00:00:00
23 Mar

Okteti rom vazhdon traditën me emrin e themeluesit të tij

Më 2007 komuniteti rom, përpos teatrit ekzistues, kishte pasuruar aktivitetin e tij kulturor me iniciativën e profesorit të ndjerë, ish deputetit të Kuvendit të Kosovës, Kujtim Paçaku i cili themeloi oktetin “Mystic Illo” (Zemra Mistike).

Okteti “Zemra mistike”, i pari i këtij lloji në Europë, kishte një mision shumë të çmuar – të promovojë këngët autentike rome, të cilët kanë një histori 500 vjeçare. Edhe vet pjesëtarët e grupit  – 4 vajza e 4 djem, shpesh shpreheshin skeptik për një punë jo gjithaq të lehtë, e nuk pranin pyetjet as nga të afërmit e nga publiku: “si mund të udhëhiqej një oktet, me njerëzit të nivelit joadekuat të shkollimit?”

Paçaku ishte këmbëngulës.

“Romëve nuk ju nevojitet shkolla, ata janë vetë shkollë për muzikë të diplomuar nga barku i nënës së tyre”, thoshte Paçaku duke besuar në veshin e romëve për muzikë dhe jetën që lidhet me muzikë.

Në prag të 8 prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, okteti vjen në petkun e vjetër, por me emrin e ndryshuar, atë të themeluesit të ij, e në përkujtim të njeriut që kontribuoi edhe në rritjen artistike të këtij grupi. Kësaj here okteti paraqitet me një dirigjent të ri, ndërkohë që programi parasheh performimin e këngëve tradicionale të komuniteteve që jetojnë në Prizren – shqiptare, turke, boshnjake dhe rome.

Okteti gjatë ekzistimit të tij kishte performuar anekënd Kosovës, gjithashtu edhe në Maqedoni, sikur edhe në shumë vende të Europës. Ndër koncertet që përmenden ishin ato në Zagreb të Kroacisë dhe Dyseldorf të Gjermanisë, ku publiku përbëhej nga shumë personalitete autoritative të tkëtij komuniteti dhe mbështetës të artit.

I ndjeri Paçaku kishte një qasje të veçantë për kulturën rome duke i vështruar këngët rome përbrenda kontekstit të artit të të gjithëve. Anëtarët e oktetit e miqtë kurrë nuk e harruan themeluesin e tij, deri kur OJQ “Durmish Asllano” mori iniciativën që përmes projektit “Këngët dhe kultura nuk vdes kurrë” ta rrikthejë atë në skenën që i ndjeri Paçaku e donte shumë.

“E morëm përsipër punën e oktetit meqënëse okteti është i vetmi në Europë dhe ajo duhet të promovojë komunitetin tonë. Prandaj, me një entuziazëm të madh ekipi do të vazhdojë t’i sjellë këngët shekullore të romëve”, theksoi drejtori i organizatës “Durmish Aslano”, Nexhip Menekshe.

Hysni Qylangji, drejtori i organizatës “Romani Baxt”, njëherit edhe bashkëpunëtori më i madh i Paçakut potencon rëndësinë e këngëve të vjetra të komunitetit rom dhe shton se ata nuk duhet shuar kurrë.

“Unë e di që okteti ndonjëhërë mund ta ketë të vështirë ta vazhdojë punën e saj pa dirigjentin prof. Kujtimin, por shpeshherë ata motivohen nga thënie e të ndjerit: ‘nën lëkurën e juaj, brenda fshehet një ylber’, ku me këtë fjalë motivon dhe i bënë gjithmonë krenarë me talentin që kanë. Këngët rome nuk duhet shuar kurrë, Ato kanë rëndësi jashtëzakonisht të madhe për ne si komunitet, ku përmes këtyre këngëve ne tregojmë kulturën, traditën dhe doket tona”, thotë Qylangji.

Radio Romano Avazo – Ertan Galushi

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.