00:00:00
23 Mar

Malala: Vajzat e edukuara mund ta ndryshojnë botën

Malala Yousafzai ka folur rreth dobive të mbështetjes së femrave që mund të mos kenë qasje në edukim.

Aktivistja 21-vjeçare, që është fituesja më e re e çmimit Nobel, dha një fjalim në një ngjarje në Edinburg të mërkurën, të organizuar nga organizata bamirëse Social Bite me të cilën ajo sapo ka hyrë në partneritet.

“Vajzat e edukuara e kanë fuqinë ta transformojnë botën tonë”, tha ajo. “Por pa një shtëpi apo qasje në edukim, miliona refugjatë dhe vajza të zhvendosura nuk e kanë mundësinë ta realizojnë potencialin e tyre”.

Yousafzai, e cila bën kampanjë për edukimin e femrave në të gjithë botën përmes organizatës së saj Malala Fund, do të punojë me Social Bite për të lansuar një kampanjë ndërkombëtare “sleep-out” që do t’i nxisë mijëra njerëz rreth gjithë botës që të flenë në rrugë në të njëjtën natë për të ngritur vetëdijen për të pastrehët.

“Jam e entuziasmuar që do të bashkëpunoj me Social Bite dhe që do të kem mbështetjen e tyre për t’i kthyer vajzat refugjate sërish në shkollë”, shtoi ajo.

Ngjarja bamirëse ka marrë mbështetjen e disa figurave publike si George Clooney dhe Leonardo DiCaprio.

Bashkëthemeluesi i Social Bite, Josh Littlejohn e përshkroi vizitën e Malala si një “nder”.

“Lufta e Malala për edukimin e vajzave dhe puna që fondacioni i saj bën për të mbështetur refugjatët dhe për të krijuar drejtësi shoqërore është inspirim”, shtoi ai.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.