“Perfeksionizmi” në rritje te studentët

Studentët sot kanë më shumë veçori që i shtyjnë drejt “perfeksionizmit” sesa ata të dekadës së kaluar, kjo sipas një studimi të ri.

“Perfeksionizmi” u definua si të pasurit standarte të larta për vetën dhe të jesh shumë kritik ndaj vetës. Në këtë studim morrën pjesë më shumë se 41,000 studentë universiteti nga Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Anglia. Disa nga fjalitë e parashtruara ishin: “Kur unë punoj në diçka nuk mund të pushoj deri sa puna të jetë e përkryer”; “E kam të vështirë t’i plotësoj standartet që të tjerët i kanë për mua” dhe ngjashëm.

Kjo rritje në “perfeksionizëm” mund të jetë pasojë e një numri faktorësh, si përdorimi i mediave sociale dhe konkurrenca për t’u pranuar në universitetet më të mira ose gjetja e një pune që të paguan mirë.

“Të rinjtë e kohëve të sotme kanë shumë presion që të arrijnë sukses dhe mendojnë se mënyra e vetme është nëse arrijnë rezultatet më të larta.”

Disa të dhëna thonë se mediat sociale, ku mund të paraqitësh një version të përkryer të vetvetës, i bëjnë të rinjtë të ndihen inferior dhe të pakënaqur me arritjet e tyre. Ata vazhdimisht krahasojnë vetën me këto imazhe të “përkryera” të shoqërisë.

Mirëpo kjo mund të ketë ndikim negativ në shëndetin e tyre mendor sepse viteve të fundit është vërejtur një rritje në nivelin e depresionit, ankthit dhe mendimeve negative te studentët.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.