00:00:00
22 Feb

Kushtet po i vënë të dy palët, vazhdimi i pasigurt i dialogut

Krerët e ekipit kosovar për dialog me Serbinë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti dje, pa paralajmërim, kanë udhëtuar për Bruksel, që me përfaqësuesit e kabinetit të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini të bisedojnë rreth modaliteteve të dialogut të “mundshëm”.

Fatmir Limaj pas kthimit ka deklaruar se gjatë takimit është përmendur edhe problemi i taksës 100 për qind në importin e produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, që për Serbinë është pengesë për vazhdimin e dialogut, dhe ka paralajmëruar se sërish do të udhëtojë për në Bruksel.

“Duhet të kthehemi në tavolinë dhe të bisedojmë çështjet e hapura që kemi me Serbinë. Platforma shpresojmë që të përcillet në Kuvend në javën e ardhshme. Jemi duke e bërë modelimin e dialogut të mundshëm. Ky dialog duhet të shkojë direkt e te marrëveshja finale, me kushtet që ne kemi ndaj Serbisë”, ka thënë Limaj.

Kushte ka edhe Serbia për vazhdimin e dialogut. Nga Qeveria e Kosovës kërkohet të pezullojë vendimin mbi taksën në produktet nga Serbia, e nga dje insiston të tërhiqet edhe Statuti mbi Kombinatin Metalurgjik “Trepça”, i miratuar nga deputetët në fundjavën e kaluar, që të jetë pjesë e dialogut në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është i vendosur që të mos e tërheq vendimin mbi taksat përderisa Serbia të mos e njeh Kosovën, e përgjigja e zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijančić, në pyetjen e agjencisë serbe “Tanjug” lidhur me Statut mbi “Trepçën”, që në Bruksel “duhet biseduar rreth të gjitha çështjeve të hapura mes dy vendeve….” duket se e ka keqësuar komunikimin në relacionin Kosovë-Bruksel.

Në deklaratën e Maja Kocijančić-it i pari reagoi kryeministri Haradinaj i cili deklaratën e saj e vlerësoi si papresedencë, të papranueshme dhe që ndërhyn në sovranitetin e Kosovës, duke shtuar se Brukseli e “ka humbur udhën në oborr dhe se më nuk i di përgjegjësitë e saj.

Në profilin e tij në Facebook reagoi edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili shkroi se “Trepça” nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë çështje e hapur në dialogun me Serbinë.

“Me këtë gjuhë, BE-ja është duke e rrënuar çdo perspektivë të dialogut dhe fqinjësisë së mirë. Trepça është e drejtë natyrore e shtetit të Kosovës. Sot dhe përgjithmonë”, shtoi ai.

Ashpër ka reaguar edhe lideri i partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa duke vlerësuar se ideja që të bisedohet rreth “Trepçës” është absurd, sikur që do të ishte ideja që në Bruksel të zhvillohet dialogu rreth kufijve të Kosovës.

“Kosova në asnjë fazë nuk ka pranuar që për Trepçën dhe pasuritë e saj natyrore, të cilat janë në territorin e saj, të dialogojë me Serbinë. Duhet të jemi bashkë dhe fuqishëm të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror. Çështjet e shtetësisë sonë! Sepse, kështu si kanë filluar, një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë”, ka deklaruar Mustafa.

Përderisa deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha konsideron se BE gjendet në krizë të thellë të brendshme politike dhe se Kosova mund ta paguajë çmimin e kësaj krize të saj, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj thotë se është i shokuar nga deklarata e Maja Kocijančić-it.

“Absolutisht e papranueshme që BE të japë deklarata të këtilla të pamatura që edhe mund ta dëmtojnë procesin e dialogut me Serbinë. Resurset kombëtare të Kosovës kurrë nuk do të jenë pjesë e dialogut”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Deputetit i partisë së Haradinajt, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj ka propozuar që ekipi për dialog i Qeverisë të ndërprejë çfarëdo kontakti me BE-në nëse vërtetohet se zëdhënësja Maja Kocijančić e ka prezantuar qëndrimin zyrtar të BE-së rreth “Trepçës”, e Lumir Abdixhiku, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës konsideron se zyrtarët e BE-së, të cilët e kanë vlerësuar si provokim themelimin e ushtrisë së Kosovës, meqë Serbia nuk pajtohet me këtë, dhe të cilët kanë thënë se është ngutur me vendimim mbi “Trepçën” ngase për pasuritë e Kosovës duhet biseduar me Serbinë, nuk mund të jenë ndërmjetës në dialog.

“Të tillët, me mendje kështu, janë palë me Serbinë. Të njëanshëm e pa kredibilitet, të njëjtit nuk përfaqësojnë as qëndrimet individuale të shteteve në BE. Ndërmjetësimi i tyre është i komprometuar; si të tillë, këtë ndërmjetësim – deri në qartësim – Kosova duhet ta refuzojë menjëherë”, ka thënë Abdixhiku.

Sindikata e pavarur e xehëtarëve të minierës “Trepça” ka reaguar ashpër në propozimin që çështja e “Trepçës” të negociohet me Serbinë, e kryetari i kësaj sindikate, Shyqri Sadiku, përmes profilit të tij në Facebook ka theksuar se një gjë e tillë do të rrezikonte sovranitetin e Kosovës.

Publicisti Veton Surroi konsideron se kërkesa e Komisionit Europian që Statuti i “Trepçës” të jetë pjesë e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, është pasojë e parimeve të cilat Kosova i kishte pranuar deri më tash.

“Përgjatë shtatë viteve të kaluara, Kosova ka pranuar të bisedojë me Serbinë dhe të pajtohet me të për mënyrën se si do të organizohen komunat e Kosovës (Bashkësia e Komunave Serbe), çfarë nacionaliteti duhet doemos të kenë komandanti i policisë dhe gjykatësit e apelit në Mitrovicën e Veriut dhe çfarë lartësie duhet të jetë muri i rrethrrotullimit në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës”, ka deklaruar Surroi.

Ai ka shtuar se në Zyren e Federica Mogherini-t është e qartë se nëse Kosova ka pranuar të bisedojë dhe është pajtuar rreth të gjithë çështjeve që do të duhej të ishin pjesë e e sovranitetit të Kosovës, do të pranojë të bisedojë edhe rreth “Trepçës” dhe se ky është një mësim i mirë për spektrin politik kosovar.

Sipas një pjese të mediave serbe në Kosovë, profesori i të drejtës ndërkombëtare, Bojan Milosavljević thotë se Statuti i miratuar mbi Kombinatin “Trepça” “është në kundërshtim me të gjitha standardet ndërkombëtare me të cilat garantohet e drejta në pronë, e nga ana politike ky është vendim i njëanshëm dhe i dëmshëm me të cilin mohohen të drejtat e Serbisë dhe nuk përfillen investimet e gjata në këtë kombinat metalurgjik”.

Ndryshe, me miratimin e Statutit për “Trepçën”, ky kombinat do të jetë i regjistruar si Shoqëri Aksionare, ky aksionari kryesor do të jetë shteti me 80 për qind të aksioneve, ndërsa 20 për qind do t’i kenë punëtorët.

Ministri për Zhvillim Ekonomik, Valdrin Lluka ka deklaruar për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) se “Trepça” nuk është çështje poltike. Ai ka shpjeguar se me Ligjin mbi Statutin e “Trepçës” është paraparë që të themelohet Bordi nëntëanëtarësh (ku do të ishin tre anëtarë nga komunitetit serb), e do të merrte vendime rreth aranzhmaneve eksportuese të “Trepçës”.

“Ne mund të ecim para dhe ka disponim pozitiv tek të gjithë palët kur flasim në aspektin teknik, por ndryshon kur hyn në aspektin politikë, gjë që nuk ka nevojë. Ekziston gatishmëria tek të gjitha palët për të ecur dhe ka interes të investitorëve për Trepçën”, ka deklaruar Lluka.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijančić ka sqaruar për radio “Zëri i Amerikës” se çështjet rreth të cilave negociohet ose do të negociohet, nuk i përcakton BE, por palët në dialog. Ajo sërish ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të tërheq vendimin mbi taksën në mënyrë që të rinis dialogu në Bruksel. Kryeministri Haradinaj thotë se Kosova asnjëherë nuk e ka kushtëzuar dialogun dhe se vendimi për taksën në produktet nga Serbia, ishte e imponuar për shkak të sjelljes së saj ndaj Kosovës, duke pohuar se Serbia në fakt vë kushte për vazhdimin e dialogut.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.