00:00:00
22 Feb

Protestat në Shtërpce kundër mini hidrocentralit patën efekt

Epilogu i protestave të banorëve të Shtërpces, që u zhvilluan përgjatë gati dy muajve, kundër ndërtimit të mini hidrocentraleve, ishte ndërprerja e punimeve.

Nga fundi i javës së kaluar ishte larguar edhe bageri i cili kryente punimet në ndërtimin e hidrocentralit. Vendimi mbi heqjen e mekanizimit të rëndë ishte marrë pas bisedave të delegacionit të banorëve, që përditë protestuan me kryetarin e komunës, Bratislav Nikolić, dhe epilogu ishte parë si fitore e përbashkët e qytetarëve dhe administratës lokale.

Protestat e banorëve të Shtërpces mbaheshin në vendin e quajtur „Të Dy Lumenjtë“ („Obe reke“), në shenj pakënaqësie me ndërtimin e një mini hidrocentralit. Banorët pohonin se leja që i ishte dhënë kompanisë „Matkos Group“ ishte në kundërshtim me ligjin dhe ata kishin paralajmëruar edhe ankesë në adresë të Ministrisë përkatëse për Mbrojtjen e Ambientit Jetësor.

Administrata lokale i kishte mbështetur plotësisht banorët për zgjidhjen e këtij problemi.

Rreth dy qind banorë të komunës së Shtërpces, përditë tuboheshin tek ky vend, mbi Shterpce, në përpjekje për mbrojtjen e lumenjve Kalugjerkë dhe Bolovankë. Kryesi i punëve, kompania „Matkos Group“ kishte marrë lejen për ndërtimin e mini hidrocentralit dhe i kishte filluar punimet që në dhjetor të viti të kaluar. Mirëpo, vendasit ishin ngritur kundër kësaj meqë, siç pohonin, punimet po kryheshin mu në burimin që e furnizonte tërë një vendbanim dhe ekzistonte frika se në këtë mënyrë do të rrezikohej furnizimi me ujë i thuajse gati 3 mijë njerëzve por edhe mbijetesa e tërë ekosistemit në këto vise.

Brengën e tyre e arsyetonin me atë se pas fillimit të punimeve me mekanizim të rëndë, uji ishte turbulluar e pas doli edhe informata se për shkak të defektit në njërën prej makinave, pati edhe rrjedhje të naftës në lumë.

Pas daljes në terren, inspektori komunal kishte konstatuar gjendjen faktike dhe kompanisë „Matkos Group“ i kishte urdhruar t’i ndërprejë punimet. Ndërmarrja përgjegjëse komunale përmes rrjeteve sociale u kishte tërhequr vërejtjen banorëve të Shtërpces se uji nuk është i pijshëm dhe se ishte ekskluzivisht për përdorim teknik.

„Uji i pijshëm ishte aq i turbulluar sa që na është dashur ta alarmojmë situatën. Pra, do të shkaktoheshin fatkeqësi elementare, sëmundje ngjitëse, epidemi“, thotë Mićko Ljubić nga ndërmarrja komunale.

Qytetarët insistonin se nuk do të heqnin dorë nga protestat deri ta gjetja e ndonjë zgjidhjeje të pranueshme.

Vendasja Gordana Ivković shprehte frikën se kjo do ta rrezikonte jetën e tyre dhe se, pa ujë të gjithë do të largoheshin nga këtu.

„Nuk kam asgjë kundër që të kemi hidorcentrale dhe progres në këto anë, por aktualisht kur është fjala për këtë lumë, nuk jam përkrahës i asaj që ai të shfrytëzohet e ne të mos kemi ujë të pijshëm, të mos kemi burim të jetës“, thotë Stojadin Milosavljević.

Banorët e fajësuan ministrinë përkatëse për dhënin e lejes që në këtë vend të ndërtohet hidrocentrali, edhe pse, sipas tyre, ai drejtpërdrejt rrezikonte burimin e ujit të pijshëm por edhe tërë ekosistemin e këtushëm.

Njëri prej përfaqësuesve të qytetarëve, Stojan Joksimović rikujtonte se lejen për ndërtimin e mini hidrocentralit Ministria e kishte dhënë më 2013, përkundër neneve qenësore të ligjit, se koncesioni apo leja për ujë nuk guxon të jipet kur ka të bëhet me burimet e ujit apo me çfarëdo përrocke nga e cila furnizohen banorët.

Ai thirrej në nenin  58 të Ligjit mbi Ujërat, i cili rreptësisht ndalon çfarëdo leje me të cilën dëmtohet furnizimi me ujë dhe thoshte se po angazhohej për të drejtat e kësaj popullate, meqë që nga fillimi i punimet “u rrezikua tërë rrjedha e lumit Kalugjerka, me çka u çrregullua furnizimi me ujë të pijes“.

Banorët e pakënaqur kishin paralajmëruar hapa të mëtejmë për zhvlerësimin e këtij vendimi.

Sipas fjalëve të kryetarit të Komunës së Shtërpces, Predrag Grbić, tek më 2016, pasi që ishin vërejtur problemet me furnizim me ujë dhe pasi ishte vërtetuar se investitori nuk po i përmbahej marrëveshjes, ishte urdhëruar që punimet të ndërpriten.

„Ne konsiderojmë se vendimi është i plotëfuqishëm dhe se punimet në ndërtimin e hidrocentralit janë në kundërshtim me vendimin që e ka marrë Kuvendi (komunal). Shtrohet pyetja, çfarë është atëherë kuptimi i një kuvendi nëse në territorin e tij nuk respektohen vendimet që i merr pushteti ligjor”, deklaroi Grbić duke shtuar se peticionin e qytetarëve kundër hidrocentralit e kishin nënshkruar mbi 1,200 qytetarë.

„Me rëndësi është se atë peticion e kanë nënshkruar (edhe) zëvendëskryeministri, deputetët nga komuna e Shtërpces në Kuvendin e Kosovës, kryetari i komunës dhe unë si kryesues i Kuvendit, zëvendës kryetari i Kuvendit të Komunës, këshilltari i kryetarit të komunës, repsketivisht të gjithë ata që kryejnë funksione të caktuara në komunën e Shtërpces, që më së miri dhe më qartazi tregon se e tërë udhëheqësia është bashkë me popullin. Ne çdo ditë bisedojmë rreth problemeve dhe kemi përfunduar se më e keqja do të ishte politizimi i kësaj situate, gjegjësisht i procesit që aktualisht ka filluar….“, kishte deklaruar Grbić.

Ndryshe në komunën e Shtërpces, aktualisht në funksion është një mini hodrocentral në Lumin Lepenc, nga Brezovica deri në Shtërpce. Ndërtimi i një hidrocentrali tjetër të këtij lloji në lumin e njëjtë, prej Shtërpces deri në fshatin Viçe, ishte ndërprerë për shkak të protestave të banorëve Donje Bitinje që konsideronin se me ndërtimin e mini hidrocentralit do të pamundësohej ujitja e tokave bujqësore.

RTV Herc – Maja Mladenović

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.