00:00:00
22 Mar

Në prag të hetimeve të të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur fletëkërkimin për Ramzi Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), vendndodhja e të cilit nuk dihet, që nga koha kur e mori ftesën që më 17 janar të paraqitet në Hagë, para Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë. Ndryshe, Gjykata Themelore e akuzon Shalën se ka kryer krime të luftës, gjegjësisht se gjatë luftës, si ish-pjesëtar i UÇK-së, ishte i involuar në vrasjen e Haxhi Perteshit.

Edhe avokati i tij Natal Bullakaj ka deklaruar se nuk është në kontakt me Shalën. Që nga koha kur ai e mori ftesën nga Gjykatën Speciale dhe se nuk di se ku ai aktualisht gjendet. Para se të arratisej, gjejgësisht para se ta ndërronte vendndodhjen, Shala kishte deklaruar se nuk e njeh Gjykatën Speciale dhe se nuk do t’i përgjigjej thirrjes.

Deri më tani, Shala është i vetmi që ka refuzuar t’i përgjigjet thirrjes së Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, derisa të tjerët, publikisht kanë konfirmuar se kanë marrë një thirrje të tillë dhe kanë deklaurar se do të shkojnë vullnetarisht në Hagë.

Është interesante se thirrjen në cilësi të dëshmitares e mori edhe një grua, po ashtu ish-pjesëtare e UÇK-së, Raimonda Rreci, e cila aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Në profilin e saj në Facebook ajo ka theksuar se thirjen e kishte marrë qysh më 4 janar dhe se për të kjo është një “nder i madh”.

“Nuk kam plane të mos i përgjigjem gjykatës pa marrë parasysh se në çfarë cilësie. Nuk kam asgjë të fsheh, mbase deklaratat e mia nuk do ju pëlqejnë por unë do i përgjigjem”, ka thënë Rreci.

Deri më tani është konfirmuar se pos Remzi Shalës dhe Raimonda Rrecit, thirrje për intervistë nga Gjykata Speciale kanë marrë edhe disa ish-komandantë dhe pjesëtarë të ish-UÇK-së, përfshirë Rrustem Mustafën, Sami Lushtakun, Sokol Dobrunën, Nazif Mehmetin, Safet Sylën dhe Sulejman Selimin.

Sulejman Selimi, i njohur gjatë luftës me nofkën “Sulltani”, shërben dënimin prej shtatë vjetësh, për shkak të krimeve të kryera në rastin “Drenica”, e ditëve të fundit ai gjendet në spitalin në Prishtinë, për shkak të gjendjes së keqësuar shëndetësore. Media kosovare shkruan se Selimi do të intervistohet lidhur me periudhën derisa kryente funksionet kryesore në kierarkinë e UÇK-së.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka autoritetin që, mes tjerash, ta kërkojë praninë e të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve dhe t’i marrë në pyetje ata, të mbledhë dhe të hulumtojë të dhëna dhe të marrë vendime për fillimin, vazhdimin ose përfundimin e hetimeve për rastet kriminale”, theksohet mes tjerash në thirrjen për intervistë dërguar Selimit.

Opinioni publik është njoftuar se ish-komandanti i Zonës operative të Drenicës, Sami Lushtaku dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit (Podujevës), Rrustem Mustafa – Remi, do të paraqiten para Zyres së Gjykatës Speciale në Hagë më 14 janar, ndërkohë që Nazif Mehmeti do të hetohet tre ditë, më 22, 23 dhe 24 janar. Këtë muaj në Hagë do të udhëtojë edhe Sokol Dobruna.

Organizata e veteranëve tçë UÇK-së në takimin e saj të fundit, e kishte vlerësuar të padrejtë Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovës, duke e konsideruar atë të njëanshme meqë nuk gjykohen edhe krimet e kryera nga ana e Serbisë.

“OVL UÇK, do ta përcjell me vëmendje situatën dhe reagimet do t’i bëjë në përputhje me zhvillimet”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga OVL e UÇK-së.

Në njoftimin për shtyp, po ashtu theksohet se Organizata e Veteranëve të Luftës nuk është kundër drejtësisë, por se do të ishte më mire të themelohet Gjykata Speciale vendore.

Një numër i deputetëtve të Kuvendit të Kosovës sikur edhe analistët konsiderojnë se Kosova e ka lëshuar rastin ta themelojë gjykatën speciale dhe se është bërë grabim kur deputetët, me shumicë votash, i kishin dhënë dritë të gjelbër themelimit të kësaj gjykate.

Për deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, themelimit të Gjykatës Speciale në Hagë i ka kontribuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e Isa Mustafës, duke pohuar se pas luftës më 1999, kjo parti kishte themeluar Komisionin i cili mbledhte të dhëna mbi krimet e luftës të kryera në Kosovë, se kishte përgatitur dosjet dhe ata i kishte dorëzuar policisë së UNMIK-ut. Haxhiu thotë se nuk i kujtohen anëtarët e atij Komisioni por se ai ishte formuar “për qëllime politike, për eliminimin e krerëve të UÇK’së nga skena politike”.

Agim Veliu, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) i ka demantuar këto akuza, duke theksuar se nuk e di që të jetë formuar një Komision i tillë dhe se nuk ka arsye që LKD të merret me një komision të tillë. Nga ana tjetër, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish pjesëtari i UÇK-së, Xhavit Haliti në emisionin “Rubikon” të Kohavision-it, ka deklaruar se Gjykata Speciale për krime të luftës do të ftojë të gjithë presonat që përmenden në raportin e ish senatorit zviceran, Dick Marty, nëse gjenden prova.

Ndryshe, Gjykata Speciale për krime të luftës është krijuar pasi senatori zviceran Dick Marty, më 2011 në Këshillin e Europës, paraqiti raportin në të cilin pohohet se gjatë luftës në Kosovë ishin kryer krime, mes të cilave edhe trafikimi me organe njerëzore. Ky raport thirret në të dhënat e paraqitura në librin e ish prokurores së Gjykatës Speciale për krime të luftës në ish-Jugoslavi, Carla del Ponte.

Në raportin e Marty-t, pos tjerëve, përmendet edhe kryetari aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, Shaip Muja, Kadri Veseli, Azem Syla, Fatmir Limaj, Xhavit Haliti sikur edhe Ramush Haradinaj. Mirëpo, avokatët kosovarë pohojnë se në Gjykatën Speciale nuk do të ftohen individët të cilët më parë ishin gjykuar për raste të njëjta të krimeve të luftës në Prokurorinë Speciale në Kosovë dhe në Gjykatën Speciale për krime lufte në ish-Jugosllavi.

Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015 e kishte dhënë “dritën e gjelbër” për krijimin e Gjykatës Speciale për krime të luftës që do të hetonte dhe gjykonte krimet eventuale të kryera nga 1 janari i vitit 1998.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.