00:00:00
22 Feb

Në kërkim të zgjidhjes “kreative” për vazhdimin e dialogut

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar për “Zërin e Amerikës” se duhet të gjendet një zgjidhje kreative në mënyrë që të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, duke rikujtuar se autoritetet kosovare, kanë vënë taksën 100 për qind në produktet nga Serbia, e nga ana tjetër, Serbia kërkon që taksa të pezullohet për të vazhduar dialogun. Ai po ashtu ka theksuar se nga ekzekutivi i Kosovës pret maturi, veprime të interesit gjithëpërfshirës, të interesit lokal, por edhe të interesit të investimeve strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s.

 “Nuk mund të kemi sukses të vetmuar në asnjë proces. Është një Amerikë, nuk janë disa. Ne bashkë kemi fituar lirinë dhe pavarësinë dhe SHBA-të ishin të vetmet që na mbështetën për themelimin e ushtrisë. Duhet të kemi parasysh se veprime të mëtutjeshme do të jenë të koordinuara mes institucioneve të vendit, megjithëse pushtetet janë të ndara, por duhet të shikojmë më tepër në interesin strategjik sesa në interesin politik ditor”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj edhe gjatë ditë së djeshme ka deklaruar se vendimi mbi taksën në importin e produkteve nga Serbia do të mbetet në fuqi, e ministri për Infrastrukturë, Pal Lekaj ka thënë se është e papranueshme që dialogu të kushtëzohet me pezullimin e taksës.

 “Ne kemi qenë konstruktiv edhe pse Serbia nuk ka implementuar asnjë marrëveshje. Kemi qenë në dialog përkundër shkeljeve të marrëveshjes. Nuk do ta pezullojmë dhe jemi të vendosur që nëse duhet të shkohet edhe në zgjedhje, por taksa do të mbetet. Qeveria e Haradinajt nuk ndryshon mendimin”, ka thënë Lekaj në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.

Edhe pse kryeministri deri dje kishte mbështetjen e gjerë të partnerëve në koalicionin qeveriës rreth vendimit mbi taksën në produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina (BeH), si duket se ka ardhur te një rirenditje. Së pari, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka propozuar që taksa të suspendohet për 120 ditë, dhe se në këtë periudhë Serbia duhet t’i plotësojë të gjitha marrëveshjet të arritura në Bruksel, meqë në të kundërtën sërish do të vendosen. Këtë ide dje e ka mbështetur edhe lideri i Nismës Socialdemokrate dhe njëri prej krerëve të ekipit qeveritar për dialog me Serbinë, Shpend Ahmeti, i cili ka deklaruar se duhet dhënë shansin dialogut.

“Taksa është e drejtë, por nuk është mirë që Haradinaj të ndihet i vetmuar në këtë çështje, duhet koordinim dhe nëse merret vendim, të merret bashkërisht”, ka deklaruar Ahmeti.

Në pozicione të njëjta ka mbetur edhe kreu i ekipit për dialog me Serbinë, Fatmir Limaj i cili konsideron se vendimi për taksat duhet të mbetet në fuqi. Ai ka deklaruar për televizonin T7 se në bisedat në të cilat ka marrë pjesë, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA) nuk kanë kërkuar drejtpërdrejt pezullimin e taksave në produktet nga Serbia dhe BeH.

“Ne jemi të vetëdijshëm për çdo gjë që mund të ndodh. Taksa ka pasur efektin e saj. Edhe nëse hiqet taksa unë jam i bindur që Serbia më kurrë nuk do ta trajtojë Kosovën siç a ka trajtuar më herët. Mallrat e Serbisë nuk do të zënë vend më siç kanë qenë me herët. Tash taksa nuk duhet të hiqet. Mund të krijohen reciprocitete mes dy shteteve. Çdo gjë që nuk e pranon Serbia të Kosovës edhe ne nuk do ta pranojmë atë. Kjo aplikohet edhe në shtete të tjera të botës. Siç sillesh ti me mua unë sillem me ty”, ka deklaruar Limaj.

Edhe opozita është e ndarë kur është në pyetje vendimi për taksat në mallrat nga Serbia dhe BeH. Lidhja Demokratike e Kosovës e Isa Mustafës konsideron se vendimi mbi vënien e taksave është popullistike dhe se duhet hequr, ndërkohë që Lëvizje Vetëvendosje, që ndryshe me vite angazhohet për bojkotin e produkteve serbe, mbështet vendimin e kryeministrit. Për këtë arsye deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e ka kritikuar ashpër ndryshimin e qëndrimit të Shpend Ahmetit i cili i është bashkangjitur mendimit se taksa në mallrat serbe duhet pezulluar dhe t’i jipet rast dialogut.

Haxhiu thotë se për Ahmetin bisedat me Serbinë janë të një rëndësie jetike dhe se tash dëshiron që të pezullohet e drejta në mënyrë që t’i jepet hapësirë pazarllëkut.

“Kur ky lëshon pe për taksën, imagjinoni qëndrueshmërinë dhe konsistencën e tij. Prandaj këta nuk dallojnë nga Thaçi. Kundër tyre duhet të jemi dyfish opozitë”, ka thënë Haxhiu.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i cili aktualisht gjendet në SHBA ku ka udhëtuar për të marrë pjesën në Lutjen e Mëngjesit, të cilin çdo vit tradicionalisht e organizon presidenti amerikan, ka deklaruar për “Infomagazinën” në Klan Kosova se ka problem në komunikimin mes Kosovës dhe SHBA-ve.

“Ekzistojnë disa probleme në raportet me SHBA që Kosova i ka krijuar ditëve të fundit. Kemi ca probleme mes administratës amerikane dhe institucioneve të Kosovës. Jemi në një fazë delikate – mendoj se ne duhet ta ruajmë marrëdhënien tradicionale me SHBA-të. Problemi kryesor është një qasje e kokëfortësisë nga përfaqësuesit – kjo qasje ka shkaktuar shumë probleme. Problemi kryesor mbetet mungesa e një strategjie të qartë se si të bashkëveprojnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Gashi.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian dhe ndërmjetësja në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Federica Mogherini edhe dje i ka ftuar përfaqësuesit kosovar që ta tërheqin vendimin mbi taksën në importin e produkteve serbe, në mënyrë që të vazhdojë dialogu. Ajo ka theksuar se urgjentisht duhet arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe obligative mes Kosovës dhe Serbisë rreth të gjitha çështjeve të hapura.

Mogherini dje ka biseduar me telefon me kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vučić, i cili e ka përsëritur gatishmërinë për vazhdimin e dialogut “me qëllim të gjetjes së një vendimi të drejtë dhe të qëndrueshëm” nëse krijohen kushtet e domosdoshme, gjegjësisht nëse “hiqen taksat në importin e produkteve serbe …dhe kur të ndërpriten provokimit, sikur është miratimi i Statutit mbi Kombinatin Metalurgjik ‘Trepça’”. 

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.