00:00:00
22 Mar

Një vendimmarrje: Kosova e njohur nga Serbia dhe ulëse në OKB

Me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në mjediset e Kuvendit janë takuar ekipi shtetëror në dialogun me Serbinë dhe drejtues të institucioneve të Kosovës: kryeparlamentari Veseli, kryeministri Haradinaj dhe përfaqësues të Zyrës së Presidentit.

Përkundër ftesës, në takim nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se ky takim vjen në kuadër të komunikimit dhe koordinimit lidhur me dialogun me Serbinë dhe vetëm disa ditë pas takimit që ekipi shtetëror ka realizuar me përfaqësues të BE-së në Bruksel, por edhe në kuadër të zotimit për transparencë dhe llogaridhënie para qytetarëve dhe institucioneve.

Veseli tha se takimet e tilla duhet të shërbejnë si forume ta hapura diskutimi midis drejtuesve institucioneve kryesore të vendit dhe delegacionit shtetëror.

Duke e konsideruar të shkëlqyeshme punën e deritashme të delegacionit shtetëror, kreu i Kuvendit tha se duhet të jetë e qartë se ka vetëm një vendimmarrje: Kosova e pavarur dhe sovrane, e pacenuar territorialisht, njohje nga Serbia dhe ulëse në OKB.

“Do të ketë marrëveshje në interes të Kosovës. Pothuajse çdo ditë jemi duke marrë letra dhe nga takimet po marrim qëndrime shumë zyrtare të SHBA-ve dhe BE-së për procesin e dialogut. Është mirë të merren përgjegjësi e të mos mendohet vetëm për ego politike e rehabilitime, në momente shumë vendimtare për vendin. Vendimmarrja do të jetë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Është Kuvendi i Kosovës dhe çdo vendimmarrje e cila do të bëhet për Kosovën do të jetë me 2/3 e Kuvendit. Po ashtu, është referendumi ku do të vendosin vetë qytetarët tanë”, theksoi Veseli.

Bashkëkryesuesi i delegacionit, Shpend Ahmeti, tha se në takimin e 8 janarit në Bruksel është bërë e qartë se nuk do të ketë marrëveshje nëse nuk diskutohet për njohjen e ndërsjellë.

Ai paralajmëroi se më nuk do të ketë dialog teknik.

“Është e qartë që pas takimit në Bruksel ne i kemi disa objektiva më të qarta. E para është se më nuk ka dialog teknik dhe është e qartë se ky dialog rezulton me njohje të ndërsjellë. Nëse nuk ka njohje e as perspektivë për anëtarësim në OKB, nuk do të ketë asnjë marrëveshje tjetër”, theksoi Ahmeti.

Ai bëri të ditur se krerët e institucioneve janë njoftuar edhe me vendimin për krijimin e gjashtë komisioneve për tema që priten të ngriten në dialog.

“Sot në Kosovë fillon vizitën një i dërguar i Mogherinit. Është e qartë qe do të kemi një dialog intensiv. Arsyeja e krijimit të delegacionit shtetëror ka qenë të ndërtohet konsensus i përbashkët”, theksoi Ahmeti.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.