00:00:00
23 Mar

Ndotja e ajrit më vdekjeprurëse sesa duhanpirja

Ndotja e ajrit shkakton më shumë vdekje sesa duhanpirja dhe pothuajse dy herë më shumë vdekje sesa që është menduar më parë, sipas një studimi të ri.

“Kjo do të thotë se ndotja e ajrit shkakton më shumë vdekje në vit sesa pirja e duhanit, që sipas Organizatës Botërore të Shëndetit ishte shkaktar i 7.2 milionë vdekjeve në vitin 2015. Duhanpirja mund të shmanget por jo edhe ndotja e ajrit”, tha në një deklaratë profesori Thomas Münzel nga Departamenti i Kardiologjisë në Universitetin Mjekësor Mainz në Gjermani i cili ishte bashkautor i studimit.

“Numri i vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare që janë shkaktuar nga ndotja e ajrit është më i lartë sesa që pritej. Vetëm në Europë, numri i vdekjeve është afër 800,000 në vit dhe secila nga këto vdekje përfaqëson një zvogëlim mesatar të jetëgjatësisë prej më shumë se dy vjetësh”, shtoi ai.

Është e dukshme se ndotja e ajrit është e lidhur me sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet e frymëmarrjes, tha Münzel. Ai shtoi se ndotja e ajrit dëmton enët e gjakut duke çuar në shtypje më të madhe të gjakut, diabet, sulm në tru dhe sulm në zemër.

Në hulumtimin e tyre, Münzel dhe kolegët e tij zbuluan se ndotja e ajrit shkaktonte dy herë më shumë vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare sesa nga sëmundjet e frymëmarrjes.

Münzel dhe kolegët e tij u kanë bërë thirrje qeverive të punojnë për të zvogëluar ndotjen e ajrit bazuar në zbulimet e studimit të tyre.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.