Kuorumi dhe konsensusi kushtëzojnë (mos)miratimin e rezolutave

Deputetët e dy partive më të mëdha opozitare në parlamentin kosovar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizje Vetëvendosje! nuk heqin dorë nga synimi i rrëzimit të Qeverisë së Ramush Haradinajt, edhe pse pranojnë se nuk mund ta sigurojnë shumicën e thjeshtë të votave. Pasi 14 deputetë të opozitës nga Partia Socialdemokrate (12) dhe Alternativës (2) gjatë ditës së djeshme heshtazi “kaluan” në anën e koalicionit qeverisës, duke propozuar miratimin e Rezolutës që parasheh përfshirjen e opozitës në ekipin për dialog me Serbinë në Bruksel, LDK dhe Vetëvendosje kanë shumë më pak gjasa në realizimin e synimit të tyre.

Pasi Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn kumtoi se Kosova potencialisht mund ta pres liberalizimin e vizave vetëm më 2020, duke shtuar se nuk duhet përmbajtur në mënyrë strikte datave, LDK dhe Lëvizje Vetëvendosje! në seancën e jashtëzakonshme që inicuan dje, paraqitën një varg kritikash në llogari të institucioneve kosovare, por edhe ndaj BE-së për shkak të mosmarrjes së liberalizimit të vizave dhe propozuan miratimin e Rezolutës. Mirëpo, në mungesë të kuorumit, votimi do të mbahet nesër.

Në Rezolutën e propozuar me tri pika propozohet që forcat politike të ulen në tryezë negociimi në mënyrë që të merren rreth agjendës për krijimin e institucioneve të reja përmes zgjedhjeve të lira. Në pikën e dytë theksohet se Qeveria e Kosovës duhet të jep dorëheqje dhe se kuvendi duhet të shpërndahet, në mënyrë që t’i hapet rruga formimit të institucioneve të reja, e në pikën e tretë të Rezolutës propozohet që partitë politike duhet të pajtohet që gjatë kësaj periudhe të mos i shkaktojnë dëm proceseve të rëndësishme politike, duke siguruar që çështjet urgjente të zgjidhen para shpërndarjes së Kuvendit, para se gjithash që të votohet për pakon e ligjeve për ushtrinë.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me kërkesë të opozitës është mbajtur pasi në tentimin e dytë ajo arriti të dorëzojë listën me 40 nënshkrime të nevojshme. Paraprakisht kishte dorëzuar listën me nënshkrimet e 42 deputetëve, domethënë edhe dy deputetëve të Alternativës që nënshkruan listën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme derisa ishin në koalicion me grupin e deputetëve të LDK-së. Përfaqësuesit e koalicionit qeverisës e kanë quajtur këtë falsifikim, e opozita gabim teknik. Pas tri mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit, megjithatë është caktuar seanca e jashtëzakonshme, e cila në fund nuk arriti të përmbyllej me votimin e Rezolutës së opozitës, për shkak të mungesës së kuorumit.

Gjatë ditës, iniciativës së opozitës që të mbahet debati rreth mossuksesit të institucioneve në marrjen e liberalizimit të vizave, iu kundërvë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se ishin plotësuar të gjitha obligimet e Qeverisë, dhe se thirrja e seancës së jashtëzakonshme nga LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje! ishte ndërhyrje në agjendat shtetërore.

Nëse merret parasysh puna e vështirësuar e Kuvendit të Kosovës, për shkak të injorimit të inicitivave të opozitës nga deputetët e koalicionit qeverisë dhe anasjelltas, disa analistë kosovarë nuk përjshtojnë mundësinë që sikur edhe në situatat e mëhershme të ngjashme, kjo rezolutë e opozitës, për shkak të mungesës së kuorumit, të mos hidhet në votim fare.

Në ndërkohë, deputetët e Partisë opozitare Socialdemokrate kanë paraqitur rezolutën e tyre për miratim në Kuvend, ku parashihet që edhe deputetët e opozitës të jenë pjesë e negociatave me Serbinë. Iniciativën e kanë përkrahur edhe deputetët e Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt dhe dy deputetë të Alternativës, Mimoza Kusari Lila dhe Ilir Deda, sikur edhe kryeministri Haradinaj.

„Marrja e rolit nga PSD-ja në dialog nuk nënkupton marrëdhënie qeverisëse, por janë marrëdhënie vetëm sa i përket temës në fjalë. Kjo është një temë nacionale dhe me të vërtetë e përshëndes këtë veprim të përgjegjshëm të PSD-së, të kryetarit të saj Shpend Ahmetit, për të marrë përgjegjësi për një proces kaq të rëndësishëm për Kosovën“, deklaroi Haradinaj.

Edhe Endrit Shala, ministër në Qeverinë e Kosovës nga radhët e Nisma Socialdemokrate ka theksuar se aktualisht kryetari Hashim Thaçi vet udhëheq procesin e negociatave me Kosovën, meqë nuk ekziston ekipi negociator.

„Sikur Qeveria e Parlamenti të votojnë dhe të krijojnë ekipin negociator, atëherë ekipi negociator është ai që më Kushtetutë negocion në emër të Kosovës. Unë mendoj që nuk ka kohë për të humbur. Parlamenti duhet sa më shpejt ta miratojë rezolutën e propozuar për dialogun që Kosova të mos humbë as edhe në raport me përgjegjësitë të cilat e kanë institucionet e Kosovës dhe në këtë rast edhe në raport me dialogun”, ka deklaruar Shala.

Sipas rezolutës së propozuar, ekipi negociator i Kosovës do të përbëhej nga numri i barabartë i anëtarëve, gjegjësisht dy përfaqësues të opozitës dhe dy përfaqësues të pozitës, me atë që në ekip të përfshihet një pjesëtar i shoqërisë civile.

Mediat kosovare kanë njoftuar se një ekip të tillë negociator do të udhëheqnin Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, e si përfaqësues i shoqërisë civile përmendet publicisti Veton Surroi, i cili ndryshe dje tha se është i gatshëm të ndihmojë me këshilla lidhur me negociatat me Serbinë në kuadër të një projekti të KFOS-it, por si këshilltar. Surroi po ashtu ka theksuar se do të pranonte të ishte edhe pjesë e ekipit, vetëm nësë do të vendosej koncensusi nacional.

Ndryshe, deputetët e LDK-së dhe Vetëvendosjes tashmë janë deklaruar kundër rezolutës së Partisë Socialdemokrate. Albulena Haxhiu nga Lëvizje Vetëvendosje! ka përsëritur qëndrimin e partisë së saj se kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi nuk duhet të jetë krye të procesit të dialogut.

“Ky person mban përgjëgjësi politike dhe morale për të gjithë marrëveshjet e dëmshme që janë nënshkruar në kuadër të procesit gjashtëvjeçar. Prandaj, orvatjet në raport me zhvillimet që kanë ndodhur tani për ne janë të papranueshme dhe janë në shërbim të Thaçit”, ka thënë ajo.

Lidhur me rezolutën e propozuar të Partisë Socialdemokrate kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi se për të do të votonte pas arritjes së koncensusit dhe se në krye të ekipit negociator do të jenë Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Sipas pohimit të një pjese të mediave kosovare, arritjen e konsensusit, gjegjësisht vënien në votim e Rezolutës, e ka penguar personalisht kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi me arsyetimin se me krijimin e ekipit negociator do t’i kufizohej hapësira për dialog me Serbinë.

Ndryshe në këtë Rezolutë po ashtu theksohet se “sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri unitar shtetëror i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme”.

Njohësi i mirë i zhvillimeve politike, Ramush Tahiri ka theksuar se rezoluta e propozuar e Partisë Socialdemokrate më shumë gjason në platformë sesa në rezolutë dhe se më tepër merret me teknikat e negociimit, por se ka edhe vijën e kuqe substanciale, gjegjësisht se nuk mund të negociohet rreth sovranitetit dhe integritetit territorial.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.