00:00:00
22 Feb

Numri në rënie i insekteve, kërcënim për shpërbërjen e natyrës

Insektet në botë po zhduken shumë shpejt, duke u bërë kërcënim për një shpërbërje katastrofale të ekosistemeve të natyrës, sipas vlerësimit të parë shkencor global.

Më shumë se 40% e llojeve të insekteve po reduktohen dhe një e treta e tyre janë të rrezikuara. Ritmi i zhdukjes është tetë herë më i madh se ai i gjitarëve, zogjve dhe zvarranikëve. Sipas të dhënave të disponueshme, numri i përgjithshëm i insekteve po bie me një ritëm të shpejtë prej 2.5% në vit duke treguar se ato mund të zhduken brenda një shekulli.

Planeti është në fillim të fazës së gjashtë në historinë e vet të zhdukjes në masë. Insektet janë deri tani kafshët më të llojllojshme dhe më të shumta në numër duke e tejkaluar njerëzimin për 17 herë. Ato janë “thelbësore” për funksionimin e duhur të të gjitha ekosistemeve si ushqim për krijesat e tjera, pllenues dhe riciklues të lëndëve ushqyese.

“Nëse nuk i ndryshojmë mënyrat e prodhimit të ushqimit, insektet si tërësi do të shkojnë drejt zhdukjes brenda disa dekadave”, thonë studiuesit. “Pasojat që kjo do të ketë për ekosistemet e planetit janë katastrofale për të mos thënë më shumë”.

“Nëse humbjet e llojeve të insekteve nuk mund të ndalen, kjo do të ketë pasoja katastrofale për ekosistemet e planetit dhe për mbijetesën e njerëzimit”, tha Francisco Sánchez-Bayo, nga Universiteti i Sidney, Australi.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.