00:00:00
23 Mar

Erela Muhaxheri nga Peja, e diplomuar në Fakultetin e Kimisë Inxhinierike, kishte zgjedhur këtë drejtim me shpresë se do ta kishte më të lehtë punësimin.

“Nuk e kam parë asnjë konkurs e as nuk jam njoftuar nga të tjerët për ndonjë. I kam dërguar dokumentet e mia në shumë kompani private edhe pse nuk ka pasur konkurse, por gjithmonë e marr përgjigjen e njëjtë ‘Do të të telefonojmë’…”, shprehet ajo.

Rasti i saj nuk është i vetmuar dhe më shumë pasqyron një realitet kosovar ku nga 1,2 milion qytetarë të aftë punë, fatin që ta kenë një vend pune kanë vetëm 347 mijë.  Shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë vitin që shkoi ishte 30,7 për qind. Në vendin me përqindje ndër më të lartat jo vetëm në Europë sa i përket popullatës së aftë për punë nën moshën 30 vjeçare, shkalla e papunësisië arrin 63 për qind.

Në Kosovë rregullisht diplomojnë 7,000-8,000 studentë në vit: rreth 5 mijë nga shtatë universitete publike dhe 2-3 mijë studentë të tjerë nga, tashmë gjithsej 31 universitete private.

Ndërkaq, në vitin 2018 sipas statistikave të Ministrisë së Punës janë hapur më pak se 1,400 vende pune ku kërkohet arsimi i nivelit të lartë.

Sipas Dukagjin Pupovcit, drejtor në Qendrën për Arsim të Kosovës, për një vend të vogël dhe me industri të pazhvilluar si Kosova, nuk ka asgjë të keqe nëse ka më shumë njerëz me arsimim të lartë. Përvoja e dertiashme, ndërkaq ka treguar se ekziston një shpërputhje mes numrit të studentëve që diplomojnë dhe nevojave të tregut të punës, mes ofertës dhe kërkesës.

“Në sektorin publik janë rreth 80,000 të punësuar dhe në sektorin privat rreth 270,000. Në mungesë të vendeve të punës, studentët para se të zgjedhin profilet e studimit, duhet të mendojnë mirë për profesionet në të cilat do të punësohen më lehtë qoftë brenda apo jashtë vendit”, thotë Pupovci.

Në vitin akademik 2017/2018, në të gjitha universitetet publike dhe private në Kosovë, kanë të regjistruar gjithsej 110,137 studentë që nesër do të kërkojnë punë. Me trendin e tashëm ekonomik respektivisht me tregun aktual të punës, e me disproporcionin mes ofertës dhe kërkesës, duke mos marrë parasysh të rinjtë e tjerë që do të regjistrohen në ndërkohë, kjo amratë e tër studentësh mund të llogarisin për një vend pune adekuate me nivelin e arsimit të tyre, diku brenda periudhës shtatë-tetë dekadash.

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe në parnteritet me GIZ dhe USAID, kanë krijuar platformën online busulla.com, ku shpalosen të gjitha profesionet, universitetet që kanë ato drejtime, paga minimale dhe maksimale dhe sa janë në trend profesionet e caktuara.

Nga një analizë e publikuar në Sistemin Informativ të Tregut të Punës në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, bazuar në të dhënat e platformës “Busulla”, dhe nga portalet “KosovaJob”, “OfertaPune”, “GjejPunë”, vërehet se fushat më atraktive të punësimit janë ato të sektorit publik, të synuara nga 47%; për punësim në organizata joqeveritare interesimi është 14%, e pason interesimi për punë në sektorin e shitjeve me pakicë dhe në kompani ndërkombëtare.

Për këtë arsye, shumë studentë të cilët synojnë t’i qasen tregut të punës në atë profesion që kanë zgjedhur, ndjekin trajnime dhe kurse të ndryshme të cilat do t’i përgatisin për punësim.

Dita Dobranja, hulumtuese në Institutin Riinvest, thotë se qasja në treg të punës për studentët e diplomuar është e lehtë, por qasja në vende të punës është e vështirë.

Ajo thotë se diplomimi është përparësi vetëm në rastet kur të diplomuarit i qasen tregut dhe vendeve të punës ku kërkohet diploma, por edhe në këtë rast punësimi është i vështirë sepse shumica e degëve tashmë kanë kuadro të shumta.

“Në Kosovë ka mungesë të personave të specializuar në shkolla profesionale ose në fusha të cilat nuk kërkojnë diplomë universitare, e këtu, vijnë në pah disavantazhet”, thotë ajo.

Erzen Hyseni nga Prishtina, student në drejtimin Banka, Financa dhe Kontabilitet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës ndjekë shumë trajnime për t’u përgatitur sa më mirë për tregun e punës.

“Nuk mendoj se jam i gatshëm vetëm me studimet në fakultet. Literatura ka nevojë të rifreskohet për shkak se punojmë me literaturë shumë të vjetër, në të cilat flitet për teknika të vjetra, dhe si pasojë shumë të ndryshme nga teknika të reja të ekonomisë që përdoren në ditët e sotme”, shprehet ai.

Dukagjin Pupovci nga Qendra për Arsim të Kosovës konfirmon se shkollat përballen me mungesë të kabineteve dhe pajisjeve të cilat u mundësojnë studentëve aftësim në punën praktike.

“Punëdhënësit konsiderojnë se të diplomuarve ju mungojnë njohuritë dhe shkathtësitë e nevojshme teknike për ta ushtruar me sukses profesionin për të cilin janë përgatitur. Në masë të madhe, të diplomuarve ju mungojnë edhe shkathtësitë e buta që nevojiten për të qenë të suksesshëm në punë, si: shkathtësitë e planifikimit, të komunikimit, të menduarit kritik, të zgjidhjes së problemeve, e kështu me radhë”, tha ai.

I diplomuar në departamentin Menaxhment dhe Informatikë, Jusuf Spahiu thotë se Fakulteti Ekonomik në UP, ku vetëm në vitin 2017 diplomuan 896 studentë, nuk i ka ndihmuar gjithaq  drejt aftësimit të tij profesional.

“Trajnimet dhe puna praktike që kam ndjekur, më kanë mundësuar të depërtoj në punën që jam sot. Në praktikë kam aplikuar vet, fakulteti nuk më ka mundësuar asgjë. Përfitimet e mia nga programi studimor kanë qenë nën mesataren”, shprehet ai.

Pas pesë muajsh kërkimi intensiv për punë ai arriti të punësohet në një bankë në Prishtinë.

Fatin e tij nuk e ka pasur e diplomuara Erela Muhaxheri nga Peja. Ajo thotë se mundësinë për punë praktike në drejtimin e saj nuk ofrohet as nga institucionet, e as në universitet, dhe rrjedhimisht ndjekë trajnime të ndryshme dhe merr pjesë në aktivitete të disa organizatave joqeveritare.

“Është shumë e vështirë ta shohësh veten duke mos pasur se si ta shpenzosh kohën, duke mos pasur mundësi ku të kontribuosh, e as motiv për t’u ngritur nga gjumi në mëngjes. Është shumë trishtuese dhe katastrofale se si ne të rinjtë me kapacitet dhe me energji mjaft të madhe të mos kemi ku ta shfrytëzojmë atë. Të shkakton stres dhe presion”, thotë ajo.

RINA KRYEZIU me Donjeta Murselaj, Vesa Avdiu, Shkurtesa Halili

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.