Pensionet e moshës, një problem i serbëve të Kosovës

Pos që u është prekur dinjiteti njerëzor, meqë janë bashkëqytetarët më të vjetër të të gjitha komuniteteve tona, shfrytëzuesit e pensioneve të moshës çdo gjashtë muaj duhet të lajmërohen në administratën pensionale, në mënyrë që të dëshmojnë se janë të gjallë, tani pensionistëve serbë u janë rrezikuar edhe të drejtat e njeriut. Zaten, një numri të madh të pensionistëve nga komuniteti serb, u janë mohuar të drejtat në pensionet e moshës për shkak të paqartësive të udhëzimit administrativ dhe  arbitraritetit të nëpunësve në zyrat komunale të administratës pensionale.

Të gjithë qytetarët që kanë letërnjoftimin kosovar, pa marrë parasysh stazhin e punës, kur i mbushin 65 vjet kanë të drejtë në pensionin bazë të moshës në vlerë 75 euro. Në bazë të Nenit 24 të Ligjit mbi skemat pensionale të Kosovës në pikën 04/L-131, me udhëzimin administrativ MRS7 07/15 është rregulluar dokumentacioni i nevojshëm që qytetari është i obliguar të paraqet. Në listën e gjatë të dokumentacionit që qytetarët janë të obliguar të paraqesin, ekziston edhe pika ku shkruan se pos dokumentacionit duhet paraqitur edhe “dëshmitë e tjera eventuale që mund t’i kërkojjë nëpunësi i zyres relevante të administratës pensionale”.

Zyrja e Ombudsmanit për shkak të shumë kallëzimeve të qytetarëve, sipas obligimit zyrtar, përgatit (ex oficio) edhe raportimin mbi këtë nen të ligjit.

“Do të kërkojmë nga administrata pensionale të theksojnë se cilin dokumentacion janë të obliguar nëpunësit të kërkojnë nga qytetarët. Dokumentacioni nuk mund të kërkohet arbitrarisht. Kjo është kundërthënëse dhe e paqartë. Çdo ligj dhe çdo udhëzim administrativ ose cilido akt që e sjell cilado ministri dhe Qeveria e Kosovës duhet të jenë transparente dhe të qarta se si do të mund të zbatoheshin. Kështu, nëpunësit mund të kërkojnë çfarë t’u bjerë në mend dhe të kenë arsye që njerëzve t’u mohojnë të drejtën në pension”, thotë këshilltarja e lartë në Zyren e Ombudsmanit në Graçanicë, Aleksandra Dimitrijević.

Pos paqartësive rreth dokumentacionit, qytetarët të cilëve nuk u janë aprovuar pensionet e moshës, nuk marrin as vendimet me arsyetim, në mënyrë që t’u ankohen instancave më të larta. Ky problem është vërejtur sidomos në komunën e Kllokotit, ku nuk ka Zyre të Administratës Pensionale, kështu që qytetarët duhet të shkojnë në Viti.

Kështu, gjashtëdhjetë e tetë vjeçarit Slavko Popović, i cili është shprëngulur nga Prishtina dhe aktualisht jeton me qira në Vërboc, në komunën e Kllokotit, nëpunësi i administratës pensionale në Viti i ka kërkuar vërtetimin se qirramarrësi i tij e paguan tatimin në qira që e merr nga ai.

“Unë jetoj në Vërboc dhe këtë e dijnë të gjithë, por nëpunësi në Viti më ka thënë se më nuk kam të drejtë në pension. Nuk më kanë dhënë kurrfarë informimi rreth kësaj, e as vendim me shkrim. Nuk e dij se as kujt t’i ankohem, çfarë të bëj”, thotë Popović duke theksuar se është i sigurt se rreth 70 për qind të bashkëqytetarëve të tij të nacionalitetit serb që jetojnë në rrethinën e Vitisë, e kanë humbur të drejtën në pension.

Në Zyren e Ombudsmanit thonë se është e pakuptueshme dhe e papranueshme që qytetarët të mos marrin vendimin me arsyetimin pse më nuk kanë të drejtë në pension, në mënyrë që t’u ankohen instancave më të larta.

Sanja Vuković, nga organizata joqeveritare”Rrjeti për aktivizëm qytetar” („Mreža za građanski aktivizam“) e ka hulumtuar këtë problem në komunën e Vitisë, vet e ka vizituar nëpunësin e Zyres për Administratim Pensional, për të cilin thotë se është i vrazhdët dhe se arbritrarisht i vendos kriteret.

“Së pari në Zyren e Administratës Pensionale kanë pohuar se nëse nuk jeni pronar të patundshmërisë, gjegjësisht se nuk posedoni shtëpi apo banesë në emrin tuaj, nuk keni të drejtë në atë pension, e kur janë ballafaquar me atë se as ligjet e as udhëzimi administrativ nuk përcaktojnë ndonjë kriter të tillë, atëherë kanë thënë se edhe qirraxhinjtë kanë të drejtë të kenë pension, por duhet të paraqesin, për shembull, vërtetimin se qiramarësi i ka kryer obligimet tatimore të lidhura me atë qira, që po ashtu është kundërligjore”, thotë Vuković.

Gjurmëve të këtij rrëfimi, gazetari i redaksisë sonë, duke shfrytëzuar sistemin e të ashtuquajturit “klient sekret” e ka vizituar Zyren e Administratës Pensionale në Llapnasellë dhe Lipjan. Pos dokumnetacionit të rregulluar ligjor, nëpunësit i kanë kërkuar edhe letërnjoftimin e lëshuar në Republikën e Serbisë. Ky dokument kërkohet vetëm prej serbëve, kemi marrë vesh në bisedë me pjesëtarët e komuniteteve tjera, shfrytëzues të pensioneve të moshës.

Këshilltarja juridike në Zyren e Ombudusmanit, Aleksandra Dimitrijević thotë se ky është diskriminim dhe se në raportin e e avokatit të popullit mbase shumë shpejtë do të gjendet rekomandimi drejtuar administratës pensionale dhe ministrisë përkatëse që qartas të definojnë dokumentacionin e nevojshëm për realizimin e të drejtës në pensionin i moshës, gjegjësisht për dëshminë se janë banorë të Kosovës.

“Do të këkojmë të na japin argumentimin pse kërkohet letërnjoftimi i instituciuoneve që nuk njihen në Kosovë, në mënyrë që dikush të dëshmojë se jeton në Kosovë?” shton Dimitrijević.

Në Administratën Pensionale në Prishtinë, lidhur me letërnjoftimet serbe thonë se në këtë mënyrë dëshirohet të zvogëlohet numri i shfrytëzuesve jolegal të pensioneve të moshës të cilët nuk jetojnë në Kosovë.

Mirëpo, si kemi marrë vesh në Zyren e Ombudsmanit, kjo administrtatë ka ekipe mobile që përmes vizitave, shfrytëzuesve mund të vërtetojnë nëse ata jetojnë në adresat ku janë paraqitur.

Në debatin lidhur me këtë temë, të cilën e organizoi “Rrjeti për akvitizëm qytetar” në Vërboc, në komunën e Kllokotit, ishte edhe tetëdhjetë vjeçarja R.K.  e cila pohon se tetë muaj ia kanë ndalur pensionin dhe se është dashur t’i paguajë njërit prej nëpunësve në Viti, në mënyrë që ai t’i kthehet.

“Për zotin, do të mbetesha pa pension po të mos jepsha para. Më është dashur të jap para. Kur i jep paratë, dokumentacioni nuk është i rendësishëm”, ka thënë R.K. duke pohuar se nëpunësi i kishte kërkuar para në zyre, kur kishte ardhur të pyeste pse ia kishin ndalur pensionin.

Ajo shton se shembuj të tillë ka shumë dhe për këtë arsye do të duhej të reagonin organet policore dhe gjyqësore.

“Rrjeti për aktivizëm qytetar” që tubon rreth 13 organizata joqeveritare nga Kosova qendrore dhe nga Anamorava e Kosovës, në harmoni me programin e vet dhe me synimet programatike, e ka organizuar debatin publik me banorët e fshatit Vërboc, në komunën e Kllokotit, në mënyrë që atyre, por edhe bashkëqytetarëve të tyre të tjerë të komunitetit serb në Kosovë, t’u ndihmonte në zgjidhjen e problemit që kanë me realizimin e të drejtës në pensionin e moshës.

Problemi me pensionin e moshës është një ndër problemet që kemi hasur, si problem shumë të madh e qenësor. Kjo është kategori e dhënies sociale e cila u është mohuar qytetarëve. Jemi nisur nga Vërboci, meqë këtu kemi njerëz të cilët duan të flasin rreth kësaj dhe ky është fillimi i iniciativës sonë. Nuk do të ndalemi me kaq, do të merremi edhe tutje me këtë temë, para se gjithash përmes mediave, meqë konsiderojmë se në këtë mënyrë mund të ndikojmë në vendimmarrësist që të reflektojnë rreth kësaj dhe të shohin se në çfarë mënyre po zbatohet ky ligj, dhe në fund që të ndryshojë situata”, thotë Ivan Todorović, drejtor i Rrrjetit për Aktivizëm Qytetar.

Ndryshe, Ligji mbi Skemën Pensionale i Kosovës, siç quhet zyrtarisht, ka hyrë në fuqi më 20 qershor 2014, e Qeveria në mars të vitit 2016 e ka miratuar projekt-dokumentin mbi rregullimin e pensioneve, gjegjësisht ndryshimet dhe plotësimit e këtij ligji të cilat, siç deklaroi ministri i atëhershëm i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arben Abrashi, kanë për qëllim “krijimin e politikave të kushteve më të mira për qytetarët e Kosovës, ndërprerjen e pensioneve për ata që nuk jetojnë në Kosovë dhe se në këtë mënyrë do të kursehen së paku 10 deri 12 milionë në vjet nga buxheti i Kosovës. Tash e tutje, vetëm ata që jetojnë në Kosovë, do të jenë në gjendje ta marrin”, ka thënë ministri i atëhershëm.

Gračanica Online – Anđelka Ćup

 

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.