00:00:00
22 Feb

Kur s’janë aty deputetët serbë, s’ka as përkthim në gjuhën serbe

Gazetarët të cilët raportojnë në gjuhën serbe thonë se shpesh mbesin pa përkthim në institucionet kosovare, sidomos në Kuvend. Edhe pse deklarativisht për përfaqësuesit e institucioneve, Kosova është multietnike dhe multi-gjuhësore, që paraqet begati, siç pohojnë, Ligji mbi Përdorimin e Gjuhëve, i garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës, shpesh nuk respektohet as në trupin më të rendësishëm legjislativ, në Kuvendin e Kosovës.

Në Sekretariatin e Kuvendit thonë se kanë kontratat me shërbimin e përkthyesve që përkthimi simultan të zgjas derisa janë deputetët serbë në ulëset e parlamentit. Meqë muajve të fundit shpesh ndodh që deputetët serbë nuk janë aty, as në seancat e këshillave parlamentare, e as në seancat e Kuvendit, gazetarët të cilët raportojnë në gjuhën serbe kanë probleme të mëdha që lexuesit, shikuesit dhe dëgjuesit e tyre t’i informojmë me kohë dhe në mënyrë të saktë rreth ligjeve dhe vendimeve të rëndësishme, që drejtpëdrejt ndikojnë në jetën e tyre.

Cilësia e përkthimeve të dokumenteve parlamentare, vendimeve dhe ligjeve, po ashtu është e dobët dhe nganjëherë e paqartë, madje edhe dykuptimëshe. Tash sa vjet, Sekretariati i Kuvendit shpall konkurs për lektor të gjuhës serbe, por askush nuk lajmërohet ose kandidatët e paraqitur nuk i plotësojnë kushtet. Deputetit i Lista Srpska në Kuvendin e Kosovës, Igor Simić në një prononcim kohë më parë për portalin “Gracanica Online” thse se përkthimi i dobët është shumë i rrezikshëm kur bëhet fjalë për legjislacionin.

“Ajo që ne e kemi problem më të madh gjatë punës është përkthimi edhe pse Kushtetuta e Kosovës thotë se gjuha serbe dhe shqipe janë absolutisht të barabarta. Këtë e dijnë gazetarët, por edhe e gjithë popullata serbe që jeton në këto hapësira. Devestimi total dhe mospërdorimi i gjuhës serbe vështirëson punën. Ne jemi në një Kuvend i cili duhet të sjellë akte më të larta juridike në formë të ligjeve dhe nëse këto ligje ndryshojnë në një shkronjë apo presje, në mënyrë drastike mund ta ndërrojnë thelbin dhe të kenë pasoja për qytetarë”, thotë Simić.

Personi numër një i parlamentit kosovar, Kadri Veseli thotë se nuk është i informuar se Ligjin mbi përdorimin e gjuhës në institucionin më të lartë legjislativ më së shpeshti nuk respektohet dhe se gazetarët serbë kanë problem gjatë raportimit.

“Në fakt, përkthimi ekziston në Kuvendin e Kosovës, gjuha serbe është zyrtare, nuk e dij pse e shtroni këtë pyetje. Vërtet nuk e dij pse më pyetni, këtë mund ta vërtetojmë, por unë mund t’ju them prap se ekziston përkthim në gjuhën serbe”, thotë Veseli.

Problemi me përkthimin në gjuhën serbe pamundëson informimin profesional dhe me kohë të komunitetit serb rreth punës së deputetëve të cilët vendosin për jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, konsiderojnë gazetarët të cilët shpesh raportojnë në gjuhën serbe.

“Ka mbi një vit qëkur Kuvendi i Kosovës, gjegjësisht shërbimi i saj i informimit ka vendosur që gazetarëve që raportojnë nga debatet parlamentare t’u shkurtohet përkthimi atëherë kur në sallë nuk janë të pranishëm deputetët serbë. Fatkeqësisht, kjo ndodh shumë shpesh meqë deputetët serbë më së shpeshti nuk janë në seancat parlamentare, kështu që edhe ne shpesh mbesim pa përkthim. Kjo na paraqet problem të madh meqë nuk mundemi me kohë të informojmë publikun rreth ngarjeve të rëndësishme për të cilat debatohet në Kuvendi, si për shembull rreth dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, e për shembull ishte edhe tema e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo po ashtu ndikon edhe financiarisht meqë jemi të detyruar që në raste të tilla t’i angazhojmë përkthyesit për të na përkthyer atë për çfarë diskutohet në sallën e Kuvendit”, thotë Zorica Vorgučić, redaktorja e RTV KIM, duke demantuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Unionit të Gazetarëve Serbe në Kosovë (UNS), Budimir Ničić konfirmon se përkthimi në Kuvendin e Kosovës automatiksiht ndërpritet kur nga salla del deputeti i fundit  serb.

“Ky është mbase rasti unik në botë që Parlamenti i Kosovës ua pamundëson gazetarëve dhe publikut të mbarë që të dijnë se çfarë po punon parlamenti. Fjala është për diskriminimin ndaj serbeve, ndaj publikut serb dhe ndaj të gjithë atyre që përdorin gjuhën serbe dhe kjo përçon disa porosi. Së pari, se është e qartë që për shqiptarët nuk është e rëndësishme që serbët të dijnë çka bëjnë ata atje, nëse organi më i lartë legjislativ në Kosovë shkel Ligjin mbi përdorimin e gjuhës, gjegjësisht Kushtetutën e Kosovës, çfarë mund të presim në ndonjë nivel më të ulët dhe së treti kjo na tregon se sa të paaftë janë deputetët serbe në atë parlament, gjegjësisht se nuk kanë ndikim që të zgjidhin çkadoqoftë”, thotë Ničić, duke konfirmuar se nga Sekretariati i Kuvendit i është thënë se agjencitë e përkthimit janë të obliguara t’u përkthejnë vetëm deputetëve (të pranishëm) në sallën e Kuvendit.

“Natyrisht se gazetarët që raportojnë në gjuhën serbe nga parlamenti kosovar u nevojitet ndihma edhe e politikanëve, por edhe kolegëve shqiptarët dhe sektorit civil.. Premtime se ky problem do të zgjidhjet, ka edhe nga koalicioni qeverisës”, thotë Zorica Vorgučić, redaktore e RTV KIM nga Çagllavica.

“Na fillimi i muajit nëntor, deputeti i partisë në koalicionin qeverisës, Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Xhelili u ka premtuar gazetarëve se personalisht do të angazhohet që gazetarëve serbë t’u sigurohet përkthimi edhe kur në sallë nuk janë të pranishëm deputetët serbë, mirëpo deri më sot kjo nuk ka ndodhur”.

Drejtori i Institutit për afirmimin e marrëdhënieve ndëretnike, Fatmir Sheholi thotë se është i njoftuar me problemin e gazetarëve që raportojnë në gjuhën serbe. Sipas tij, nevojitet edhe reagimi i Zyrtarit për gjuhë në Qeverinë së Kosovës, por edhe se deputetët serbë dhe shqiptarë duhet më shumë të angazhohen në zgjidhjen e problemit të përkthimit.

“Ne si Institut e kemi bërë një projekt dhe ia kemi dorëzuar UNMIK-ut dhe presim që shumë shpejtë, qysh në muajin qershor, ta hapim shkollën në Prishtinë e Graçanicë, me profesorë shqiptarë dhe serbë të cilët do t’i mësojnë shqip dhe serbisht të gjithë ata që duan t’a mësojnë gjuhët”, thotë Sheholli, duke theksuar se shërbimi i përkthyesve në Kuvendin e Kosovës nuk është në nivelin e duhur.

Në Ligjin mbi Përdorimin e gjuhëve, të miratuar më 2006 thuhet se gjuhët zyrtare në Kosovë janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe, rrjedhimisht të gjitha institucionet dhe ofruesit e shërbimeve publike janë të obliguara që të sigurojnë përdorimin e tyre të barabartë në sistemin gjyqësor, në institucionet qendrore dhe lokale, në ndërmarrjet publike, media, arsim.

Televizoni Puls nga Shillova rregullisht i transmeton seancat e Kuvendit të Kosovës në mënyrë që shikuesit e vet t’i informojë rreth punës së deputetëve që janë zgjedhur për të mirën e qytetarëve të tyre, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale, fetare dhe partiake. Mirëpo, për shkak të mungesës së përkthimit, ky televizion shpesh detyrohet që t’i ndërprejë transmetimet pas disa minutash, thonë kolegët nga RTV Puls.

Graçanica Online –  Anđelka Ćup

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.