Konfuzioni i diplomacisë kosovare dhe serbe rreth njohjeve

“Loja” diplomatike apo “argumentet-kundërargumentet” mes shefave të diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli dhe të Serbisë, Ivica Dačić rreth asaj nëse ndonjë shtet e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, zgjat me muaj, e ajo që është e paqartë për opinionin kosovar dhe atë serb është se kush po e thotë të vërtetën.

Dačić pohon se deri më sot nëntë shtete e kanë tërhequr apo suspenduar vendimin e tyre rreth njohjes së shtetit të Kosovës, ndërkohë që Pacolli thotë se kjo nuk është e vërtetë.

Drejtori i Qendrës për Rajonalizim, Aleksandar Popov para do kohësh ka deklaruar për Radio B92 se zyrtarët e vendeve që kinse tërheqin njohjet e tyre, shpesh u dërgojnë porosi kundërthënëse Serbisë dhe Kosovës, siç ishte shembulli i Liberisë, kur një zyrtar i këtij vendi në Beograd deklaroi se ky vend e ka tërhequr njohjen, e më pastaj një zyrtar tjetër i po këtij shteti deklaroi se kjo nuk është e vërtetë.

“Këto gjera fare nuk do të ndikojnë në procesin e arritjes apo mosarritjes së marrëveshjes ligjore obliguese për nromalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Burkseli apo cilido faktor me ndikim, i përfshirë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, nuk çan kokë me gjera të tilla,” ka deklaruar Popov dhe ka shtuar se Serbia po shpenzon energji dhe para të tepërta “meqë nuk di si duhet lobuar”.

Në këtë kontekst ai thekson se shefi i diplomacisë lobon tek qeveritë e vendeve të vogla ku demokracia është pak e zhvilluar dhe se çmimi, në raport me efektin real, është shumë e lartë.

Analistët kosovarë, nga ana tjetër, theksojnë se Beogradi zyrtar që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 2018, shfrytëzon propagandën jo vetëm për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, por edhe për tërheqjen e pavarësisë nga shtetet që e kanë njohur.

Adrian Çollaku, kyreredaktori i online medias “Blic” thotë se bëhet fjalë për fushatën e Serbisë, e cila është më intenzive se më parë. Megjithatë, Çollaku tërheq vërejtjen se nëse Prishtina zyrtare edhe tutje qëndron pasive në përpjekje të tilla, Serbia do të “arrijë që në mënyra të ndryshme t’i bind shtetet që të tërheqin njohjen e Kosovës”.

Analisti Imer Mushkolaj konsideron se Kosova aktualisht është në situatën që “t’i ruajë njohjet ekzistuese”, duke drejtuar kritika edhe në llogari të kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili sipas tij, me hapjen e temës së kufijve me Serbinë, e ka dëmtuar procesin e njohjeve dhe e ka sjellur në rrezik integritetin territorial të Kosovës.

Ndryshe, shefi i diplomacisë serbe, Dačić nuk fsheh se qëllimi i Serbisë është që numri i shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të jetë nën 100, e zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Reihan Vuniqi pohon se me sukses u kundërvihen përpjekjeve të tilla të Dačić-it.

“Pra, ne nuk komentojmë se çfarë thotë Dačić, por punojmë në terren me vendet për të forcuar angazhimin bilateral të Kosovës dhe pozitën e saj multilaterale. Ky është qëllimi ynë dhe puna vazhdon më tutje”, thotë ajo.

Në opinionin kosovar, megjithatë ka pasur jehonë lajmi se Partia jashtëparlamentare Socialiste e Sllovenisë, para disa ditësh i ka ftuar krerët e këtij shteti që ta tërheqin njohjen e Kosovës, e sidomos kur më herët, gjatë këtij muaji, Dačić pohonte se edhe dy vende të tjera e kanë tërhequr njohjet e tyre – Komonuelthi Dominikan dhe Grenada. Ai më herët pohonte se të njëjtën gjë e kishin bërë edhe Surinami dhe Liberia, Sao Tome dhe Principe, Guinea Bisao, Burundi, Papua Guinea e Re dhe Lesoto.

Megjithatë, menjëherë erdhi edhe demanti.

“Kemi marrëdhënie diplomatike me Grenadën. Flluskat që po i krijon Serbia janë thjeshtë gënjeshtra të frikës së tyre për disa procese të rendësishme në ditët në vijim”, ka deklaruar Jetlir Zymberaj, këshilltari i Behgjet Pacollit.

Behgjet Pacolli refuzon se shtetet e përmendura i kanë tërhequr njohjet e tyre, pos kur bëhet fjalë për shtetin e Surinamit, ndërsa e përditshmja Koha Ditore në një artikull të saj thekson se Guiena Bisao dhe Liberia megjithatë kanë konfirmuar njohjet e tyre të pavarësisë.

Pacolli i është falënderuar edhe Eliot Engel-it, anëtarit të Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili ka vlerësuar se pohimet rreth tërheqjes së njohjeve të Kosovës janë të pasakta.

“Pohimet e rrejshme të Serbisë se shtetet po ia kthejnë shpinën Kosovës janë lajthitëse dhe shkaktojnë hidhërim në botë. Serbia do të duhej të ndalej dhe t’i kthehej normalizimit me fqiun e vet. Pavarësia e Kosovës dhe sovraniteti i saj janë të përhershme”, ka theksuar Engel në një postim në Twiter.

Ndryshe, në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës gjendet lista prej 116 vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por siç thekson Koha Ditore, për së paku 10 vende ende nuk dihet nëse i kanë dorëzuar notat verbale Qeverisë së Kosovës dhe mu këtë fakt analistët kosovarë e shohin si hapësirë manovruese të Ivica Dačić-it.

Edhe deputetët e opozitës kosovare janë të pakënaqur me rezultatet e deritashme të diplomacisë kosovare, për ç’shkak edhe grupet parlamentare të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje kanë paraqitur kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për zhvillimin e debatit rreth pikës së rendit të ditës – “Dështimi dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës”. Në arsyetim theksohet se në vend që prioritetet e politikës së jashtme të jenë afatgjate, ato ndryshojnë për çdo ditë, duke krijuar kështu konfuzion dhe duke i shkaktuar dëme imazhit të Kosovës në botë.

Ndryshe, Barbadosi është i vetmi shtet i cili në këto dhjetë muaj e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj