miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme e ka marr edhe Rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Kjo Rregullore do të rregullojë strukturën organizative të kësaj ministrie.

Ka marr miratimin në mbledhje të Qeverisë edhe nisma për nënshkrimin e Marrëveshjes për partneritet, tregti dhe bashkëpunim në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Marrëveshja do të zëvendësonte marrëveshjen ekzistuese ndërmjet Kosovës dhe BE-së, me qëllim të sigurisë dhe vijimësisë së kushteve të qasjes në treg, që aktualisht janë të zbatueshme, në mes të Kosovës dhe Britanisë së Madhe.

Me propozimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për caktimin e komisionit dhe hapjen e procedurave të punësimit për banorët e shpronësuar të fshatit Hade dhe Shipitullë për vende të punës në mihjet sipërfaqësore dhe prodhimit të energjisë elektrike. Komisioni përbëhet nga përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, komunës së Obiliqit, përfaqësues të KEK-ut dhe përfaqësues të banorëve të fshatit Hade dhe Shipitullë.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.