00:00:00
17 Jan

Përkundër shumë paqartësive, vazhdon optimizmi rreth dialogut

Siç kanë deklaruar ditëve të fundit Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, që janë në krye të ekipit qeveritar për negociata me Serbinë, dje ishte afati i fundit kur kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi duhet të shkëmbente infomratat dhe dorëzonte dokumentacionin e lidhur me dialogun e deritashëm në Bruksel, ndërkohë që 15 janari është afati për përgatitjen e plaftormës shtetërore për dialog, që më pastaj do t’i jepet për votim deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ekipi negociator ka pranuar tërë materialin nga Qeveria e Kosovës, për dallim nga kryetari, përfshirë edhe dokumentin e titulluar “Marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë” ku propozohet qasja “sui generis” dhe hidhet poshtë ndryshimi i kufijve si opcion, por parashihet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndryshe, sipas Nenit 11 të Draft-ligjit mbi obligimet, përgjegjësitë dhe kompetencat e ekipit për dialog me Serbinë, të gjitha institucionet e Kosovës janë të obliguara që të ofrojnë tërë materialin rreth dialogut teknik me Serbinë, por jo edhe dokumentet që kanë të bëjnë me dialogun politik.

Po ashtu, me këtë Draft-ligj parashihet që ekipi negociator të ketë rolin e monitorit të procesit e kryetari ta përfaqësojë Kosovën në dialog kurdo që për këtë merr ftesë nga ndërmjetësja në dialog, Federica Mogherini.

Avni Arifi, anëtar i ekipit negociator që do të përgatitë plaftormën shtetërore për dialog me Serbisë ka deklaruar për të përditshmen “Koha ditore” se kufijtë dhe intergriteti janë të panegociueshëm.

Analisti gjermn, Bodo Weber ka deklaruar për të përditshmen beogradase “Blic” se dyshon se të gjithë negociatorët kanë hequr dorë nga ideja për ndarjen apo këmbim të territoreve, dhe se kjo ide nuk do të pranohet.

“Por, në qoftë se do të kalonte kjo ide, nuk do të sjellë stabilitet dhe do të ishte fatale për jetën e serbëve të Kosovës në jug dhe në veri të lumit Ibër. Rruga deri te  marrëveshja përfundimtare çon nëpërmjet një ‘resetimi’ të plotë të negociatave, kthimit në kornizën fillestare të dialogut, kthimit në realitetin politik, e jo përmes një fushate gjithëpërfshirëse për të mbështetur shtetin e Kosovës nga autoritetet e Beogradit”, tha Weber.

Ai ka thënë edhe se fokusi në dialog duhet të jetë që garanca e marrëveshjes së vërtetë të jetë historike, që nënkupton normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, marrëdhënie biletarale mes dy shteteve demokratike, jetën e përditshme, zgjidhjen e problemeve të përditshme të serbëve të Kosovës, sigurinë dhe rrethanat sociale ekonomike.

Ish i dërguari i OKB-së për Kosovën, Kai Aide e konsideron të papranueshëm stagnimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të stabilizuar raportet duhet të gjendet tani, për të krijuar stabilitet në rajon dhe përfshirje në organizatat ndërkombëtare”, ka shkruar Eide në Twitter.

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi dhe anëtarët e ekipit negociator pohojnë se marrëveshja eventuale me Serbinë, Kosovës do t’i garantojë jo vetëm njohjen nga ajo, por edhe ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, ish kyretari i Serbisë, Boris Tadić nuk konsideron se konflikti i ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë është zgjidhje, por nuk pajtohet as me ata që thonë se Serbia duhet të dorëzohet rreth çështjes së Kosovës.

 “Të ashtuquajturit zëra modernistë të cilët thonë se duhet të tërhiqemi nga Kosova sepse konsiderojnë se tashmë ajo pjesë është e humbur, e pengon zhvillimin tonë të mëtejshëm ekonomik, pasi një vend që heq dorë aq lehtë nga pjesë të territorit të saj i dërgon sinjale të tjera se është në gjendje ta bëjë këtë edhe me pjesët e saj të tjera, dhe do të jepte një mesazh për investitorët se është një vend i paqëndrueshëm”, ka thënë ndër të tjera Boris Tadić.

Ai po ashtu ka shprehur qëndrimin se Kosova dyetnike ishte zgjidhja më e mirë. 

“Të gjitha zgjidhjet tjera na dërguan në një situatë ku një palë merr gjithçka dhe një tjetër humb gjithçka, gjë që mund të dërgojë në një shpërthim të një konflikti të ri në të ardhmen”, ka thënë ndër të tjera Tadić.

Lideri i partisë Serbia e Unifikuar, Dragan Marković – Palma është i mendimit se për çështjen e Kosovës duhet gjetur një zgjidhje të shpejtë.

“Çështja e Kosovës duhet të zgjidhet me kompromis dhe nëse nuk zgjidhet për disa muaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe pesë apo gjashtë vende të Bashkimit Europain sërish do të pajtohen me shqiptarët në Kosovë rreth kërkesave të reja”, konsideron Marković.

Ndryshe, Shpend Ahmeti, pas takimit me ndërmjetësen në dialogun e Brukselit, Federica Mogherini, para disa ditësh ka deklaruar se BE do të mbështesë cilëndo marrëveshje rreth të cilës do të pajtohen Kosova dhe Serbia, por ka shtuar se BE nuk do të pranojë krijimin e shteteve etnikisht të pastërta.

Ahmeti po ashtu është skeptik rreth arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, por ka deklaruar se nëse marrëveshja ndodhë, do të duhej të ishte fitore për të dyja palët, ku Kosova e fiton përfundimin e formalitetit dhe pavarësisë, duke u bërë anëtare e Këshillit të Sigurimit, e Serbia heq dorë nga një barrë e madhe, me garancën që e kërkon për minoritetin serb në Kosovë.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka deklaruar se fal presionit të madh të diplomacisë perëndimore, marrëveshja me Serbinë do të arrihet gjatë këtij vitit dhe se do të nënshrkuhet në një takim të përbashkët.

 “Kemi politikën zyrtare të SHBA-së e cila është deklaruar që ‘ne pranojmë dhe do të kishim dëshirë që të bëhet një marrëveshje historike mes Kosovës e Serbisë, por nuk do të pranojmë çfarëdo marrëveshje’. Balancim do të thotë që Serbia ka disa interesa të caktuara në Kosova, të ketë një status të veçantë përmes kishave ortodokse që janë në Kosovë. Në një mënyrë ose tjetrën mundohen që t’i paraqesin të bashkuara me Serbinë ato katër komuna serbe, njëjtë siç ne po themi për bashkim të Luginës së Preshevës”, ka thënë ai në emisionin “Rubikon” të KTV-së.

Këshilltari politik i kryetarit të Kosovës, Blerim Shala, në emisionin “Presing” të televizonit T7 ka deklaruar se vetëm “një hap i vogël na ndan prej marrëveshjes”, ndërkohë që njohësi i mirë i rrehtanave në Ballkan, Daniel Serwer në emisionin  “Monitor” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) ka deklaruar se është optimist, kur është fjala për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë jam optimist për një marrëveshje të mundshme, por unë ende nuk shoh ndonjë zgjidhje të qartë për anëtarësimin e Kosovës në OKB, marrëveshje do të kishte njohje dhe shkëmbim të ambasadorësh, por për anëtarësimin në OKB, nuk e shoh tani për tani për shkak të Rusisë”, tha ai.

Javën e ardhshme në Beograd do të qëndrojë presidenti rus, Vladimir Putin, e është paralajmëruar se me kryetarin serb Aleksandar Vučić, pos tjerash do të bisedojë edhe rreth dialogut me Kosovën, gjegjësisht për arritjen e marrëveshjes eventuale gjithëpërfshirëse me Kosovën.

Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës, përkundër presioneve të fuqishme të Bashkimit European, nuk planifikon të tërheq vendimin mbi vënien e taksës 100 për qind në importin e produkteve nga Serbia, por një numër i analistëve kosovarë të afërt me kryesinë e Kosovës, konsideron se megjithatë do të gjendet modeli me të cilën Qeveria, në një moment të caktuar, do ta tërheq këtë vendim, në mënyrë që t’i hapet rruga vazhdimit të dialogut në Bruksel.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.