Në ndjekje të misterit se si qentë i procesojnë fjalët

Kur disa qenë i dëgjojnë pronarët të thonë “ketër”, ata mund të vrapojnë te një dritare dhe të shikojnë jashtë. Por çfarë kuptimi ka kjo fjalë për qenin? A do të thotë “Ki vëmendjen, diçka po ndodh?” Apo në të vërtet qeni e pikturon një brejtës të vogël me bisht leshtor në mendjen e tij?

“Frontiers in Neuroscience” publikuan një nga studimet e tyre të para, të bërë nga shkencëtarët në Universitetin e Emory. Ata përdorën imazhe të trurit për të kontrolluar se si qentë i procesojnë fjalët. Rezultatet tregojnë se qentë kanë të paktën një përfaqësim bazik nervor të kuptimit të fjalëve që kanë mësuar, duke i dalluar fjalët që i kanë dëgjuar më parë prej atyre që nuk i kanë dëgjuar asnjëherë.

“E dimë se qentë kanë aftësinë të procesojnë të paktën disa aspekte të gjuhës njerëzore pasi që ata mund t’i ndjekin urdhërat verbale,” tha neuroshkencëtari Gregory Berns, autori kryesor i studimit. “Studimet e mëparshme megjithatë tregojnë se qentë mund të mbështeten në shumë shenja për të ndjekur një urdhër verbal siç janë shikimi, gjestet si dhe shprehjet emocionale nga pronarët e tyre.”

Studiuesit supozojnë se qentë mund të shfaqin aktivizim më të madh nervor ndaj një fjale të re pasi që ata e ndjejnë që pronarët e tyre duan që ata të kuptojnë se çfarë po u thuhet dhe kështu mundohen ta kuptojnë. “Qentë në fund të fundit duan t’i kënaqin pronarët e tyre dhe ndoshta edhe të marrin ushqim apo ndonjë lëvdatë”, thotë Berns.

Studiuesit gjithashtu thanpë se kur njerëzit duan t’ia mësojnë qenit të tyre ndonjë trik, ata shpesh përdorin ndonjë urdhër verbal pasi kjo është ajo që njerëzit preferojnë të bëjnë. Mirëpo nga pikëpamja e qenit, sidoqoftë, një urdhër vizual mund të jetë më i efektshëm dhe ta ndihmojë qenin ta mësojë trikun më shpejt.