Ngërçi ekonomik mes Kosovës, Serbisë dhe BeH vazhdon

Nga vënia e taksës prej 100 për qind në importin e produkteve nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina (BeH), përkundër porosive të qarta të shteteve me ndikim se një vendim i tillë është në kundërshtim me Marrëveshjen CEFTA dhe se duhet të tërhiqet, Qeveria e Kosovës nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj – se kjo do të ndodhë kur Serbia ta ketë njohur Kosovën.

Vendimin e Qeverisë Haradinaj po e përkrahin edhe prodhuesit vendor, opozita dhe shoqëria civile, ndonëse ka edhe analistë kosovarë që konsiderojnë se ky vendim i Haradinajt është populist dhe se ka për qëllim rritjen e mbështetjes të votuesve potencial në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në këtë kontekst shikohet edhe refuzimi i rekomandimit të zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan, Matthew Palmer i cili bëri thirrje për tërheqjen e vendimit mbi vënien  e taksave në produktet nga Serbia dhe BeH, me arsyetimin se kjo është pengesë për dialogun.

“SHBA-të nuk u imponojnë vendeve të Ballkanit Perëndimor se çfarë duhet të bëjnë, por vizioni ynë i Ballkanit është shumë më afër asaj që këto vende kanë zgjedhur për vete. Ambicjet e vendeve për anëtarësim në BE dhe NATO janë një lëvizës i fuqishëm i ndryshimeve”, citohet të ketë thënë Palmer.

Nga ana tjetër, prodhuesit dhje tregtarët kosovarë kanë filluar të kërkojnë parnterë të ri me të cilët do të mund të lidhnin kontrata për importin e produkteve, të cilat deri më tash ekskluzivisht i kanë importuar nga Serbia, apo lëndën e parë të nevojshme për prodhim.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka theksuar se kryetarit të Odës Ekonomike të Turqisë tashmë i ka dërguar listën me një numër të produkteve dhe të lëndës së parë që nuk prodhohen në Kosovë, në mënyrë që të mos ndihet mungesa e tyre në tregun kosovar..

Edhe drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha ka deklaruar se kompanitë prodhuese do të duhej sa më shpejtë të gjenin zgjidhje për furnizimin me lëndën e parë, në mënyrë që të mos detyrohen ta ndalin prodhimin.

“Ka një pjesë të lëndës së parë që duhet të gjendet ndonjë alternativë për shkak se nuk prodhohet në Kosovë dhe shtetet të cilat janë duke u studiuar nga bizneset janë: Maqedonia, Bullgaria, Kroacia, Italia dhe Shqipëria,” ka theksuar Panxha për Radio Evropa e Lirë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci ka konfirmuar se importi nga Serbia dhe BeH po shënon rënie, por edhe se nuk është vërejtur ndonjë import i rritur nga vendet e tjera, duke pohuar se është shumë kohë e shkurtër që bizneset kosovare të lidhin kontrata të reja dhe të gjejnë rrugë tjera të furnizimit.

Stavileci po ashtu ka theksuar se para vënies së taksave, Kosova ka importuar produkte nga Serbia në vlerë 1,2 milion euro në ditë, dhe se gjatë 14 ditëve të zbatimit të taksave, nga Serbia dhe BeH janë importuar produkte në vlerë vetëm 140 mijë euro.

“Nga 100 kamionë me targa serbe, sa hynin në Kosovë brenda një dite të vetme, vetëm 38 të tillë kanë hyrë për gati dy javë prej ditës kur u vendos masa prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve që origjinë kanë shtetin serb e Bosnjë e Hercegovinën”, ka thënë Stavileci.

Ai ka shtuar se nga BeH në Kosovë kanë hyrë gjithsej 11 kamionë me mallra.

Nga ana tjetër, ministri për Tregti të Jashtme i Bosnjë-Hercegovinës, Mirko Šarović në një debat në televizionin Al Jazeera Balkans, ka deklaruar se vënia e taksave në produktet nga Serbia dhe BeH është më shumë e karakterit politik se sa ekonomik, meqë edhe Bosnja edhe Kosova në mënyrë vullnetare kanë vendosur të bëhen pjesë e tregtisë rajonale CEFTA, dhe se deri më tani në adresë të BeH nuk ka arritur asnjë ankesë për shkeljen e rregullave.

“Do të kërkojmë që Brukseli të ndërmerrë masa në mënyrë që këto taksa diskriminuese të eliminohen dhe do të kërkojmë nga Komisioni Evropian të suspendojë Kosovën. Kjo është një shkelje e marrëveshjes së stabilizim asociimit dhe nëse Komisioni Evropian nuk merr masa Kosova do të sanksionohet. Mendoj që sa më shpejt që Kosova t’i largojë këto masa ndaj Bosnje Hercegovinës është më mirë për Kosovën”, ka thënë Šarović.

Duke iu përgjigjur vërejtjes së Šarić-it, ministri kosovar për Tregti dhe Industri, Endrit Shala ka thënë se nëse Bosnja dëshiron marrëveshje tregtare, atëherë duhet ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur. Në të njëjtin debat të Al Jazeera-s, Nenad Đurđević në emër të Odës Ekonomike të Serbisë ka shprehur qëndrimin se taksat në produktet e importuara i shkaktojnë dëm edhe ekonomisë së Serbisë edhe asaj të Kosovës. Mirëpo, Shala ka përsëritur se në Kosovë më nuk mund të importohen produktet me etiketa në të cilat shkruan “Kosovo i Metohija”.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ka publikuar listën e donacioneve që kanë hyrë në Kosovë nga Serbia pa kurrfarë pengese. Këto donacione u janë dedikuar para se gjithash Kishës Ortodokse Serbe, shkollave dhe spitaleve, në mesin e tyre misri, produktet ushqimore, produktet higjienike dhe sanitare. Nga taksat dhe ackiza është përjashtuar edhe bagazhi personal i udhëtarëve me produkte në vlerë deri 175 euro.

Dhe ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Haradinaj këmbëngul në qëndrimin se vendimi për taksat në produktet nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk do të tërhiqet, shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli në një intervistë për radion Deutsche Welle ka deklaruar se taksat doganore janë të dhembshme për Serbinë, dhe se beson që nuk mbetet asgjë tjetër pos që të bisedohet në mënyrë të barabartë, si dy shtet të pavarura.

Pacolli ka thënë edhe se Kosova është e gatshme t’i tërheq taksat doganore vetëm “nëse zbatohen marrëveshjet e nënshkruara” dhe nëse mes Kosovës dhe Serbisë ekziston “reciprociteti i qindpërqindtë”.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.