Libri i Michelle Obama shet 1.4 milion kopje brenda javës

Libri “Becoming” i Michelle Obama është bërë hit i madh. Biografia e ish-Zonjës së Parë është shitur në më shumë se 1.4 milion kopje në format të printuar dhe atë digjital në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada brenda vetëm shtatë ditësh qëkur u lansua më 13 nëntor.

Bazuar në kërkesat e shitësve me pakicë, botuesit kanë shtypur 3 milionë kopje me kopertinë të trashë në Amerikën e Veriut. Në ditën e parë, libri është shitur në më shumë se 725,000 kopje, duke u bërë kështu një nga debutimet më të mëdha të vitit.

“Becoming” është aktualisht në vendin e parë për kategorinë nonfiction në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Francë, Holandë, Spanjë, Danimarkë dhe Finlandë. Në Gjermani, janë shitur diku rreth 200,000 kopje duke bërë që të shtypen edhe 100,000 kopje të tjera.

Në Mbretërinë e Bashkuar, “Becoming” është botuar nga Viking dhe është shtypur pesë herë me gjithsej 575,000 kopje të botuara. Në Holandë, versioni i librit në gjuhën holandeze është libri më i shitur ndërsa versioni në gjuhën angleze renditet i dyti.

“Becoming” po e tejkalon dukshëm ritmin e biografive të mëhershme nga zonjat e para. Në vitin 2003, “Living History” e Hillary Clinton shiti rreth 600,000 kopje gjatë javës së parë.

Kritikat rreth librit, i cili tregon rrugëtimin e Obama nga pjesa jugore e Chicago deri në Shtëpinë e Bardhë, kanë qenë pozitive. Washington Post ka lëvduar “ekuilibrin e mahnitshëm mes tregimit të së vërtetës rreth sfidave të saj dhe pranimit të vazhdueshëm të faktit se ka pasur një jete me fat”.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.