Lansohet telefoni i parë i palosshëm

Një kompani kineze jo shumë e njohur teknologjike e ka mposhtur gjigantin e Koresë Jugore – Samsung – në lansimin e telefonit të parë të palosshëm në botë, dhe rishikimet e para tregojnë se funksionon.

Përderisa Samsung-u mund të jetë vetëm disa orë larg publikimit të një smartfoni të palosshëm Galaxy X, Royole Corp. e ka publikuar telefonin e vet FlexPai para gazetarëve të hënën.

The Verge dhe Mashable ishin ndër mediat që kishin qasje në telefon në një ngjarje në San Francisco. Të dyja konfirmuan se teknologjia palosëse punon dhe ka madhësi ekrani 7.8 inç nga plastika me rrotullim 180 shkallë.

“Po, duket pak si i dobët, por FlexPai e jep premtimin për të qenë ‘smartfoni i parë i palosshëm’”, tha Karissa Bell nga Mashable.

Por FlexPai është larg nga e përkryera.

Pajisja nuk paloset në formë të rrafshët dhe është mjaft vështirë për ta mbajtur, tha Bell, duke shtuar se ekrani i plastikës ngrihej pak mbi mentesha dhe bënte “një tingull gërrvishtës” duke u paluar. Ajo tha se Royole i kishte thënë se këto probleme ishin “për shkak të ngjitësit të përdorur në mostrat inxhinierike.”

Nick Statt nga The Verge tha se kur paloset, telefoni është “i rëndë” dhe “duket me milje larg në cilësi” nga një smartfon i cilësisë së lartë. Softveri, një version i personalizuar i Android 9.0, dukej “tejet i ngadalshëm” dhe i gabuar, shtoi ai.

“Kjo pajisje është shumë si produkt i gjeneratës së parë,” përfundoi Statt.

Royole tha se telefoni i palosshëm do të dalë në shitje si një pajisje  për konsumatorë në Kinë në dhjetor, por në SHBA do të jetë në dispozicion vetëm si model zhvilluesi, i cili kushton 1,318 dollarë për 128 GB hapësirë për ruajtje dhe 1,469 dollarë për 256 GB, sipas Mashable.

Royole prezantoi FlexPai në të njëjtën javë që Samsung pritet të zbulojë Galaxy X të shumëpritur. Kompania ka konfirmuar gjithçka përveç lansimit të produktit – ose së paku një ide – në konferencën vjetore të zhvilluesit, e cila fillon të mërkurën në San Francisko.

Samsung kohët e fundit ka postuar një logo të modifikuar, të palosur mbrapa në vetvete, në faqen e saj në Facebook, potencialisht duke paralajmëruar publikimin e Galaxy X.