00:00:00
23 Mar

Puna, padrejtësisht, vazhdon të njeh edhe gjini edhe moshë

Pagesa më të ulëta se burrat për punën e njëjtë sidomos, në sektorin privat si për shembull, por edhe punë pa kontratë dhe mungesa e pushimeve të rregullta që u takojnë, janë vetë disa nga gjërat me të cilat gratë e punësuara në Kosovë ballafaqohen çdo ditë.

Në një hulumtim të institutit Democracy for Development (D4D) “Joaktiviteti i grave në tregun e punës”, i publikuar më 2017, më shumë se 53.2% të respodentëve theksojnë se arsye kryesore e përjashtimit të grave nga tregu i punës është se ato shihen më shumë si “përgjegjëse për përkujdesjen e fëmijëve dhe të moshuarve”, gjegjësisht me angazhim më të përqendruar në “punë përbrenda amvisërisë”.

Anketa për Fuqi Punëtore për tre muajt e fundit (tetor-dhjetor) 2018, e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, qet në shesh se punësimi disproporcionalisht më i lartë ishte tek meshkujt  – 45.6% me vetëm 12.6% të femrave të punësuara në periudhën përkatëse. Femrat janë punësuar kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor (54.5 %), ndërsa meshkujt në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit (44.1%). Shkalla e papunësisë vazhdon të jetë më e theksuar te femrat me 34.8%, krahasuar me meshkujt, 29.5%.

Blerta, 28 vjeçare e cila punoi për 10 vite si sektoriste në njërën prej supermarketeve u pagua vetëm 180 euro pagë mujore, pastaj si menaxhere për një (1) vjet e gjysëm paga e saj u bë 200 euro, vetëm 20 euro më shumë.

“200 (euro) po me trust e kto 180 i kam marr, veç 20 euro ma shumë i kom pasë si menaxhere kur jom kon për 1 vjet e gjysë”.

Për shkak të kësaj por edhe kushteve të tjera të punës me të cilat është ballafaquar, sot punon në një supermarket tjetër dhe preferon të mbetet anonime për t’iu shmangur pasojave të mundshme dhe humbjes së mundshme të vendit të punës.

Ngjashëm është edhe rasti i Majlindes, e cila për pesë vite punoi në njërën nga qendrat tregtare. Thotë se punën e rëndë në këto markete e “pagoi” me abortim.

“Kam bajt paketa t’randa e t’mdhaja me tengjere, kam montu edhe rafta për me i rendit gjanat, po mas 3 vite martesë mbeta shtatzanë, t’u çu rond qishtu e hupa fminë. Rrogë kam pasë 150 euro, edhe ata çdo muj kah 20 euro na hjekshin, se demek jena hi në minus. Masi që abortova, kompania nuk ma ka pagu as pushimin mjeksor dhe as vizitat tek doktori, prandaj edhe ma nuk kam dashtë me u kthy në atë vend t’punës”, rrëfen Majlinda.

Konkurset për punësim vetëm se e fuqizojnë ndarjen e punëve sipas gjinisë. Pozitat si sektoriste, arkatare, pastruese dhe sekretaresh në shumicën nga konkurset janë qartas të shkruara për gjininë femërore. Nga ana tjetër, për gjininë mashkullore janë pozitat si depoist, vozitës, menaxher, kamarier etj. Ndarje të tilla mund të vërehen sidomos në shpalljet e konkurseve për qendra tregtare, por nuk mungojnë as bizneset e tjera më të mëdha, prej të cilave pritet që të kenë njohuri rreth këtyre gjërave.

Në konkursin e institucionit financiar “Monego”kërkohet një “Specialist i Shërbimit për Klientë” – shpallja pos që qartas i është adresuar gjinisë mashkullore “specialist”, përcillet edhe me një foto të burrit.

Foton e një burri në konkursin për një “Menaxher Regjional të Marketingut” kishte publikuar edhe kompania “JYSK”. Raste të ngjashme diskriminuese të shpalljeve të konkurseve të dedikuara për vende pune sipas gjinisë, këto ditë mund të gjenden edhe në konkurset e kompanive të tjera: Grouper, Finca, Medruplast….

Sipas Dita Dobranjës, ekonomiste në Institutin Riinvest dhe autore e hulumtimit “Gratë në tregun e punës”, shpalljet gjinore, si ato që i targetojnë vetëm gratë apo vetëm burrat, nuk janë të ligjshme sipas Ligjit për Barazi Gjinore.

Ndër rrethanat që pamundësojnë aktivizimin më të fuqishëm të grave në tregun e punës, ajo përmend mungesën e çerdheve, institucioneve të kujdesit ditor për fëmijë, sikur edhe rrethanat që ndërlidhen drejtpërdrejt me mundësitë për punë.

“Faktori kryesor që gratë e japin si arsye për mungesë të aktivizimit në tregun e punës janë obligimet familjare dhe të kujdesit”, shtoi Dobranja.

Jeta Berisha, menaxhere në organizatën Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi  – “Inject” e sheh si të kahmotshme gjenezën e shtypjes së grave në tregun e punës dhe si një sfidë ende të përditshme.

“Diskriminimi në baza gjinore për shkak të mendësisë patriarkale ka gjeneruar nëpër gjenerata idenë që grave mos t’ju besohen detyra të rëndësishme apo pozita udhëheqëse. Një gjë e tillë automatikisht i ka lënë gratë prapa figurave të burrave udhëheqës. Puna nuk njeh gjini, por në Kosovë puna njeh edhe gjini edhe moshë. Gratë e reja janë më të favorshme për të aplikuar dhe për të marr një pozitë pune, ndërsa gratë e moshës së mesme disfavorizohen në çdo pozitë pune”, tha Berisha.

Nga një raport i vitit 2018 të Institutit GAP “Punësimi dhe përfaqesimi i grave në Kosovë”, del se pjesëmarrja në tregun e punës sipas gjinisë është 44.8% burra dhe 12.0% gra. Gjinia femrore prin me kualifikim arsimor – me 4,713 që kanë titullin bachelor, për dallim nga 3,113  me të njëjtën përgatitje shkollore nga gjinia mashkullore. Është evidente se kualifikimi arsimor nuk është arsye e mospjesëmarrjes më të madhe të gjinisë femërore në tregun e punës.

Një raport hulumtim tjetër –  “Jo aktiviteti i grave në tregun e punës” i Institutit D4D nga viti 2017, shpalos se vetëm një në tetë gra në Kosovë është ose duke kërkuar punë ose është e punësuar. Në mosperfshirjen e grave në tregun e punës, sipas këtij hulumtimi, Kosova radhitet ndër vendet me shkallën më të ulët të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës në Europë. Shumica e të anketuarve në raport – 60% pajtohen se gratë përballen me diskriminim gjatë procesit të punësimit në tregun e punës, 43% ia kontribuojnë kësaj shoqërie patriarkale, kurse 26% pushimit të lehonisë.

Dobranja pohon se kushtet me të cilat punëtorët përballen në tregun e punës është edhe mungesa e sigurisë në punë, dmth. mbrojtja e garantuar me ligj.

“Në anën tjetër, mungesa e kushteve të mirëfillta fizike, sidomos në punët që kanë të tregtisë me pakicë, si supermarketet, janë kushte tjera të vështira me të cilat të gjithë punëtorët, pa dallim gjinie përballen”, tha ajo.

Pagesa jo të barabarta për punën e njëjtë është një shkelje tjetër.

“Gratë në Kosovë vazhdojnë të paguhen më pak se burrat. Institucionet publike e garantojnë barazinë gjinore me kontrata pune, pagesë të njëjtë për gratë dhe burrat të cilët kryejnë të njëjta detyra, por jo të gjitha respektohen. Ndërsa, sektori privat e penalizon idenë e barazisë gjinore, shpesh me mungesa të kontratave të punës, e shumë më shpesh me rroga minimale për gratë e varfëra”, thotë Jeta Berisha.

Dobranja pajtohet me këtë fakt, por gjithashtu tregon se nuk ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme që të bëhet analizimi i pagave.

“Ka dallim gjinor në paga, mirëpo në Kosovë nuk ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme që të bëhet analizë e dallimit në paga, e cila do të eliminonte dallimet prej nivelit të shkollimit, përvojës së punës, etj. Kështu që, me të dhënat ekzistuese nuk mund të deklarojmë përfundimisht sa është ky dallim”, tha Dobranja.

Sipas raportit të Institutit Riinvest nga viti 2017 – “Gratë në tregun e punës”, gratë diskriminiohen vazhdimisht në vendin e tyre të punës. Mungesa e punës së duhur, obligimet dhe kujdesi shtëpiak, duke kufizuar kohën për punën e paguar dhe mungesa e mundësive për punë me orar të pjesshëm, janë renditur si tri barrierat kryesore. Raporti gjithashtu tregon se gratë kalojnë rreth 7 orë e 30 minuta duke punuar në punë të paguar, dhe rreth 3 orë të tjera shtesë, duke u kujdesur për familjen dhe duke kryer punë shtepiake për të cilat nuk paguhen.

Nga po ky raport del se një nga tre gra që punojnë në sektorin privat nuk kanë kontratë pune.

“Kjo statisitkë ilustron nivelin e lartë të informalitetit në Kosovë. Pse kjo ka rëndësi të shtuar për gratë është fakti që shumë shpesh punëdhënësit nuk i japin mundësi punësimi me kontratë grave, për të evituar obligimet që t’i mundësojnë grave të marrin pushim të lehonisë”, tha Dobranja.

Berisha nga OJQ “Inject”deklaron se statusi martesor për shumë punëofrues paraqitet si faktor i rëndësishëm: gratë e reja shihen më fleksibile për të qenë punëtore për shkak të më pak obligimeve në jetën e tyre private.

“Gratë e pamartuara janë ‘vlerë e shtuar’ e tregut tonë, duke u bazuar në diskriminimin që ua bëjne grave në moshë të mesme gjatë punësimit. Po, ashtu të mos harrojmë edhe diskriminimin që u bëhet grave shtatzëna, shumë prej të cilave humbasin vendin e punës ose konsiderohen jo të denja për t’u punësuar gjatë mujave të shtatzanisë”, tha Berisha.

Nga hulumtimet del se trajtimi i barabartë i grave dhe burrave në vendin e punës është faktori më stimulues që gratë të bëhen aktive në tregun e punës. Faktorët e tjerë, që sipas respodentëve do të kontribuonin në rritjen e aktivizimit të grave në tregun e punës, janë pagat e barabarta, orari fleksibil dhe qasja në qendra të kujdesit për fëmijët.

Sipas menaxheres së “Inject”, Jeta Berisha, institucionet duhet të angazhohen për një planveprim për të fuqizuar rolin e gruas në çdo hapësirë.

Berisha i sheh edhe protestat paqesore qytetare si një prej formave për t’a ndryshuar këtë gjendje.

“Protesta qytetare duhet të jetë një prej formave kryesore demokratike që ne si gra dhe qytetare do të duhej ta përdornim për t’a ndryshuar gjendjen e gruas në shoqëri. Por, deri sa të arrihet kuptimësia se ‘rruga e bën ndryshimin’, sepse vetëm presioni publik e bën ndryshimin, atëherë na mbetet vetëm të angazhohemi të gjithë/a për ta dëshiruar ndryshimin”, tha ajo.

BESARTA BREZNICA me Qamile Maxhuni, Fortesa Doqi dhe Ermira Gashi

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.