Prodhuesja e filmave me iPhone fiton çmimin Turner për vitin 2018

Një seri klipesh të shkurtëra të filmuara me një iPhone që tregojnë peisazhin skocez nga një dritare treni, një bluzë në një radiator dhe një mace që qëllon me putër një llampë e kanë ndihmuar Charlotte Prodger të fitojë çmimin Turner për vitin 2018.

Prodger u shpall fituesja e çmimit prej 25,000 paund mbrëmjen e së martës në një ceremoni në Londër.

Artistja nga Glasglow ka prodhuar vepra me imazhe lëvizëse për 20 vjet dhe është në shumë radare të artit bashkëkohor mirëpo ajo nuk është edhe aq e njohur. Juria tha se puna e saj e fundit përfaqësonte një depërtim në një mënyrë të re dhe më të gjerë të punës.

Duke folur pas fitores, Prodger tha se “Ndihem shumë e nderuar, e impresonuar në të vërtet”.

Artistja tha se përdorte një iPhone për punën e saj pasi ishte vetëm shumicën e kohës: “Për shkak të lehtësisë së përdorimit dhe mënyrës se si mund ta përdorësh ndërsa bredh nëpër botë. Për mua gjithçka është aty brenda”.

Prodger, 44 vjeç, fitoi për ekspozitën e saj personale në Bergen Kunsthall në Norvegji, që shfaqi dy filma Bridgit dhe Stoneymollan Trail. Filmi 32-minutësh Bridgit është shfaqur në Tate Britain si pjesë e ekspozitës për çmimin Turner.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.