Piktura e pishinës, më e shtrenjta nga një artist i gjallë

Një pikturë nga artisti britanik David Hockney do të zë vendin e “Balloon Dog” nga Jeff Koons si piktura më e shtrenjtë që është shitur në ankand nga një artist i gjallë. “Portreti i Artistit (Pishinë me Dy Figura)” do të shitet në mbrëmjen e shitjes së artit të pasluftës dhe artit bashkëkohor më 15 nëntor për një shumë prej afërsisht 80 milionë dollarësh duke tejkaluar rekordin prej 58.4 milionësh të Koons në vitin 2013.

Rekordi i mëparshëm i Hockney në ankand është 28.5 milionë për pikturën e tij të vitit 1990 “Pacific Coast Highway and Santa Monica”.

Christie nuk e ka zbuluar shitësin privat të “Portretit të Artistit (Pishina me Dy Figura)”. Portreti i vitit 1972 nga 81-vjeçari Hockney është ndoshta më e famshmja nga pikturat që kanë të bëjnë me pishina. Pishinat, veçanërisht pishinat private në oborre që janë të zakonshme në Los Angeles, ishin një tematikë e rëndësishme në veprën e Hockney qëkur ai u shpërngul në këtë qytet nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1964: “Gjithmonë më kanë pëlqyer pishinat, vijat e përdredhura që formohen në to. Nëse i fotografon, ato janë të ngrira por nëse përdor pikturën mund të kesh vija të përdredhura në to”

“Portreti i Artistit (Pishina me Dy Figura)” vlerësohet si një nga pikturat më mjeshtërore të Hockney e cila u ekspozua në Hong Kong, Londër dhe Los Angeles para ankandit që do të mbahet të enjten. Portreti i dyfishtë (një tjetër tematikë e preferuar e Hockney) tregon të dashurin tashmë të huaj të Hockney, Peter Schlesinger (në një xhaketë ngjyrë pembe) nga i cili Hockney ishte ndarë vitin e kaluar. Schlesinger po vështron një notar të panjohur i cili, siç spekulohet nga disa, përfaqëson vetë Hockney-n.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.