00:00:00
23 Mar

Ligji për dialogun në udhëkryqin para Gjykatës Kushtetuese

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizje Vetëvendosje, kanë njoftuar se sot do t’i dorëzonin Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Ligjin për dialogun me Serbinë, i cili javën që shkoi u miratua në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila kryesoi edhe me Komisionin për legjislacion, ka deklaruar se ky Ligj përmban shumë nene që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Në këtë kuptim do të kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese edhe masë të përkohshme, që nënkupton që Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë që ligji për dialogun të mos zbatohet derisa të kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Po natyrisht jemi duke punuar intensivisht me grupe punuese që i kemi të përbashkëta ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, po na ndihmojnë edhe ekspertë që e njohin këtë çështje”, ka deklaruar Haxhiu për KosovaPress.

Nga ana tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka deklaruar për të njëjtën media se po tentohet që me Ligjin e miratuar të merren disa kompetenca kushtetuese.

“Jemi të bindur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë i tillë, do të jetë që ky ligj nuk mund të gjejë zbatim në Kosovë sepse tejkalon kornizat e një ligji i cili do të ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën… Askush nuk ka të drejtë të merr kompetencat askujt, askush nuk ka të drejtë t’i delegojë kompetencën dikujt tjetër nëse këtë Kushtetuta nuk e thotë… Besojmë fuqishëm që Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë këtë ligj”, thotë ai.

Shoqëria civile po ashtu konsideron se Gjykata Kushtetuese do të mund të vënte në pyetje Ligjin për dialogun.

Violeta Haxhiolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (IDK) thotë se disa nene të ligjit nuk janë të qarta dhe nuk janë harmoni me kushtetutën e vendit. 

“Problematike ne sidomos e kemi parë nenin 1 sa i përket hierarkisë institucionale. Pra, ligji tregon se delegacioni shtetëror do të jetë ai që do të udhëheqë me procesin e dialogut, ndërsa do ta bëjë këtë në konsultim me institucionet tjera kushtetuese. Por, ne e dimë se në Kushtetutë politika e jashtme udhëhiqet nga presidenti i vendit, ndërsa Qeveria e propozon dhe e zbaton politikën e jashtme, ndërsa Kuvendi e mbikëqyrë. Prandaj, ne nuk e dimë se si do të gjendet delegacioni shtetëror brenda kornizave të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Haxholli.

Ajo po ashtu ka theksuar se me Ligj janë paraparë konsultimet mes delegacionit shtetëror dhe institucioneve të tjera kushtetuese, por nuk është spjeguar mënyra se si do të bëhet kjo.

“Pastaj, mbesin edhe tre anëtarë të delegacionit shtetëror që ende nuk i janë bashkuar ekipit po parashihen që të jenë pjesë e ekipit. Nuk është e qartë se si do t’i bashkohen ata këtij ekipi, a duhet të shkoj edhe një herë i tërë delegacioni në Kuvend për t’u miratuar apo si. Do të thotë ka paqartësi se si do të plotësohet delegacioni shtetëror me anëtarët e ri. Paqartësi të tjera të cilat i kemi hasur është edhe në komisionet punuese të cilat i përcakton ky Ligj, çfarë funksioni do të kryejnë ato, si do të angazhohen ekspertët të cilët do të jenë për fusha të ndryshme sa i përket procesit të dialogut”, shprehet ajo.

Për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me qëllim të arritjes së marrëveshjes përfundimtare gjithpërfshirëse rreth raporteve të ndërsjella, janë shumë të interesuara Bashkimi Europian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për çka edhe insistojnë në heqjen apo pezullimin e taksës në produktet serbe, me çka do të plotësohej kushti i kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vučić që Serbia t’i kthehet tryezës së bisedimeve.

Shefja e Zyres së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova në emisionin “Info Magazin” në televizionin Klan Kosova ka deklaruar se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se BE konsideron se arritja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, është e një rëndësie jetike për Kosovën.

”Taksat paraqesin shkelje të marrëveshjes së CEFTA-s dhe tek Ligji për MSA-së. Po ashtu ka ndikuar edhe në procesin e Agjendës Europiane 2, pasi tashmë është shtyrë për shkak të tarifave 100%.Nuk ka shumë kohë për të humbur, çdo ditë është e rëndësishme, çdo moment është i rëndësishëm, e kryeministri Ramush Haradinaj duhet të marrë këtë vendim”, ka deklaruar Apostolova.

Në një intervistë për TV Dukagjini, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka përsëritur qëndrimin se taksa do të pezullohet me njohjen e Kosovës nga Serbia, por edhe se ekziston mundësia që ajo të pezullohet nëse përgatitet marrëveshja për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kur kam shkruar letrën e parë në kundërpërgjigje në planin ndërkombëtar për të treguar se Kosova nuk është bllokues e proceseve, kam thënë se nëse Presidenti Trump i fton palët, ne menjëherë e suspendojmë taksën pasi aty dihet ka diçka serioze – ka kontratë”, tha Haradinaj.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa ka deklaruar se partia e tij nuk është e interesuar për rrëzimin e koalicionit për shkak të vendimit rreth taksës.

“Nuk i shikojmë interesat e partisë në raport me ato nacionale. Me dashtë që taksën ta shfrytëzojmë për interes partiak atë mund ta heqim për 24 orë. PDK-ja në një asnjë moment nuk do ta lëkundë koalicionin për shkak të taksës. Ne nuk jemi të interesuar të prishim raportet me SHBA-në. Hera e parë është që SHBA-ja është kaq e zëshme që të ketë një mbyllje të procesit ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Beqa.

Ndryshe, Haradinaj ka deklaruar dje se çdo partner i koalicionit në Qeveri ka të drejtë të largohet nga koaliconi nëse nuk pajtohet me vendimin rreth taksës dhe se nuk pret që dikush do ta kërkojë dorëheqjen nëse ajo ndikon në raportet me SHBA-të.

 “Ashtu siç edhe ka thënë Veseli edhe unë mendoj ashtu. Nëse vjen puna të prishen marrëdhëniet me Amerikën unë vet shkoj në shtëpi. Mund të ketë ndonjë mendim që unë nuk pajtohem, por popullin tim nuk e marr në qafë”, ka thënë Haradinaj.

Edhe kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se politikat ditore, javore dhe zgjedhore nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet strategjike mes Kosovës dhe SHBA-ve dhe vendeve të tjera perëndimore.

 “Kërkesa e Bashkësisë Ndërkombëtare është që t’i respektojmë këshillat që t’i hapet mundësi vazhdimit të dialogut. Ky proces nuk mund të zhbllokohet njëanshëm dhe është i patolerueshëm kushtëzimi i Beogradit. Kosova do të ecë paralel me Bashkësinë Ndërkombëtare. Kam besim, sepse kam qëndruar afër me partnerët tanë dhe se gjërat e tilla do të tejkalohen”, deklaroi Thaçi.

Thaçi në një intervistë për TV Klan Kosova ka deklaruar se janë publikisht të njohura kërkesat e SHBA-ve, BE-së, sikur edhe Gjermanisë dhe ka shtuar se kur fillon të preket vija e kuqe, atëherë do të ndërhyjnë.

Analistët kosovarë theksojnë se bashkësia ndërkombëtare e ka forcuar presionin ndaj Prishtinës zyrtare që ta tërheq vendimin rreth taksës në produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Analisti Nexhmedin Spahiu konsideron se kryeministri Haradinaj pos që ka rrezikuar vet, rrezikon edhe vendin me të cilin drejton, meqë për dallim nga politikanët e tjerë “e shet shtrenjtë lëkurën”.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.