00:00:00
22 Mar

Në Bruksel, drejt harmonizimit të hapave të mëtejmë në dialog

Shpend Ahmeti, lideri i Partisë Socialdemokrate të Kosovës dhe Fatmir Limaj, lideri i Nismës Socialdemokrate, javën e ardhshme në Bruksel do të bisedojnë me përfaqësuesit e shërbimit diplomatik evropian, në mënyrë që të harmonizohen hapat e mëtejmë me qëllim të arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian (BE), Maja Kocijančić, në një njoftim për shtyp, ka konfirmuar takimin e 8 janarit edhe ka theksuar se shërbimi diplomatik evropian është në konsultime të vazhdueshme me palët në dialog. Në këtë kontekst, ajo ka theksuar se synimi i dialogut është arritja e marrëveshjes së obligueshme për normalizimin gjithpërfshirës të raporteve, që do të çojë drejt zgjidhjes së qëndrueshme për hapjen e çështjeve të bazuara në marrëveshjen e përbashkët, të drejtën ndërkombëtare dhe që do të ishte i pranueshëm për shtetet anëtare të BE-së.

“Ne inkurajojmë të gjithë akterët politik dhe civil në Kosovë që të punojnë në mënyrë konstruktive nën një platformë të përbashkët për të mbështetur dialogun e nivelit të lartë të mbajtur nga presidentët. Ne shpresojmë se kjo do të japë një kontribut të rëndësishëm në bisedimet mbi një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme,” tha Kocijančić.

Shpend Ahmeti ka deklaruar se në Bruksel do të takohet me ekipin lehtësues të dialogut me Serbinë dhe se në mënyrë precize do të përcaktohet agjenda ashtu që dialogu të jetë më intenziv me synim të arritjes së marrëveshjes. Ai po ashtu ka theksuar se është në përgatitje e sipër platforma për negociata që do të paraqitet para Kuvendit më së voni deri më 15 janar.

“Parimet e platformës janë pak a shumë të qarta, nuk mund të dalim jashtë kornizave të kushtetutës të Kosovës, por mund të shprehim se çfarë synime mund të arrihen nga ky dialog. E ajo është njohja e ndërsjellët natyrisht. Mendoj që nuk kemi mandate të dalim jashtë kushtetutës, sepse ajo na paraqet kornizat brenda cilave mund të negociojmë. Përveç të zhdukurve, dëmet e luftës, çështjet e pronave çështjet e kishës dhe trashëgimisë kulturore, të drejtat e pakicave në të dyja shtetet dhe reciprociteti”, tha kryetari i PSD-së.

Ahmeti po ashtu ka shprehur qëndrimin se pa përfshirjen e dy partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje, do të jetë e pamundur që marrëveshja eventuale me Serbinë të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, meqë për të duhet të votojnë 2/3 e deputetëve.

LDK dhe Lëvizje Vetëvendosje tash për tash mbesin pranë qëndrimit që të mos përfshihen në ekipin negociator. Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se ekipi negociator i Qeverisë nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve, meqë është i përbërë nga pjesëtarët e partive të vogla politike.

“Ekipi i tanishëm negociator është ekip i improvizuar dialogues, ekip që devalvon institucionet shtetërore, e për më tepër ekip pa legjitimitet politik meqë përbëhet nga parti minore që nuk përfaqësojnë as minimalisht vullnetin qytetar. Në rrethana të tilla LDK-ja s’bëhet pjesë e proceseve arnuese sepse shtetin e sheh më seriozisht”, ka thënë Abdixhiku.

Shefi i klubit të deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti ka deklaruar se ftesa e koalicionit qeverisës dhe Partisë Socialdemokrate të Kosovës se “duhet të merremi me Serbinë, jo me njëri tjetrin” është tentim që të fshehin lëshimet e tyre.

“Sa herë që ne bëjmë punën tonë opozitare në mbikëqyrje të qeverisë dhe evidentim të dëmeve që po i bëhen shtetit nga kjo qeveri jo legjitime, koalicioni PAN e përdor dialogun me Serbinë për ta zhvendosur vëmendjen nga dështimet e tyre dhe për ta eklipsuar mungesën e efikasitetit qeveritar”, ka deklaruar Hoti.

Hoti ka përsëritur se LKD është për dialog, por kundër formatit të tij të deritashëm.

“Të mos i ngatërrojmë gjërat. Ne, si gjithmonë, e përkrahim dialogun me Serbinë gjithnjë duke marrë për bazë Kushtetutën. Por, ne nuk do të pranojmë që formati i ekipit të dialogut ta dëmtojë thelbin e demokracisë dhe kushtetushmërisë në Kosovë. Kosova duhet të ketë qeveri që flet në emër të shumicës së qytetarëve në adresimin e të gjitha çështjeve”, ka porositur Hoti.

Ekipi negociator i Kosovës konsideron se qëndrimi i harmonizuar i spektrit politik të Kosovës është një nga faktorët e rëndësishëm për suksesin e dialogut me Serbinë. Në mënyrë që të përgatisin Plaftormën finale për dialog, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi i ka premtuar ekipit të Qeverisë dokumentacionin komplet që ka të bëjë me negociatat e deritashme dhe kontaktet me delegacionin e Serbisë, gjegjësisht tërë materialin e lidhur me dialogun në Bruksel. Në këtë kontekst është interesant se Shpend Ahmeti thotë se ky ekip e ka marrë materialin komplet nga kryeministri dhe nga kryetari i Kosovës, ndërkohë që kolegu i tij Fatmir Limaj pohon se kryetari i Kosovës ende nuk e ka dorëzuar dokumentacionin e premtuar.

E përditshmja “Koha Ditore” shkruan se nga fundi i vitit të kaluar kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi kishte premtuar se do t’ia jep në dispozicion tërë dokumentacionin ekipit për dialog me Serbinë dhe shton se sipas Draft-ligjit mbi obligimet, përgjegjësitë dhe kompetencat, delegacioni nuk mund të ketë qasje në të gjitha dokumentet.

 KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.