“Martesa”: Fushata në Los Angeles për çmimin “Oscar”

“Martesa” është filmi kosovar i propozuar për çmimin prestigjioz “Oscar”. Regjinë e këtij filmi e ka bërë Blerta Zeqiri ndërsa është bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. “Martesa” do të shfaqet në Los Angeles më 9 dhe 17 nëntor, si pjesë e fushatës promovuese në mënyrë që anëtarët e Akademisë të kenë mundësi ta shikojnë propozimin e Kosovës.

Shfaqja e filmit kosovar do të bëhet nga “European Film Production”  i cili ka për qëllim të sjellë në qendër të vëmendjes realizimet filmike evropiane mes 87 filmave në tërësi që janë në garë në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj për t’u nominuar për “Oscar”.

QKK kishte njoftuar që në shtator se do të bashkëpunonte me distributorin amerikan “Uncork’d Entertainment” lidhur me fushatën promovuese të filmit “Martesa”. Arben Zharku, drejtori i QKK, tha se gjatë këtyre datave kur do të shfaqet filmi, edhe një ekip nga Kosova do të jetë i pranishëm në Los Angeles.

Ai tha se “Do të jemi aty unë, producenti Kreshnik Kekë Berisha dhe regjisorja Blerta Zeqiri. Gjithashtu edhe dy regjisore, More Raça e Lendita Zeqiraj, me filma të shkurtër”.

Mes filmave të kualifikuar për nominim për edicionin e 91-të të ndarjes së çmimeve të akademisë prestigjioze “Oscars” janë edhe projektet filmike të Lendita Zeqiraj “Gardhi” e More Raça “Ajo”.  “Gardhi” nuk do të ketë ndonjë shfaqje, ndërsa “Ajo” do të shfaqet në festivalin e njohur amerikan ““AFI Festival”.